Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Marrëzia jonë e madhe

Në një nga shoqëritë ende të pakonsoliduara (nuk e di cila është kuota që duhet përmbushur që një shoqëri të cilësohet e konsoliduar), gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë, është pikërisht në aspektin e kulturës apo rrënimit kulturor. Në një shoqëri sikundërse është shoqëria jonë, ky është problem fundamental. Mospasja e një kohezioni sociokulturor, pikëprerjet arbitrare që kanë ndodhur brenda konstruktit shoqëror, mosgatishmëria që gjërat t’i marrim me seriozitet, tek ne ka krijuar hendeqe thuajse të pandreqshme. Prandaj siç thotë Borges-i, ne kurrë nuk e kemi kuptuar se: “…kultura është shpëtimi ynë i vetëm”. Harlisja pas politikës dhe ikja nga trualli i kulturës i ka mundësuar politikës që të jetë ‘violina e parë’ e saj. Mbase kjo ka bërë që të kemi një pandjeshmëri ndaj fenomeneve që kanë karakter kulturor. Kjo me gjasë ka mundësuar që kultura nuk e ndikon më politikën, por politika kulturën po, dhe si rrjedhim kemi një stërkeqje të të dyjave. Kemi një politikë të pakulturuar që na ‘kulturon’ dhe një kulturë e cila është mirëmbajtëse e këtij akulturimi. Është e pranueshme që kultura dhe politika të kenë fërkime mes vetes, mirëpo, kjo duhet të ndodhë atëherë kur kultuara është aty që të ndihmojë politikën në aspekte të caktuara, por pa e humbur sensin e vet kritik që ka sidomos ndaj politikës. Ç’është e vërteta, tek ne ka ndodhë saktësisht e kundërta, sepse politika që në start e ka futur kulturën nën sqetull (dhe kjo nuk ka hezituar të bëhet pjesë e sqetullës së saj), dhe si rrjedhim kemi një gjendje pothuajse të parikoperueshme në këtë aspekt.

Për një raport të tillë kulturë-politikë, në librin e tij Notes of the death of culture, Mario Vargas Llosa flet pikërisht për këtë marrëdhënie. Ai mendon se: “Kultura nuk varet nga politika. Ose, nuk duhet. Edhepse një gjë e tillë është e paevitueshme nën diktatura; veçanërisht ato ideologjike dhe religjioze, në të cilat regjimi merr të drejtën të diktojë dhe të nxjerrë norma dhe rregulla të sjelljes brenda të cilave zhvillohet jeta kulturore, nën vigjilencën e shtetit, e angazhuar të sigurojë se jeta kulturore nuk i ka bishtnuar bindjes që mbështet regjimin. Rezultati i këtij kontrolli, siç e dimë, është transformimi progresië i kulturës në propagandë. Në këto kushte, kultura venitet, vuan për origjinalitet, spontanitet, mendim kritik; pa mundësinë e ripërtëritjes dhe eksprimentimit formal”. