Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Lidhjet e reja mekanike: Humbja e romancës

 

Natyrisht, e ka më shumë se një problem.

Ne jo vetëm që po i bartim dhe po i trashëgojmë shumë probleme botërore si marrëdhëniet e tendosura ndërkombëtare, ndryshimet klimatike, degradimi i mjedisit, pabarazia ekonomike, varfëria dhe terrorizmi global.

Por po përballemi edhe me disa sfida të tjera themelore që lidhen me natyrën e jetës tonë personale, si një gjeneratë që lëvizë nëpër botë. Si të tillë ne po prijmë në formimin e normave të reja shoqërore në kontekst të mardhënieve personale, dashurisë, lidhjeve romantike dhe krijimit të familjes me karakter global.

Përderisa në të kaluarën njerëzit kanë lindur, jetuar dhe vdekur jo shumë larg prej vendlindjes, ne sot rritemi, biem në dashuri dhe krijojmë shtëpi në vende e shtete të ndryshme, e nganjëherë edhe kontinente të ndryshme.

Ky lloj globalizimi i jetës ka ndikuar fuqishëm edhe në jetën time të nisur në Prishtinë të Kosovës, të vazhduar më pas në Blagovgrad të Bullgarisë dhe në Boston të Amerikës për studime pasuniversitare. Të njëjtin ndikim e vërej edhe te rrethi im i ngushtë shoqëror.

Shumica e shoqeve dhe shokëve të mi nga ditët universitare jetojnë jashtë vendlindjes së tyre, shumë prej tyre e flasin më shumë se një gjuhë dhe nuk është se janë duke planifikuar të “rehatohen” në vendin ku kanë lindur, ose në vendin ku ndodhen aktualisht.

Gjithashtu, shumica e këtyre të rinjëve janë në krijim e sipër të një familje multikulturore, ku fëmijët do të flasin paralelisht rrjedhshëm dy gjuhë prej moshës parashkollore, ku bisedat do të jenë më të larmishme, gjërat do të diskutohen nga më shumë këndvështrime, e rrallë do të kornizohen bardhë e zi.

Natyrisht, fjala këtu është për një grup mjaft uniform të përbërë nga të rinj të edukuar e ambiciozë të cilët kanë përfunduar, ose janë duke përfunduar një nivel më të lartë të arsimit dhe/ose punojnë në punë e tregje konkurruese.

Mirëpo, para se të krijohet kjo familje multi-kulturore dhe para se këta të rinjë të arijjnë të shijojnë të bukurat e të pasurit fëmijë poliglot apo melez, ata duhet të navigojnë një botë ku zemrat thyhen, njerëzit përshtaten e vendimet emocionale për të cilat nuk kanë mësuar shumë në shkollë duhet të merren. Për më tepër, duhet të navigojnë një botë ku tendenca për ta mekanizuar ndjenjën e dashurisë, është bërë normë e pranueshme, nëse jo e kërkuar shoqërore – gjë që padyshim është në proporcion të zhdrejtë me prezencën e romancës.

Është interesante që të shtjellohen rrënjët e evoluimit të këtyre trendeve që fillojnë në vitet universitare, ku lidhjet romantike kalojnë nëpër një periudhë formative të pjekurisë emocionale. Shpesh vendimet e rëndësishme që merren në këtë periudhë janë të lidhura në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose të tërthortë me lidhjet romantike që bëhen sinonim i asaj që e nënkuptojmë me dashurinë.

Kjo dinamikë e marrëdhënieve personale fillon të ndryshojë dukshëm në jetën pasuniversitare, duke iu nënshtruar presioneve të ndryshme shoqërore, familjare, karrierës, e tregut të punës — zgjedhje të cilat imponojnë distancën fizike, kohën dhe sfidat tjera që i testojnë lidhjet afatgjate të krijuara gjatë viteve të hershme. Njëkohësisht, këto zgjedhje çojnë deri te mekanizimi i ndjenjës së dashurisë – asaj ndjenje të fortë e të pastër, e cila në kulminacionet e saja ka krijuar vepra më të bukura në fushën e artit, qofshin ato këngë, poezi, piktura, vallëzime apo tregime.

Natyrisht, peripeci të tilla jetësore gjatë këtyre viteve krijojnë dilema të thella personale. Gjatë marrjes të këtyre vendimeve, të rinjtë duhet ta vlerësojnë rëndësinë e marëdhënies dhe mundësinë e për mbijetesën e saj në kohë dhe distancë. Duhet të bëjnë diçka të çuditshme si analizat mbi kostot dhe përfitimet e ndjenjave të tyre, që të kuptojnë nëse ajo çfarë duhet të investojnë në një marrëdhënie do të sjellë më shumë përfitime se ajo prej të cilës duhet të heqin dorë.

Dhe në rastet kur numrat nuk përputhen dhe kur rezultati nuk është i kënaqshëm, ata përballen me faktin se personi të cilin e kanë parë si partner të mundshëm të jetës, një ditë do ta kalojë jetën me dikë tjetër. E unë e di nga përvoja se kjo është një e vërtetë që përbihet me vështirësi – edhe në ato raste kur jeta të sjellë në vende interesante dhe në punë që të japin kënaqësi.

