Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Pretendimet e paqëndrueshme të Petkoviqit për Kosovën dhe protestat në Novi Sad

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka përmendur sërish Kosovën në protestat e fundit në Novi Sad, pa ofruar fakte se elemente nga shteti që ata e kontestojnë kanë pasur rol në këtë protestë.

1 nëntor 2024, u shemb një strehë betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 14 persona dhe tre të tjerë u plagosën rëndë. Më 3 nëntor, një numër i madh njerëzish u mblodhën para Ministrisë së Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës në Beograd, për të protestuar pas incidentit në Novi Sad. Kërkesat e protestuesve ishin dorëheqja e ministrit Goran Vesiq dhe llogaridhënia nga Qeveria për incidentin. Stacioni i ri në Novi Sad ishte hapur në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh punime, të cilat ishin kryer nga një konsorcium kinez.

5 nëntor, protestuesit hodhën gurë dhe ngjyrë të kuqe në ndërtesën e kuvendit komunal të Novi Sadit. Gjithashtu, dyert prej xhami të ndërtesës së komunës u thyen dhe një grup personash të maskuar hodhën mjete piroteknike brenda saj.

Zyrtarë të lartë serbë tërhoqën analogji mes veprimeve të protestuesve dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Edhe në tragjedinë që la të vdekur shumë persona, ata e përsëritën narracionin se interesat e Kosovës përkojnë me ato të protestuesve në Serbi, duke i barazuar veprimet e protestuesve me ato të Qeverisë së Kosovës.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkroi më 6 nëntor 2024 në “X” se: “Është e papranueshme që mbrëmë në Novi Sad individë përdhosën flamurin e Serbisë dhe vandalizuan institucionet serbe, ashtu siç po bëjnë Kurti dhe ekstremistët e tij në Kosovë. Kjo nuk është një rastësi, sepse Kurti dhe rebelët në Novi Sad kanë të njëjtin interes dhe metoda: që Serbia dhe gjithçka serbe të pengohet dhe të dobësohet nga dhuna”.

Mediat serbe e amplifikuan këtë narrativë, duke u dhënë hapësirë pretendimeve të tilla të pabazuara, rrjedhimisht duke e paraqitur Kosovën si faktor destabilizues që synon dobësimin e Serbisë.

Deklarata e Petkoviqit u shpërnda nga: Novosti.rs, Alo.rs, Euronews.rs, Tanjug.rs, Pink.rs, Objektiv.rs.

Ky pretendim i Petkoviqit është vazhdimësi e deklaratave ku tentohet që Kosova të implikohet në zhvillimet që ndodhin në Serbi.

Kjo është një taktikë e vazhdueshme nga ana e zyrtarëve dhe mediave serbe, që shpesh përpiqen të shpërqendrojnë vëmendjen nga problemet e brendshme, duke fajësuar faktorë të jashtëm.

Krahas pretendimeve për implikim të Kosovës dhe agjenturave të Perëndimit në zhvillimet në Serbi, akuzat dhe sulmet nuk kanë munguar as ndaj gazetarëve. Propaganda e Serbisë konfirmohet edhe në komunikatat e organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe integritetin e informacionit. Në protestat në Novi Sad, sipas organizatës “Reporterët pa kufij”, janë sulmuar së paku katër ekipe mediale derisa po raportonin për protestat antiqeveritare në Serbi.

“E drejta për propagandë po e zëvendëson të drejtën për informim. Autorët e sulmeve kundër gazetarëve po paraqiten si viktima. Liri e armiqve të mediave në vend të lirisë së mediave. Serbia është hallka e dobët e informacionit në Europë. Në takimet e mia me autoritetet në Beograd, u bëra thirrje që të marrin masa kundër propagandës ruse, padive abuzive dhe pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve. Duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar në Serbi, kërkova mbështetjen e tyre për këto veprime”, citohet në komunikatë deklarata e udhëheqësit të Seksionit BE-Ballkan të Reporterëve pa Kufij, Pavol Szalai.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë dhe media serbe tentojnë të implikojnë Kosovën në zhvillimet në Serbi. Kur shoqatat ambientaliste organizuan protesta në Beograd, pas paralajmërimit për hapjen e minierës së litiumit në luginën e Jadrës, zyrtarë serbë pretenduan pa fakte se protestat u nxitën nga Prishtina dhe shërbimet e tjera perëndimore.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.