Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Dymbëdhjetë vjet nga Marrëveshja e Brukselit: Çka ka mbetur nga ajo që u premtua në fillim?

Foto: Shutterstock.

Më 2013, Serbia dhe Kosova e nënshkruan marrëveshjen e parë historike në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja: Marrëveshja e Parë mbi Parimet që rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve (përgjithësisht e njohur si Marrëveshja e Brukselit).

Mbi gjysma e 15 neneve të Marrëveshjes së Brukselit fokusohen te Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe dhe tek integrimi i policisë dhe gjyqësorit, si dhe te zgjedhjet lokale, duke vënë në pah përpjekjen për integrimin e komunitetit serb në kornizën institucionale të Kosovës.

Marrëveshja e Brukselit – duke nisur bisedime të nivelit të lartë mes kryeministrave dhe me qëllimin e të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale dhe integrimin e komunitetit serb të Kosovës, veçanërisht në veri – shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. 

Dymbëdhjetë vjet më vonë, shtrohet pyetja: ku qëndrojmë sot sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe procesit të mëtejshëm të normalizimit? 

Zhbërja e institucioneve serbe dhe integrimi i komunitetit serb në Kosovë

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit ishte thellësisht i papranueshëm në Serbi. Në atë kohë, serbët e veriut të Kosovës jetonin nën mbrojtjen e plotë institucionale të Serbisë: autoritetet lokale, ndërmarrjet publike, madje edhe zyrtarët policorë – edhe pse nuk ishin të uniformuar – ishin pjesë e sistemit serb. 

Ajo që popullata lokale priste ishte, në rastin më të keq, ruajtja e status quo-së, kurse, në rastin më të mirë, një zgjidhje që do të çonte te ndryshimi i kufijve dhe integrimi formal i veriut në Serbi. 

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte e papranueshme edhe te serbët e Kosovës. Kjo marrëveshje nga serbët e Kosovës, në masë të madhe, shihej si tradhti. Serbia pranoi t’i zhbënte institucionet paralele në veri, duke u kërkuar gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve policorë e shërbyesve civilë serbë të integroheshin në sistemin e Kosovës. 

Edhe pse ngurrues, komuniteti serb u bind, duke i besuar premtimit të Beogradit se do të themelohej Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe, që do t’u jepte atyre autonomi më të madhe në fusha të ndryshme, siç janë: arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ekonomia lokale. 

Teksa serbët lokalë kishin filluar të integroheshin në kornizën institucionale të Kosovës, progresi drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë u bllokua gradualisht. 

Mungesa e progresit, me kalimin e kohës, i çoi serbët e Kosovës te dorëheqja kolektive nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës, duke krijuar një ngecje të rëndësishme në procesin e normalizimit. Pasoja tjetër e rëndësishme ishte ndalimi nga Serbia i procesit të zhbërjes së institucioneve paralele, që çoi Qeverinë e Kosovës të veprojë njëanshëm, duke hasur në rezistencë nga komuniteti serb.  

Nga integrimi tek eskalimi 

Në shtator të 2023-tës, për ta përkeqësuar situatën, shpërtheu një përplasje e hapur në mes të serbëve të armatosur – të udhëhequr nga zëvendëskryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radojçiq – dhe Policisë së Kosovës, që rezultoi me vdekjen e një zyrtari policor të Kosovës dhe tre serbëve, pjesëtarë të grupit të organizuar të armatosur. 

Tensionet eskaluan edhe më shumë gjatë qeverisë së kryeministrit Kurti, e cila – duke u thirrur në nevojën për ruajtjen e sovranitetit dhe sundimit të ligjit – ndërmori disa operacione policore me qëllim të mbylljes së strukturave paralele dhe shtrirjes së autoritetit në zonat me shumicë serbe. 

Megjithatë, Kurti njëkohësisht nuk bëri asnjë përparim konkret për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, siç ishte paraparë me marrëveshjet e mëparshme, gjë që bëri që shumë pjesëtarë të komunitetit serb t’i konsiderojnë këto veprime si diskriminuese dhe të njëanshme. 

