Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Turneu i Antonio Kostas në Ballkanin Perëndimor shpërfaq gjashtë rrugë të ndryshme drejt BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, jep një konferencë për shtyp në Parlamentin e BE-së. Foto: Shutterstock.

Prej 13 deri më 16 maj, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Kosta, i vizitoi gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shënuar vizitën e tij të parë zyrtare në rajon që nga zgjedhja e tij në këtë pozitë, në dhjetor të 2024-tës. 

Vizita e tij ndodh në një moment kyç për politikën e zgjerimit të BE-së dhe shihet në masë të madhe si sinjal i angazhimit të ripërtërirë të Bashkimit Europian lidhur me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.  

Prania e Kostas në rajon nënvizon synimin e Brukselit për t’u riangazhuar me fqinjët juglindorë në mes të konkurrencës gjeopolitike gjithnjë e në rritje dhe debateve të vazhdueshme të brendshme të BE-së mbi reformën e zgjerimit. 

Mesazhi ishte i qartë: dera për t’u anëtarësuar në BE mbetet e hapur. Megjithatë, përparimi në terren është i pabarabartë – disa vende janë duke avancuar, kurse të tjerat kanë mbetur pas në reformat kyçe. Vizita e Kostas solli inkurajim, por gjithashtu vuri në pah ndarjet e forta dhe sfidat gjithandej Ballkanit Perëndimor.

Ndalesa e parë në Beograd në mes të trazirës më të madhe civile në dekada: topi është në fushën e Serbisë

Në kohën kur Serbia po ballafaqohet me krizë të thellë politike, me protestat disamujore të studentëve dhe qytetarëve, vizita e Kostas tërhoqi vëmendje të madhe. Ai u takua me presidentin Vuçiq dhe me përfaqësues të qeverisë e parlamentit.  

Ndryshe nga komisioneret Marta Kos dhe Kaja Kallas, të cilat i shprehën kritika të ashpra Vuçiqit për pjesëmarrjen e tij në festimet e Ditës së Fitores në Moskë, Kosta pati një qasje më të matur, duke theksuar se 80 vjet më vonë, çlirimi nga Lufta e Dytë e Botërore nuk mund të përkujtohet pa dënuar edhe pushtimin që aktualisht po ndodh. Kjo ishte kritikë e tërthortë për dështimin e Serbisë për t’u rreshtuar krah politikës së jashtme të BE-së për Rusinë. 

Kosta u takua me opozitën vetëm në Serbi, duke nënvizuar krizën politike që qeveria vazhdon ta mohojë. Kjo lëvizje përforcon kushtin e BE-së për hapjen e Kapitullit 3 me Serbinë: rishikimi i listës së votuesve dhe përmirësimi i standardeve elektorale. Gjithashtu, ai theksoi nevojën për përparim të prekshëm në reformat kundër korrupsionit dhe ligjit për media. Mesazhi i tij ishte i qartë: “Topi është në fushën e Serbisë.” Ky mesazh u interpretua nga analistët si paralajmërim dhe, me gjasë, rasti i fundit për udhëheqësinë e Serbisë që t’i përmbushë reformat e premtuara.

Nga njëra krizë te tjetra: ndalesa e dytë e Kostas në Sarajevë vë në pah procesin e ndërlikuar të anëtarësimit të Bosnjës

Kosta e vizitoi Sarajevën menjëherë pas Beogradit. Bosnjë-Hercegovina po ballafaqohet me tensione të rishfaqura etnike, pasi presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i dënuar dhe ndaluar për minimin e përfaqësuesit ndërkombëtar të paqes, e injoroi urdhërarrestin dhe përshkallëzoi veprimet separatiste, duke kërcënuar rendin kushtetues të vendit, gjë që u dënua nga faktori ndërkombëtar.  

Kosta u takua me anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës: Zeljka Cvijanoviq, Zeljko Komsiq dhe Denis Beçiroviq. Ai, në fjalimin e tij, dënoi tendencat separatiste dhe theksoi të ardhmen europiane të Bosnjës.  

Kosta paralajmëroi udhëheqësit se rrezikojnë ta humbin qasjen në fondet e Planit të Rritjes dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, të ndara nga Këshilli Europian në vitin 2024. Në këtë fazë, Bosnja po ballafaqohet me krizën më të madhe kushtetuese deri tani dhe rruga e saj drejt integrimit në BE mbetet e pasigurt. 

Ndalesa e tretë në Podgoricë përfundon me notë pozitive: Mali i Zi gati të bëhet anëtari i ri i BE-së 

Kosta vizitoi Podgoricën, ku mbizotëron atmosferë më pozitive. Në takimet me presidentin dhe kryeministrin, Jakov Milatoviq dhe Milojko Spajiq, e konfirmoi statusin e Malit të Zi si pretendent kryesor për anëtarësim. 

Më e rëndësishmja, ai e mirëpriti qëllimin zyrtar të Malit të Zi që deri në vitin 2028 të bëhet shteti i 28-të i BE-së. Ai theksoi se Mali i Zi duhet ta ruajë momentumin politik dhe stabilitetin institucional për ta përmbushur këtë objektiv ambicioz. Vërtet, Mali i Zi e ka mundësinë unike të shërbejë si shembull pozitiv i momentumit të ri të zgjerimit. 