Nëse e pyesni një çift, i cili përkundër të gjitha sfidave ka vendosur ta mbajë lidhjen në distancë, se kur njëri prej tyre do të lëvizë tek tjetri, e keni të garantuar se do e largoni shëndritjen prej fytyrave të tyre brenda disa sekondash. Të jeni të bindur se ata e kanë anashkaluar apo e kanë diskutuar këtë pyetje shumë herë – gjë që e bën hapjen e këtij diskutimi të padurueshëm dhe të padëshiruar.

Mos prezenca fizike e atij/asaj që të zgjon emocione, krijon shumë dyshime dhe nevojë për siguri në një lidhje romantike, gjë që në disa raste rezulton edhe në shprehje të tepruara të kësaj dashurie kros-platformash, në rrjete sociale përmes fotove, poezive e fjalëve përkëdhelëse, për t’i dëshmuar kështu, ndonjëherë më shumë rrethit shoqëror sesa vetëvetes, se ata janë vërtetë një çift.

Ndryshe, shprehja publike e dashurisë mund t’ju vijë me më shumë zor në jetë reale, gjëra këto që shpesh shpijnë në lidhje romantike të shtrembëruara, që sjellin më shumë stres sesa rehati dhe siguri dhe që i mbajnë çiftet, vërtet të dashuruara, shumë të rezervuara ndaj njëri-tjetrit.

Nga egoistë në viktima

Gjatë studimeve, besoja se fajtori kryesor për vështirësitë në lidhjet romantike ishte ndërkombëtarizimi i jetës, si dhe një lloj egoizmi i ushqyer prej një kulture individualiste në ndjekje të mundësive të reja dhe joshëse. Megjithatë, me kalimin gradual nga jeta universitare në jetë reale, kuptova se ka faktorë të jashtëm mbi të cilët kemi pak kontroll dhe të cilët mund ta thyejnë ose t’i vëjnë një taksë të lartë një lidhje romantike.

Këta faktorë të jashtëm janë më të rreptë, të pafalshëm, më misterioz dhe tejkalimi i tyre mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Një ndër faktorët e tillë të gjithanshëm është emigrimi, i cili ka vënë në sprovë lidhjet romantike të cilat përpiqen të mbijetojnë në distanca të largëta fizike dhe mungesa të gjata kohore. Përveç kësaj, emigrimi ka krijuar një dukuri të re, ku marrëdhëniet dhe lidhjet romantike i ngjajnë më shumë transaksioneve biznesore.

Në botën e këtyre çifteve, martesa është më shumë një lëvizje strategjike për ta siguruar vazhdimin e marrëdhënies në kohën e politikave të ashpra të emigrimit dhe të ekonomisë së dobët, se sa që është një shprehje romantike e përkushtimit zyrtar për njëri-tjetrin para ligjit.

Një shembull personal gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ilustron më së miri këtë dilemë. Shoqja ime nga Ukraina dhe shoku im nga Suedia u desh që ta përshpejtonin vendimin e tyre për t’u martuar, sepse ligjërisht nuk mund të qëndronin bashkë në një vend.

Problemi është se në momentin që të duhet të përshpejtosh vendime të tila (të cilat në rrethana të tjera mund të vinin edhe natyrshëm) dhe duhet të dëshmoni që jeni apo keni qenë çift për një kohë të caktuar, duke angazhuar edhe dëshmitarë të rregullt për të krijuar vlefshmërinë e marrëdhënies tuaj, romanca në lidhje të tilla merr një rol gati dytësor, duke e shndërruar atë në një proces mekanik, pa një vullnet të lirë e të natyrshëm.

Sigurisht se vështirësitë që rrjedhin nga këto vendime të ngutshme mund të tejkalohen për shumicën e këtyre çifteve që mund të jenë të martuara e të lumtura për shumë vite, përkundër faktit që rrethanat e kurorëzimit të dashurisë së tyre ishin të përshpejtuara. Megjithatë, unë këtu shoh një korruptim apo shtrembërim të një lidhje të denjë romantike, të cilat i ndryshojnë rrënjësisht perceptimet tona se çfarë do të thotë, ose çfarë duhet bërë, për të qenë në dashuri sot.

Në të vërtetë, të zgjedhësh njeriun e jetës tënde, do të thotë ta zgjedhësh atë çdo ditë, e ta vësh atë zgjedhje në sprovë përherë. Të zgjedhësh të fokusohesh çdo ditë në të bukurat që ai/ajo po sjellë në jetën tënde. Zgjedhjet gjysmake e me rezerva, edhe në raste kur dashuria nuk mungon, sjellin ndjenja me të cilat është e vështirë të përballesh, edhe për ata që njihen si shpirtra luftarak.

Emigrimi është vdekja e romancës për të dashuruarit e shekullit XXI

Emigrimi, si dhe presioni ekonomik e social, ka arritur ta ndryshojë karakterin e lidhjeve romantike, duke i shndërruar ato në vendime mekanike përfituese, më tepër në aspektin biznesor se emocional. Dikur, industria e martesave për viza, qoftë ajo për dashuri, apo për kompensim, për mua ishte një koncept i çuditshëm apo edhe i papranueshëm, ndërkohë që tani numri i njerëzve të cilët i njoh që martohen para kohe për arsye të dokumentacionit ose të punës është shumë i madh, si nga ana e kosovarëve ashtu edhe të huajve.

Për të fituar lejen e qëndrimit në Amerikë, për shembull, martesa me një nënshtetas amerikan mbetet forma më e zakonshme e praktikuar nga shtetasit e huaj. Sipas të dhënave të Qendrës për Studime të Imigrimit në Washington, DC, në mes të vitit 1998 e 2007, më shumë se 2.3 milionë shtetas të huaj kanë fituar leje të përhershme të qëndrimit në Amerikë, përmes Kartonit të Gjelbër, me anë të martesave me qytetarë amerikanë.

Gjithashtu, më shumë se 25 përqind të Kartonave të Gjelbër të dhënë në vitin 2007 kanë qenë për bashkëshortët e qytetarëve amerikanë, ndërkohë që numri i kartonëve të dhënë për bashkëshortët e qytetarëve amerikanë gjatë viteve 2006 e 2007 arriti të jetë dyfish më i madh se për të gjitha kategoritë e punësimit të emigrantëve të marra së bashku.

Për më tepër, shumë emigrantë të tjerë vendosin të futen në Amerikë në mënyrë jo ligjore, vetëm për t’iu bashkuar më pas partnerëve të vet me qëndrim të ligjshëm në Amerikë. Me këtë rast shqyrtohet një numër i madh i peticioneve për bashkim familjar, në mesin e atyre që janë futur në Amerikë në mënyrë jo të ligjshme.

Këto bashkime aprovohen edhe në mesin e çifteve që mund të jenë njohur vetëm përmes internetit, pa u takuar ndonjëherë në jetë reale. Andaj, nuk është për t’u habitur se martesa me një qytetar amerikan është rruga më e mirë për fitimin e nënshtetësisë amerikane për shtetas të huaj. E ky fenomen i shpërndarë gjithandej i “martesës për letra”, ka kontribuuar në thellimin e një dukurie shoqërore që ka rezultuar në një “korruptim” të lidhjeve romantike, që më parë kishin ndodhur në mënyrë më natyrale.

W.C. Fields kishte shkruar njëherë se, “për çdo gjë që vlen ta kesh, ja vlen edhe të mashtrosh”. Në Kosovë, por edhe në vendet tjera, ku kushtet e vështira ekonomike kanë dominuar kaherë, industria e martesave për viza është një fenomen që ka marrë përmasa alarmante. Shembuj më të zakonshëm të industrisë së martesave për viza, janë martesa me marrëveshje ku pala tjetër fiton përfitime financiare; martesa ku njëra palë mashtrohet dhe mbetet zemërthyer; si dhe martesa të aranzhuara – në kultura ku ky lloj i martesave është i popullarizuar, siç është deri në një masë edhe në kulturën tonë në Kosovë.

Një gjë e tillë ishte ilustruar edhe në një shkrim nga David Seminara, konsul në ambasadën amerikane në Shkup. Seminara kishte intervistuar me qindra shqiptarë nga Maqedonia dhe Kosova, të sapomartuar përmes martesave të aranzhuara. Në këto raste shumica e peticionarëve amerikanë janë shqiptarë të natyralizuar, prindërit e të cilëve dëshirojnë që fëmijët ta mbajnë kulturën shqiptare duke i martuar ata me gra shqiptare nga mëmëdheu. Kështu, rasti i Kosovës është shembull i fuqishëm i skenarit në të cilin romanca bie viktimë e një ambienti ku bashkimi i dy personave të rinj shpesh ndodh nën rrethana “artificiale” e të aranzhuara, sikur ky të ishte një obligim, një detyrë, e jo një bashkim natyral i rrënjosur në përkushtim emocional dhe dashuri.

Megjithatë, përtej faktit se emigrimii mund te? cile?sohet si vdekja e romance?s pe?r te? dashuruarit e shekullit nje?zet e nje?, duket se lidhjet romantike sot kanë ndryshuar edhe ne? aspekte tjera. Duket sikur të qenit në dashuri tani kushton më shumë, si dhe çdo mundësi e re të vë në presion për të mbrojtur dhe për të luftuar për atë që beson se ka rëndësi.

Gjithsesi, jeta është shumë e shkurtër për ta injoruar romancën, e cila duhet të gjejë mënyrë të mbizotërojë përtej politikave jo të menduara mirë të emigrimit, si dhe mungesës të aftësive tona vendimmarrëse që ndërlidhen me emocionet – aftësi këto të cilat nuk na i mësojnë në shkollë.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.