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e lehtësuar dhe mbështetur nga BE-ja, u bë obligim ndërkombëtar i Kosovës në momentin kur u nënshkrua në Bruksel dhe u ratifikua me shumicën e kërkuar prej dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 

Për vite me radhë, qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës e përdorën një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si shkak për të mos lëvizur përpara me Asociacionin/Bashkësinë, por edhe ai vendim i Gjykatës kërkon zbatimin e Marrëveshjes. 

Marrëveshja e Ohrit si kurë universale?

Ecuria e dobët e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, bashkë me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe krizën e përgjithshme në dialog, e kanë shtyrë BE-në të angazhohet në mënyrë më proaktive. 

Si kundërpërgjigje, Franca dhe Gjermania u bashkuan për ta propozuar një rrugë të re drejt normazilizimit dhe për ta sjellë dialogun në binarë. Pas shumë përpjekjeve për t’i bindur dhe ‘presioneve të forta’ ndaj Kurtit dhe Vuçiqit, marrëveshja u arrit – në shkurt të 2023-tës, palët e pranuan Marrëveshjen mbi Rrugën drejt Normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë (të njohur si Marrëveshja e Ohrit). 

Si reagim ndaj zhvillimeve negative gjeopolitike – me theks të veçantë luftën e Rusisë në Ukrainë – BE-ja dhe shtetet anëtare nxituan për ta siguruar një marrëveshje të re pa e trajtuar realitetin në terren. 

Në tentativën e tyre për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm, ata anashkaluan një çështje thelbësore: angazhimin e drejtpërdrejtë me komunitetin serb dhe inkurajimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje lokale. 

Kjo mundësi e humbur pati pasoja të menjëhershme. Dy muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, komuniteti serb i bojkotoi zgjedhjet, duke nxitur kështu një valë të re tensionesh. 

Kryeministri Kurti u përgjigj duke i dërguar Forcat Speciale, çka e përshkallëzoi edhe më shumë situatën. Kjo spirale trazirash kulmoi me arrestimin zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe dhe përfundimisht çoi te përplasja e dhunshme në Banjskë. 

Marrëveshja e Ohrit nuk ia del të japë rezultate 

Edhe pse Marrëveshja e Ohrit ishte vlerësuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, të dhënat për zbatimin e saj del të jenë më të dobëta sesa të Marrëveshjes së Brukselit. Marrëveshja kurrë nuk u nënshkrua, as ratifikua dhe bazohet në Marrëveshjen e Brukselit, duke këmbëngulur në integrimin e komunitetit serb në Kosovë me anë të një “niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit”, ndërsa për Kosovën prezanton elementë të rinj të njohjes de facto. 

Megjithatë, Qeveria e Kosovës akoma po refuzon të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, përkundër faktit se BE-ja e ka hartuar një Statut. Njëkohësisht, Serbia refuzon ta njohë de facto Kosovën dhe vazhdon t’i pengojë tentimet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. 

Më se dy vjet pas Marrëveshjes së Ohrit – dhe më se një dekadë nga Marrëveshja e Brukselit – çështja kryesore e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe mbetet e pazgjidhur. Edhe pse BE-ja mban qëndrim të fortë për Marrëveshjen e Ohrit, statusi ligjor i saj mund të vihet në dyshim, për shkak të faktit që as s’është nënshkruar, as ratifikuar kurrë, si dhe për shkak të moszbatimit të saj.  

Ndërkohë, me zhvendosjen e fokusit të BE-së drejt Ukrainës dhe shqetësimeve më të gjera gjeopolitike, procesi i normalizimit është anashkaluar. Bllokadat në Beograd dhe Prishtinë, të nxitura nga udhëheqësit e rrënjosur politikë, vazhdojnë ta pengojnë progresin. 

BE-ja, për ta ringjallur procesin e dialogut, duhet të dëshmojë angazhim më të fortë dhe të vazhdueshëm, mbështetur në një strategji të qartë e të orientuar kah rezultatet. Kjo përfshin ushtrimin e presionit të baraspeshuar ndaj të dyja palëve, ofrimin e stimujve konkretë për pajtueshmëri dhe të siguruarit se angazhimet e palëve do të pasohen me veprime të matshme. 

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.