Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Vuçiqi pa fakte implikon agjencitë e lajmeve nga Kosova e Kroacia si nxitëse të protestave në Serbi

Më 18 janar 2025, mediumi serb “Sputnik.rs” ka publikuar një artikull me titullin: “Vuçiqi njoftoi: Agjencitë perëndimore po përpiqen të bëjnë një revolucion me ngjyrë në Serbi”.

Në përmbajtje të këtij artikulli, ky medium ka paraqitur deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhënë për Televizionin “Happy”. Aty, Vuçiqi thotë se në Serbi po tentohet një revolucion dhe se pas kësaj qëndrojnë instruktorë të huaj nga Perëndimi. Sipas tij, studentët, përmes ndërmjetësve, po marrin udhëzime se si t’i bllokojnë rrugët. Tek ka vijuar t’i fajësojë agjencitë perëndimore të lajmeve, ai ka përfshirë kroatët dhe shqiptarët, pa ofruar ndonjë fakt që mbështet këtë pretendim. Pretendimet e tij janë transmetuar edhe nga mediume nga Rusia me zyrë në Serbi, sikurse “Sputniku”.

“Bëhet fjalë për një ndërthurje të interesave të disa agjencive perëndimore të lajmeve dhe rajonale, veçanërisht të kroatëve dhe shqiptarëve nga Kosova”, ka deklaruar Vuçiqi, duke mos dhënë asnjë emër të ndonjë mediumi nga Kosova. Protestat në Serbi kanë ngjallur interesim edhe në Kosovë, të cilat janë mbuluar gjerësisht nga mediat. Ato kryesisht kanë paraqitur kërkesat që kanë studentët për pushtetin në Serbi, si dhe arsyet e vërteta që çuan në masivizimin e protestave.

Në protestat që filluan më 26 nëntor, kërkesat e studentëve ishin të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht fajtorët për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad. Po ashtu, u kërkua që të ndiqen penalisht personat që kishin sulmuar studentët gjatë aksionit ku shprehej solidaritet me viktimat dhe të plagosurit në tragjedinë e stacionit të trenit në Novi Sad, ku si pasojë e rënies së një pllake betoni vdiqën 15 persona.

Përveç Vuçiqit, edhe zyrtarë të tjerë serbë i kanë lidhur protestat me Kosovën. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pati thënë se elemente nga shteti që ata e kontestojnë kanë pasur rol në këtë protestë.

Njësoj ishte vepruar edhe gjatë protestave të shoqatave mjedisore pas marrëveshjes së Serbisë  me BE-në për hapjen e minierës së litiumit në luginën e Jadrës. Udhëheqësit më të lartë serbë, me pretendime të paqena, tentuan që fajin për organizimin e protestave ta hedhin drejt Perëndimit. Derisa kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, kishte fajësuar Kosovën se ka gisht në organizimin e protestës, presidenti i Serbisë, Vuçiq, shkoi edhe më larg, duke akuzuar protestuesit se janë pjesë e një lufte “hibride” të mbështetur nga Perëndimi kundër Qeverisë së Serbisë. Përmes deklaratave të tilla tentohet të shkaktohet huti në mesin e opinionit publik dhe të shmanget përgjegjësia politike për situatën aktuale në Serbi.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.