Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Vuçiqi dhe SNS-ja nuk kanë më monopol: lavjerrësi politik në Serbi po lëkundet

Studentë dhe banorë protestues nga qytetet serbe mblidhen në Sheshin Slavia në Beograd, Serbi, më 28 qershor 2025. (Foto nga Maxim Konankov/NurPhoto nga Getty Images)

Gjatë verës, ka vazhduar paqëndrueshmëria politike në Serbi, me studentët serbë që, përkundër se janë përballur me dhunë policore dhe shantazh që dyshohet se janë orkestruar nga regjimi i SNS-së dhe presidentit Vuçiq, kanë demonstruar qëndresë dhe angazhim të fortë për ndryshim.

Më 28 qershor, për Vidovdan (Dita e Shën Vitusit), një festë e rëndësishme kombëtare dhe fetare serbe e lidhur me mitin e Kosovës, studentët organizuan protestë masive.

Teksa burimet qeveritare pretenduan se në protestë morën pjesë vetëm 40,000 njerëz, organizatorët vlerësuan se numri i pjesëmarrësve ishte përafërsisht 150,000. Bazuar në fotografitë dhe videot e disponueshme, nuk është e pasaktë të thuhet se numri i protestuesve nuk ishte më i vogël se 100,000, duke shënuar kështu protestën e tretë me radhë të studentëve në Beograd, me pjesëmarrje gjashtëshifrore të njerëzve.

Protestat e Vidovdan-it shënojnë një pikë kthese në Serbi, duke sfiduar regjimin e Vuçiqit, duke ekspozuar rënien e legjitimitetit të tij dhe duke hapur rrugën për një rilindje demokratike dhe ndryshim politik.

Simbolika e Vidovdan-it

Përveç rrënjëve të tij në Betejën e Kosovës më 1389, Vidovdan-i është përmendur përgjatë historisë serbe për të shënuar ngjarje të mëdha kombëtare dhe politike, përfshirë këtu atentatin e një serbi në Bosnjë ndaj princit të fronit Austro-Hungarez, Franz Ferdinandit, që nxiti Luftën e Parë Botërore, si dhe fjalimin famëkeq nacionalist të Sllobodan Millosheviqit të mbajtur në vitin 1989.

Megjithatë, protestuesit serbë nuk e zgjodhën këtë ditë për arsye nacionaliste, por më shumë si strategji simbolike që protesta t’i drejtohej gjithë popullit serb. Në serbisht, fjala Vidovdan është bashkëdyzim i fjalëve videti (të shohësh) dhe dan (dita), që mund të interpretohet gjithashtu si “dita e zbulimit.

Prandaj, në ditën e protestës, njerëzit kënduan në kor “Shihemi në Vidovdan”, shprehje kjo që mund të nënkuptojë ditën e gjykimit për regjimin.

Për më shumë, duke përdorur simbolikën e Vidovdan-it, protestuesit kishin si cak Vuçiqin dhe regjimin e SNS-së, të cilët gjithnjë e kanë përdorur patriotizmin si mekanizëm mbrojtës kundër çdokujt që ka sfiduar udhëheqjen e tyre, duke u vënë etiketën e tradhtarëve opozitës, shoqërisë civile dhe mediave, si dhe protestuesve, së fundmi, etiketën e terroristëve që po kërkojnë ta rrëzojnë qeverinë.

Mesazhet kryesore nga protesta e Vidovdan-it

Protesta e 28 qershorit u përqendrua në tri mesazhe kryesore. Së pari, studentët i bënë thirrje për bashkim tërë kombit, duke shpallur formimin e një lëvizjeje kombëtare politike me qëllim të trajtimit të thellimit të krizës në vend.

Së dyti, ata kërkuan zgjedhje të parakohshme, duke i paraqitur ato si zgjidhjen e vetme të mundshme për të thyer bllokadën e vazhdueshme politike dhe për ta rikthyer legjitimitetin demokratik.

Së treti, protestuesit bënë thirrje për largimin e kampit të tendave para Zyrës së Presidentit, që është ngritur nga të ashtuquajturit “studentët që duan të studiojnë.” Megjithatë, këta individë në masë të madhe u perceptuan se kanë lidhje të ngushta me SNS-në.

