Ndryshimet e fundit në Ligjin për Shtetësinë kanë nxitur debat dhe reagime të shumta të cilat u bënë edhe në kontekst të fushatës elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit. Temat si raportet me Serbinë dhe çështja e komuniteteve joshumicë, që mes tjerash i trajton ky ligj, po përdoren si pjesë e diskursit politik.
Pretendimet e ngritura janë se ndryshimet e propozuara nga Qeveria e Kosovës i hapin rrugë “kolonizimit” nga ana e serbëve dhe se prapa kësaj ekziston një “marrëveshje sekrete” ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vučić. Deri tash nuk është publikuar ndonjë dokument, marrëveshje apo provë konkrete që e mbështet këtë pretendim. Po ashtu, në dispozitat ligjore të publikuara nuk ekziston ndonjë nen që garanton automatikisht shtetësi mbi baza etnike apo që përjashton kriteret ekzistuese ligjore për aplikuesit.
Baza ligjore që mundëson fitimin apo rifitimin e shtetësisë nuk është e re. Ligji për shtetësinë ka ekzistuar edhe më herët dhe mbështetet në Kushtetutën e Kosovës.
” 2. Republika e Kosovës ua njeh të drejtën në shtetësinë e Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën 1 janar 1998, dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë”, shkruan në nenin 155 të Kushtetutës.
Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, i propozuar nga Qeveria e Kosovës u miratua në Kuvend më 20 qershor 2025. Ligji kaloi me 69 vota për, asnjë abstenim dhe 2 vota kundër. Pro tij votuan deputetë të shumicës dhe disa ligjvënës nga Lista Serbe. Gjatë debatit parlamentar pati kundërshtime nga partitë opozitare, të cilat ngritën shqetësime për përmbajtjen dhe pasojat e mundshme të ligjit. Opozita nuk mori pjesë fare në votim.
Çfarë ndryshoi me ligjin e ri?
Ndryshimet në Ligj, sipas qeverisë, u bënë për lehtësimin e procedurës së rifitimit të shtetësisë për qytetarët nga diaspora që më herët kishin hequr dorë nga shtetësia e Kosovës për arsye administrative ose për shkak të legjislacionit të shteteve ku jetojnë. Ndryshe nga ligji i mëparshëm, i cili kërkonte një numër më të madh dokumentesh dhe parashihte procedura më të gjata shqyrtimi, ligji i ri redukton barrën administrative për aplikuesit.
Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave për rifitimin e shtetësisë, veçanërisht për mërgatën që në të kaluarën kishte hequr dorë nga shtetësia e Kosovës për arsye administrative apo për shkak të legjislacionit të shteteve ku jetojnë, ndërsa një nga risitë kryesore të ligjit të ri është mundësia e rifitimit të shtetësisë përmes procedurave më të thjeshtuara krahasuar me ligjin paraprak. Në ligjin e ri është larguar neni që përcaktonte se kriteret për marrjen e shtetësisë vendosen sipas një rregulloreje të UNMIK-ut. E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi se kriteret, ashtu siç përcaktohet edhe me ligjin e ri, do të specifikohen me akte nënligjore, të cilat ende nuk janë nxjerrë nga ekzekutivi.
Pretendimet për “kolonizim” dhe marrëveshje të fshehtë
Sipas opozitës, ligji u miratua me qëllimin që serbëve tu mundësohet rikthimi në masë në Kosovë. E, narrativa kryesore e Qeverisë është se ndryshimet synojnë ruajtjen e lidhjes së diasporës me Kosovën dhe lehtësimin e procedurave administrative për mërgimtarët.
Zyrtarë të PDK-së thanë se “Albin Kurti po i aplikon politikat e Çubrilloviqit për kolonializim me serbë dhe zbrazje nga shqiptarët”, kurse ata të LDK-së deklaruan se, “kjo e shkatërron të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”. Madje u ngritën pretendime se parashikohet të regjistrohen 200 mijë serbë në Kosovë, duke e shfrytëzuar ligjin për shtetësinë.
Eksponentë të partisë në pushtet reaguan ndaj deklaratave të opozitës duke thënë se ligjin e kanë miratuar partitë që kanë qeverisur në të kaluarën.
Prema Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveҫla, ndryshimet e thjeshtësojnë procedurën e aplikimit duke ulur numrin e dokumenteve të kërkuara dhe duke e shkurtuar afatin e shqyrtimit të kërkesave. Një nga lehtësirat është edhe aplikimi online përmes platformës e-Kosova.
Narrtiva kundërthënëse rreth ligjit për shtetësinë u promovuan edhe në rrjetet sociale. U rikthye edhe një deklaratë e kryeministrit Kurti e dhënë më 1 Maj 2016, i cili me tjerash pati deklaruar se “serbët duhet të kthehen në pronat e tyre”. Kjo u interpretua si dëshmi se partia në pushtet i bëri ndryshimet në funksion të kësaj politike. Postime të tilla nxitën reagime dhe mllef tek komentuesit në rrjete sociale.
Shifrat e serbëve të larguar dhe atyre që u rikthyen
Largimi dhe kthimi i serbëve në Kosovë është ngritur vazhdimisht si temë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Sipas të dhënave të UNHCR-it dhe organizatave ndërkombëtare, pas vitit 1999 nga Kosova janë larguar rreth 230 mijë serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera jo-shqiptare.
E sipas shifrave të publikuara nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Kosovës (MKK), nga viti 2000 deri në vitin 2025 në Kosovë janë kthyer rreth 29 mijë e 476 persona nga komunitetet joshumicë, prej tyre rreth 12 mijë e 863 serbë.
Shifrat e sakta për numrin e qytetarëve serb në Kosovë mungojnë edhe për shkak se ky komunitet në masë të madhe nuk iu përgjigj regjistrimit të popullsisë. Sipas raporteve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), në disa procese të regjistrimit dhe pjesëmarrjes institucionale pati mos-pjesëmarrje të pjesëtarëve të komunitetit serb, për shkak të thirrjeve për bojkot në periudha të caktuara.
Kjo u reflektua edhe në procesin e fundit të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ku pjesëmarrja në disa zona me shumicë serbe, veçanërisht në veri, ishte e kufizuar.
































































