Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Historia si figurë- Rugova dhe interpretuesit

Historia si figurë- Rugova dhe interpretuesit

Të artikulosh historikisht të shkuarën nuk do të thotë ta njohësh atë “ashtu siç ka qenë me të vërtetë”[vii] (Ranke). Do të thotë ta kapësh një kujtim teksa shkreptin në një moment rreziku. Materializmi historik synon të fiksojë atë imazh të të shkuarës që i shfaqet befasisht subjektit historik në çastin e rrezikut. Rreziku kërcënon si përmbajtjen e traditës, ashtu dhe ata që e trashëgojnë. Të dyjave u kanoset i njëjti rrezik: mund të shndërrohen në vegël të klasave sunduese. Në çdo epokë duhet bërë rishtaz përpjekja për t’ia shkëputur traditën konformizmit që gjithnjë synon t’i mbivendoset. Walter Benjamin: Tezat për historinë, VI

Ky përvjetor i vdekjes së Rugovës m’u duk disi më shumë sesa përkujtim i zakonshëm. Vëmendja është kthyer kah Rugova, jo vetëm sepse Kurti është figura e radhës që po bjen para tij. Shkollarë, të rinj e të vjetër kanë mprehur lapsin për të thënë diçka të re për të. Ata që e kanë njohur nga afër e kanë konsumuar qyshkur këtë përparësi. Nuk janë më për t’u vlerësuar përvojat e përbashkët me të. Janë fjalët, intervistat, shpesh madje edhe rrymat teorike letrare ku përkiste ai. Secili do t’i shtojë diçka, t’i japë diçka, ta rizbulojë Rugovën diku. Këtu fillon abuzimi. Në shumicën e rasteve, kthimi kah Rugova sot është oportunizëm intelektual, e instrumentalizim politik.

Ibrahim Rugova është vërtetë figura e institucionalizmit në Kosovë. Por, jo të institucionalizmit si sinonim i etatizmit. Sikur në historinë e krishtërizëm, ai është tregues i degradimit të frymës së shenjtë në institucion. Përulja para tij është mbyllja e një ideje, fundi i një sekuence. Të gjithë njëri pas tjetrit- Thaçi, Haradinaj e tash Kurti i ranë për fytyre Rugovës drejt kësaj metamorfoze. Siç duket, një periudhë e gjatë indulgjencash na pret. Procesi i Kurtit megithatë dallon nga të tjerët. Ai do të na e riinterpretojë Rugovën. Dikur na tregonte se si UÇK- ja e vërtetë nuk janë partite e luftës që e hodhën UÇK- në në Gjykatën Speciale, për ta pranuar vetë këtë Gjykatë pastaj. Tash po rreket t’i tregojë votuesit të LDK- së sesi vlerësimi i duhur për Rugovën është vetë ky. Për të ruajtur korpusin e votuesve që identifikohen me rezistencën, e njëkohësisht ta thërrasë votuesin e LDK-së, ai ka zgjedhur t’i bashkojë dy tradita. Për ta ruajtur veten, pa turp abuzon me historinë. Kushtimi i tij ndaj Rugovës ka sheshuar kontradiktat e mjegulluar dallimet. Kur e trajton si politikan e relativizon. Paska diçka prej rezistencës edhe tek Rugova. A dëgjuat?! E paska përmendur luftën në njëren prej intervistave. Kur e trajton si intelektual e madhështon. Prej mijëra lexuesve të tij, pak kush mund ta dijë kuptimin e kalimit nga strukturalizmi në poststrukturalizëm. Ai nuk na tha sesi mund të manifestohej post-strukturalizmi në udhëheqjen e një populli të pushtuar. Sidomos pas rënies së murit të Berlinit.

Një hap mbrapa nga emrat e përveçëm na largon edhe nga elozhetë, sharjet e përdorimet e momentit. Çfarë po flasim është historia.

Fillojmë duke thënë se kujtimi për figurat politike të së shkuarës është pozicioni ynë sot. Çfarë na duhet e shkuara politike nëse jo si mundësi aktualizimi? Nëse do të mund të flisnim për lëndën e historisë, ajo është koha. Mënyra e konceptimit të kohës është kyq në shpjegimin e zhvillimit të ngjarjeve e fenomeneve. Në këtë diskutim mund të shkoqisim dy rryma mendimi: progresin dhe shkëputjen radikale ose ndalimin. Nocioni i progresit i sheh kontradiktat si përplotësuese drejt një përparimi të vetvetishëm. Së këndejmi, edhe akterët historikë, megjithëse në pozicione të kundërta, shpesh madje në llogore, janë kontribues te i njejti qëllim: i famshi nocion i progresit – i verbër dhe memec. Si ia bën progresi? Rendit faktet njëri pas tjetrit në mënyrë kronologjike, nga tragjet e ndryshme në rrugën e njejtë- drejt ecjes tek e ardhmja e premtuar. Ata që u mbështeten tek progresi kishin besimin naiv se po ecnin me hapin e kohës, se kjo kohë ishte e ndritur në mënyrë të pakushtëzuar. Shkurt, kjo është rrjedha, gjithçka na çon këndej. Koha është lineare, kurse zhvillimi evolutiv.

Mbushja materiale e nocionit të progresit është empiricizmi. Le t’i mbledhim të gjitha dëshmitë, të gjitha udhëtimet, të gjitha intervistat, të gjitha takimet. T’i grupojmë, t’i vendosim në peshore, ku i dihet, 20, 30, mbase 50% e Rugovës na del UÇK, kurse pjesa tjetër pacifiste. Faktet si të dhëna, pa instrumentet për t’i lexuar ato, rëndom janë të lexuara nga instrumentet e ideologjise dominante. Kështu, figurat historike marrin epitetet ‘komplekse’, e ‘nduarndurshme’ etj. Sigurisht, përpjekja ime nuk kërkon trupëzimin e koncepteve të kulluara tek njerëzit. Figurat patjetër se kanë dritëhijet e tyre. Por, ama historia si pasqyrë përpjekjesh emancipuese punëson veglat e shkëputjes radikale, ndalimin e kohës. Ajo është e pamëshirshme. Nuk ua varë shkollarëve që kalojnë kohën në biblioteka për ta gjetur edhe një fakt tjetër për të na treguar “kompleksitetin” e figurës filan. Për të gjykimi i historisë nuk i ngjan provimeve shkollore ku secila pyetja ka nga 3 pikë. Edhe intervistat e publikuara nga Kurti janë të tilla. Siç na mësonte Benjamini, është drita e Ngjarjes që mundëson tjetër shikim nga e kaluara, dhe jo faktet e reja që zbuluam. Momenti kur koha ndalon është momenti i kalendarit historik, të tjerat pastaj janë pasojat e saj. Pasojat e veprimeve të subjektit besnik që ka prodhuar Ngjarja, ose reaksioni i shtypjes së vazhdueshme. Edhe pas një mijë vjetësh, prova e historisë nuk do të jetë tjetër veçse pozicionimi karshi luftës çlirimtare.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.