Mali i Zi ka hapur të gjithë kapitujt (35 sosh) në negociatat me BE-në, teksa në dhjetor të 2024-tës i mbylli tre prej tyre, që në total e çon në 7 numrin e kapitujve të mbyllur. Për më shumë, Komisioni Europian (KE) ka filluar hartimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi, kësisoj duke dërguar mesazh kredibil për anëtarësim. Mesazhi ishte i qartë: me shumë gjasë, Mali i Zi do të jetë anëtari i ri i BE-së.

Asgjë e re në Prishtinë: mbizotëron status quo-ja

Ndalesa e radhës e Kostas, pas Podgoricës, ishte në Prishtinë, ku agjenda e tij nuk ishte gjithaq e ngarkuar – kryesisht sepse ai nuk u takua me kryeministrin Kurti, i cili u dorëhoq në vazhdën e zgjedhjeve të shkurtit 2025, dhe sepse momentalisht Kosova nuk ka qeveri funksionale. Marrëdhëniet e tensionuara të Kurtit me BE-në, gjithashtu, i kanë kontribuuar angazhimit të kufizuar. 

Nuk ka pasur përparim lidhur me anëtarësimin e Kosovës në BE. Përkundër aplikimit në vitin 2022, aplikacioni ka mbetur i paprekur dhe nuk është shfaqur ndonjë shenjë lëvizjeje. Kosova është akoma i vetmi vend i Ballkanit që nuk e ka statusin e kandidatit, teksa po ballafaqohet me krizë parlamentare dhe zgjedhje të mundshme të parakohshme. Masat kufizuese të ndërmarra ndaj saj në vitin 2023 akoma mbesin në fuqi. 

Kosta nuk solli asgjë të re në Prishtinë, përveç përsëritjes së mesazhit të zakonshëm: pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kosova nuk do të avancojë drejt anëtarësimit në BE. 

Bllokada në Shkup: A mund ta shndërrojë Kosta zhgënjimin në energji pozitive? 

Në Shkup, Kosta u takua me kryeministrin Kristijan Mickoski, presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe ministrin e Punëve Europiane, Orhan Murtezani. Kosta, aty, rikonfirmoi mesazhet që i kishte përçuar në kryeqytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor – dritarja e mundësisë është e hapur dhe Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë. Ai theksoi se zgjerimi është prioritet gjeostrategjik për BE-në dhe garantues i paqes dhe prosperitetit për vendin. 

Megjithëkëtë, duket se në mesin e forcave politike në Maqedoninë e Veriut nuk ka unitet dhe vullnet politik për t’i bërë ndryshimet kushtetuese në mënyrë që të hapen zyrtarisht negociatat për anëtarësim dhe organizim të konferencës së parë ndërqeveritare. 

Zhgënjimi e ka pllakosur shoqërinë në Maqedoni të Veriut dhe i ka prekur si individët, ashtu edhe komunitetet. Frustrimi është aq i thellë sa shndërrimi i tij në energji pozitive tani për tani duket pothuajse i pamundur. 

Tirana merr drejtimin, i bashkohet Malit të Zi si pretendente kryesore 

Kosta e përmbylli turneun e tij në Tiranë, ku mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian – që për të parën herë u organizua në një vend të Ballkanit Perëndimor. 

Organizimi i samitit tregon ambicien dhe suksesin diplomatik të Shqipërisë në vitet e fundit. Ajo jo vetëm që ka bërë përparim të ndjeshëm në diplomacinë e saj dhe hyrjen në BE, por gjithashtu e ka zëvendësuar Serbinë si pretendente kryesore.  

Në Tiranë, Kosta u takua me politikanin kryesor në Shqipëri, kryeministrin Edi Rama, i cili vetëm pak ditë më parë siguroi mandatin e tij të katërt në këtë pozitë, duke hapur rrugën për t’u bërë kryeministri që ka shërbyer më së gjati në historinë e Shqipërisë. 

Në konferencën pas takimit, Kosta përmendi se Shqipëria mund të anëtarësohet në BE edhe përpara 2030-s, nëse vazhdon me të njëjtin ritëm të reformave. Kjo, në thelb, nënkupton se Rama do të jetë në gjendje ta përmbushë premtimin e tij kryesor parazgjedhor: anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në fund të mandatit të tij të katërt. 

Dera e BE-së është e hapur për ata që duan të punojnë 

Vizita e Antonio Kostas në Ballkanin Perëndimor përforcoi interesin strategjik të BE-së për rajonin, por gjithashtu nxori në pah ritmin e ndryshëm të reformave dhe gatishmërisë politike në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Teksa Mali i Zi dhe Shqipëria dolën qartësisht si pretendentë kryesorë në rrugën drejt anëtarësimit, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, si dhe Maqedonia e Veriut, vazhdojnë të përballen me barriera të rëndësishme të brendshme dhe diplomatike. 

Turneu i Kostas erdhi si përkujtim në kohën e duhur se anëtarësimi në BE mbetet i arritshëm, por vetëm për ata që janë të gatshëm ta përputhin retorikën me reforma të vërteta dhe bashkëpunim rajonal.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.