Në zgjedhjet e fundit nacionale VV befas pati një rritje të jashtëzakonshme dhe doli partia (jo koalicioni) e parë në vend. Ky sukses përveç që ishte një reaksion qytetar ndaj gjendjes së vështirë ekonomike e politike të vendit, ishte po ashtu një shans i dhënë VV-së për shkak të fushatës së moderuar si në aspektin teknik të realizimit të saj (e kam fjalën për skenat moderne e skenarët e mirëpërgatitur), po ashtu edhe në aspektin politik ku Kurti refuzonte të fliste për Serbinë ndërkohë që kërkonte që pyetjet t’i drejtoheshin për shëndetësi e arsim.
Programi i paraqitur kryesisht social-demokrat me elemente socialiste, siç ishin idetë për Bankën Bujqësore e Fondin Sovran, në anën tjetër paraqitja e bukur skenikisht, e moderuar konceptualisht, rehabilitoi aversionin e shumë votuesve të papërcaktuar dhe ua krijoi terrenin atyre për ta votuar VV-në. VV fitoi.
Por në zgjedhjet lokale dhjetëra mijëra votat e fituara i humbi dhe dyshimet e të papërcaktuarve u rikthyen për VV-në.
Si një ish aktivist i saj, i kyçur dikur në strukturat e saj dhe i përfshirë në themelimin e një pjese të saj, konsideroj se janë 3 shkaqe kryesore që sollën këtë rezultat të dobët në krahasim me potencialin që VV tregoi në zgjedhjet nacionale.
1. Ishte goditja me grusht që deputeti i VV-së, Krasniqi, i bëri deputetit tjetër Zeka. Më keq se kaq ishte reagimi i vagullt i VV-së për këtë çështje, duke mos marrë asnjë masë ndaj tij. Grushti nga sa shihet, më tepër se Zekën ka goditur vetë VV-në. Mund të fitosh përkrahje e rrahje krahësh për “heroizma” të tillë, por votën e qytetarëve të papërcaktuar, që në Kosovë përbëjnë shumicën, përveçse nuk e merr, e shndërron në agjent të rëndësishëm kundërshtar.
2. Struktura e VV-së që u themelua në kohën kur unë isha aktivist 2009-2012, ishte një strukturë që u ideua nga ish-sekretari organizativ Molliqaj. Pak a shumë ishte një imitim i strukturave të LDK-së me shtrirje të qartë vertikale: qendra-qyteti, pika-fshati/lagjja. Diçka ndryshe nga struktura e njohur e LDK-së (dega, nëndega) ishte demokracia e drejtëpërdrejtë. VV-ja megjithatë e ka kuptuar që demokracia e drejtëpërdrejtë nuk ecën në ambiente njerëzish me arsimim të dobët, por kjo ndodhi me vonesë dhe në fakt siç dihet nga sa është raportuar në media, centralizmi i shtuar nuk qe rezultat i ndonjë reflektimi, por më tepër tentim përqendrimi i pushtetit nga persona të caktuar.
Kjo strukturë dhe shtabet zgjedhore që ka udhëhequr ish-sekretari Molliqaj, nuk kanë sjellë ndonjëherë rezultate të mira për VV-në. Varfëria e tij teorike në organizimin bashkëkohor nuk ishte në përputhje me alternativën që mëtonte të ishte VV-ja. Kjo diskrepancë ashtu si edhe fokusimi i tij në fuqizimin e favoritëve të vet brenda strukturës, është përcjellë siç duket me pakënaqësi që sidomos në zgjedhje lokale reflektohej mjaft keq për VV-në.
Pas një sërë dështimesh të demokracisë (rezultatet zgjedhore në ShBA, rritja e së djathtës ekstreme dhe populistëve e demagogëve në botë e posaçërisht në Evropë), është legjitimuar një debat për të sesi duhet të duket ajo, si mund të mbyllen hapësirat që ka dhe si duhet të përmirësohet demokracia si praktikë. Një rikthim te Platoni, jo aq si refuzim total i demokracisë sesa si një kombinim me të, s’do t’i bënte keq asnjë entiteti politik të organizuar. Një centralizëm rreth filozofit (pra më të mirit nga të diturit) që drejton me drejtësi e mirësi, por i legjitimuar në zgjedhje, do të jepte rezultate shumë më të mira sesa një demokraci e rrejshme e udhëhequr nga shtresa mediokre e burokratëve dhe teknikëve të dijes praktike që hiqen si intelektualë.
3. Është nepotizmi. Kosovari i sotëm ende nuk po mund të sillet si qytetar karshi republikës, kur është në pyetje interesi i “klanit” të tij fisnor. Në të gjitha zgjedhjet lokale është dëshmuar tashmë se nepotizmi në votim është dukuri. Shtrojani pyetjen cilitdo në Kosovë dhe pyeteni nëse do ta merrte në konsideratë të votonte kundër vëllait, motrës, axhës apo ndonjë tjetri nga familja, le të themi e ngushtë, për ndonjë arsye politike a programore. Shtrojani këtë pyetje edhe vetes. Sistemi me lista të hapura në një vend me arsim të shkatërruar ka prodhuar veç marrëdhënie nepotike dhe është fort larg asaj që ka synuar: llogaridhënies e transparencës.
VV-së dhe të gjitha partive u duhet reformë e thellë. U duhet koncepti i dorëheqjes pas dështimeve dhe llogaridhënies brenda partisë. Çlirimi nga emra të përveçëm e drejtime politike të papërshtatshme me ambientin dhe kohën. U duhen struktura që drejtohen nga njerëz të mençur e të ndershëm që udhëheqin me drejtësi e mirësi. Ky do të ishte dimensioni emancipues që në fakt ata nuk e luajtën asnjëherë. Në të kundërt, përherë do të jenë të ligjshëm, por jo legjitim, me më pak se gjysmën e votuesve në zgjedhje.