Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Arrestimi, ndalimi dhe pranimi i fajësisë i Igor Popoviqit: fiasko për diplomacinë serbe

Igor Popoviq pranon fajësinë për vepër penale në Kosovë. Burimi i fotos: TRT Balkan

Më 18 korrik, Policia e Kosovës arrestoi Igor Popoviqin, ish-zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovë e Metohi (zyra e Qeverisë së Serbisë, përgjegjëse për dialogun me Prishtinën, të lehtësuar nga BE-ja), nën akuzën për nxitje të urrejtjes etnike, pasi ai i ishte referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste.  

Kjo nuk është hera e parë që arrestohet një zyrtar i Serbisë. Më 2018, Marko Gjuriq, asokohe drejtor i Zyrës, ishte arrestuar për hyrje ilegale në Kosovë.

Arrestime të këtilla janë të rralla. Dallimi kryesor është se Gjuriqi u lirua menjëherë, kurse Popoviqi u ndalua për 30 ditë, gjë që pasqyron peshën e veprës për të cilën akuzohet dhe marrëdhëniet e tensionuara në mes të Beogradit dhe Prishtinës. 

Sipas të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht Konventës së Vjenës të vitit 1961, arrestimi i zyrtarëve të huaj është i ndaluar, dhe shtetet pritëse janë të obliguara të garantojnë sigurinë e zyrtarëve të tillë. Megjithatë, meqë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, ajo nuk ka kërkuar imunitet diplomatik për zyrtarët e saj. 

Ndonëse ekziston kjo normë, ka pasur shkelje të dukshme, ku zyrtarë të mbrojtur me imunitet janë arrestuar ose ndaluar: Kriza e Pengjeve në Iran (1979-‘81), kur mbi 50 diplomatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u mbajtën peng; arrestimi i një diplomati bjellorus në Moskë në vitet ‘90, i liruar pas protestës së Minskut; dhe ndalimi i paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara nga serbët e Bosnjës në vitin 1995, që u ndalua pas presionit ndërkombëtar. 

Shumica e këtyre incidenteve ndodhën në vende që po përjetonin konflikte të rënda ose kriza politike. 

Megjithatë, Popoviqi nuk ishte as diplomat i akredituar, meqë Serbia nuk e njeh Kosovën, e as zyrtar i lartë sipas Marrëveshjes së vitit 2014 për Vizitat Zyrtare. Marrëveshja zbatohet vetëm për udhëheqësit e lartë politikë, ministrat, deputetët e parlamentit, udhëheqësit e zyrave dhe agjencive qeveritare, zyrtarët e lartë juridikë, prokurorët, si dhe prijësit fetarë. 

Si zëvendësdrejtor i një zyre qeveritare, Popoviqi nuk është pjesë e kësaj liste. Kështu, ai, edhe pse është zyrtar publik sipas ligjit serb, në Kosovë u trajtua si çdo qytetar i huaj dhe iu nënshtrua rregullave vendore. 

Për më tepër, Serbia dhe Kosova nuk i njohin gjykatat e njëra-tjetrës, e megjithatë rasti i Popoviqit mund ta sfidojë këtë gjë. Ai nuk i kontestoi akuzat me argumentin e lirisë së shprehjes dhe arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku e pranoi fajin. Ai u gjobit me €3,000, u dëbua dhe iu ndalua për dy vjet hyrja në Kosovë.

Një pyetje e rëndësishme është se a krijon kjo precedent për të ardhmen. Mund të supozohet se kur një zyrtar publik serb paraqitet para një gjykate të Kosovës dhe nënshkruan marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin e Kosovës, kjo mund të ndikojë qëndrimin zyrtar të Beogradit për sistemin gjyqësor të Kosovës. Megjithëkëtë, këtë herë nuk u krijua asnjë precedent. 

Ministria e Drejtësisë e Serbisë deklaroi se marrëveshja për pranimin e fajësisë nga Popoviqi nuk ka asnjë efekt ligjor në Serbi, duke pretenduar se ai ishte detyruar ta pranonte fajësinë nën presion dhe se ishin shkelur të drejtat e tij. 

Megjithatë, pamjet me video të verdiktit e tregojnë ndryshe ngjarjen. Kur pyetet nga një gjykatës i Kosovës nëse ndihej i detyruar ta pranonte fajësinë, Popoviqi përgjigjet se jo. Pavarësisht kësaj, kur u kthye në Serbi, ai e mohoi pranimin e fajësisë, duke deklaruar se “nuk ka marrëveshje me drejtësinë e Kurtit.

Arrestimi, ndalimi dhe trajtimi i rastit të Igor Popoviqit kanë sjellë kosto të lartë për Serbinë, duke dëmtuar imazhin dhe kredibilitetin e saj. 

Për ta komplikuar çështjen, gjatë kohës sa Popoviqi po mbahej në paraburgim në Kosovë, TV Dukagjini publikoi dëshmi se dyshohet që në emër të Agjencisë Serbe të Informatave dhe Sigurisë (BIA), ai kishte incizuar fshehurazi takimet e mbyllura me zyrtarë të BE-së. Publikimi i incizimeve në kohë të arrestimit të tij e vendosi Serbinë në pozicion të vështirë, minoi pozicionin e Popoviqit dhe mund të ketë ndikuar vendimin e tij për pranim të fajësisë. 

Me krizën e vazhdueshme politike dhe trazirat qytetare në Serbi, skandali i incizimit në Bruksel mund t’i tensionojë edhe më tej marrëdhëniet me BE-në. Veprime të tilla janë të paprecedentë në diplomacinë moderne europiane. 

Ky incident ka dëmtuar edhe më shumë besimin midis shërbimit diplomatik të BE-së dhe Qeverisë së Serbisë, si dhe ka thelluar mosbesimin ekzistues brenda Këshillit të BE-së, i cili ka bllokuar negociatat për anëtarësimin e Serbisë në kapitullin 3, që nga viti 2021. 

Me marrëdhëniet tashmë të tensionuara dhe negociatat e bllokuara, skandali mund ta shtyjë BE-në të mbajë qëndrim më të fortë karshi qeverisë së Vuçiqit dhe të bashkëpunojë më shumë me opozitën.  

Shumëkush ka bërë thirrje që Brukseli të mos e vazhdojë qasjen e zakonshme “biznes si zakonisht”, dhe ky varg i krizave vendore dhe diplomatike mund të jetë pikë kthese në marrëdhëniet BE-Serbi. 

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.