Kur pati ardhur në pushtet, Albin Kurti pati premtuar “zhdukjen e varfërisë ekstreme” në Kosovë. Ky objektiv mbetet shumë larg realizimit. Vendi ende nuk është këndellur nga pasojat e pandemisë COVID-19, inflacioni është i lartë, çmimet po rriten, fuqia blerëse po bie, ndërsa Kosova po ballafaqohet tashmë edhe me reduktimet e energjisë elektrike.
Pesë vjet më vonë, Albin Kurti e përkufizoi qeverisjen e tij pesëvjeçare me katër elemente kryesore: “Ushtri, veri, nëna edhe fëmijë.” Ky modeli qeverisës, i bazuar kryesisht në çështjet e sigurisë dhe skemave sociale, u hodh në pah në prag të zgjedhjeve të parakohshme në fund të vitit 2025.
Më 7 tetor, katër ditë para zgjedhjeve lokale, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit vendosi të ndajë nga 100 euro për studentët, disa prej të cilëve pranuan paratë më 25 dhjetor, vetëm tri ditë para zgjedhjeve. Ndërsa, njoftimi për 100 euro për fëmijët dhe pensionistët u dha më 24 dhjetor nga vetë Albin Kurti.
Ndonëse këto vendime kanë efekt psikologjik elektoral dhe ndikojnë në procesin zgjedhor për të fituar mbështetje dhe paqe sociale, ato në realitet nuk janë politika sociale e ekonomike, por thjesht procedura të transaksioneve bankare, të cilat do të kenë pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit.
Vendime kundërproduktive
Problemi i shtesave të njëhershme nga 100 euro krijon edhe varësi financiare të familjeve kosovare në raport me shtetin. Modeli i Lëvizjes Vetëvendosje vetëm sa do ta thellojë krizën socio-ekonomike në vend. Këtë e tregojnë vetë statistikat e pushtetit.
Më 2 mars 2024, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, pati deklaruar se 61,069 familje të cenueshme do të përfitojnë nga subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.
Më 25 dhjetor 2025, numri i familjeve të cenueshme ka shkuar në mbi 90 mijë – pra, numri i familjeve të cenueshme për tejkalimin e krizës energjetike është rritur në gati rreth 50%.
Vendime me defekte juridike
Pos ndikimit dhe përfitimit elektoral, si dhe mbështetjes simbolike për familjet e varfra, këto vendime kanë defekte juridike. Ndonëse ekziston infrastruktura ligjore për skemat e rregullta sociale, shtesat e njëhershme me nga 100 euro nuk rregullohen me ligj.
Me fjalë të tjera, nuk ka një planifikim buxhetor dhe, në mungesë të rregullimit ligjor, ato mund të manipulohen dhe të shpërndahen varësisht kur i konvenon pushtetit, siç edhe ndodhi në prag të zgjedhjeve.
Modeli i Lëvizjes Vetëvendosje proklamon drejtësi sociale përmes politikave progresiste, të cilat rregullohen me ligj, por praktikisht ky model po shpërfillet nga vetë kjo parti, duke dhënë shtesa të herëpashershme pa i rregulluar me ligj.
Më pak investime, më shumë pasivitet
Rishpërndarja e të mirave publike për të gjithë nuk duhet lidhet me para të gatshme, por me përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e investimeve kapitale.
Kur buxheti është i ngarkuar me shumë skema sociale, kjo përkthehet në më pak investime kapitale dhe pasivitet të tregut të punës. Mungesa e investimeve rezulton në ulje të shërbimeve publike, si: arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura e përgjithshme.
Për më shumë, krijohet hapësirë për keqpërdorime. Vetë MFPT-ja kishte ngritur dyshime se disa mërgimtarë po i marrin shtesat njëjtë sikur qytetarët rezidentë, duke dëmtuar buxhetin e vendit.
Skemat sociale pa harmonizim politikash kanë pasoja afatgjate. Për shembull, Komisioni Europian, duke cituar organizatat për të drejtat e grave, kishte thënë se shtesat e Qeverisë për gratë e papunësuara lehona mund të stimulojnë ato të mos kyçen në tregun e punës.
Jo vetëm gratë, por edhe kategoritë e tjera shoqërore që ndihmohen rregullisht nga shteti, krijojnë pasivitet pune, si dhe ndikojnë në nivelin e ulët të produktivitetit të ekonomisë kombëtare. Kjo përkthehet në menaxhim të varfërisë dhe jo luftim të saj.
Kosova ka nevojë për strategji ekonomike, punë dhe investime
Kosovës i mungon një strategji e qëndrueshme zhvillimore. Shpërndarja e parave te qytetarët mund ta zbusë përkohësisht presionin social, por ato nuk krijojnë vende pune, nuk rrisin produktivitetin dhe as nuk forcojnë shërbimet publike.
Pa një kornizë të qartë ligjore, planifikim buxhetor afatgjatë dhe harmonizim me politikat e tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik, skemat sociale rrezikojnë të shndërrohen në instrumente të menaxhimit elektoral, e jo në mekanizma të drejtësisë sociale.
Nëse Kosova synon të kalojë nga menaxhimi i varfërisë drejt tejkalimit të saj, fokusi duhet të zhvendoset nga ndihmat afatshkurtra drejt investimeve të qëndrueshme në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, politika këto që fuqizojnë qytetarët, dhe s’i bëjnë ata të varur nga shteti.






























