Këto kërkesa u dorëzuan si ultimatum për Qeverinë, por presidenti Vuçiq i refuzoi fuqishëm, me shpërfillje ndaj thirrjeve të protestuesve dhe duke mbajtur qëndrimin e tij të palëkundur kundër lëvizjes së tyre.

Refuzimi i ultimatumit nga Vuçiqi i hap rrugë mosbindjes civile

Refuzimi i ultimatumit i çoi protestuesit te miratimi i një strategjie më të ashpër: mosbindjes civile. Të nesërmen, qytetarët spontanisht u mblodhën në rrugë për ta bllokuar qarkullimin, duke përdorur shporta të mbeturinave, kontejnerë dhe rrethoja të ndërtimtarisë për krijimin e barrikadave. Deri në orët e vona të mbrëmjes, në gjithë Serbinë u krijuan më shumë se 90 barrikada, e 40 prej tyre vetëm në Beograd.

Të hënën, Qeveria dërgoi forca të shumta policore për t’i shkatërruar barrikadat, por protestuesit ndërruan taktikën. Në vend se të konfrontoheshin me policinë e të rrezikonin të lëndoheshin a arrestoheshin, ata vendosën që paqësisht të tërhiqeshin dhe të ktheheshin kur të largohej policia. Në disa raste, kur policia kishte arritur, ata ishin zhvendosur dhe kishin bllokuar rrugët e tjera.

Mbi 200 aksione lokale u realizuan brenda 24 orëve, përfshirë bllokadat e rrugës rajonale drejt pikëkalimit kufitar Sid me Kroacinë dhe hekurudhës ndërkombëtare Beograd-Bar. Në Zemun, rruga kryesore mbeti e barrikaduar për më shumë se 24 orë. Vendasit tashmë atë kishin filluar ta quanin “Rruga e Lirisë.”

Qëllimi kryesor është mbingarkimi i policisë, pasi Qeveria nuk ka kapacitet për shkatërrimin e barrikadave njëkohësisht në qindra lokacione në gjithë Serbinë. Deri tani, kjo strategji është treguar efektive, pasi policia nuk ia ka dalë t’i largojë bllokadat.

A po ndodh ndryshimi i pushtetit në Serbi?

Pjesëmarrja e madhe në rrugët e Beogradit gjatë dhe pas protestave të Vidovdan-it tregon se po rritet humbja e legjitimitetit të Qeverisë. Shumë njerëz tashmë u referohen autoriteteve si “forca okupuese.” Shtypja ka rezultuar kundërproduktive dhe ka tërhequr më shumë vëmendje ndaj trazirave.

Në ditët pasuese, mbi 100 studentë dhe aktivistë u arrestuan me akuza që varionin nga nxitja e trazirave te përpjekja për rrëzimin e rendit kushtetues – shenja të qarta të kthesës autoritare të Qeverisë. Megjithëkëtë, të ndaluarit buzëqeshnin teksa po shoqëroheshin nga policia, inkurajoheshin nga mbështetësit dhe arrestimin e tyre e shihnin si shenjë të nderit.

Qeveria ka hyrë në një spirale ku, çkado që ajo bën, vetëm sa i motivon më shumë protestuesit. Si rezultat i kësaj, lavjerrësi politik duket se po anon kah studentët, të cilët po shenjojnë daljen e forcave të reja politike dhe ndryshimin e mundshëm të pushtetit. 

Zgjedhjet e parakohshme duket se janë të paevitueshme, si e vetmja rrugë për tejkalimin e krizës politike. Megjithatë, vendimi i takon Vuçiqit, i cili duket se po i shtyn ato për ta dobësuar momentumin e protestës. Edhe atëherë, fitorja e lëvizjes studentore nuk do të ishte e sigurt, varësisht prej faktorëve, siç janë: mbikëqyrja ndërkombëtare, zgjedhjet e drejta dhe bashkimi i opozitës.

Një gjë është e qartë: lufta politike në Serbi po intensifikohet, me shenjat gjithnjë e në rritje të ndryshimit të balancës së pushtetit, duke krijuar terrenin për ndryshime në të ardhmen.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.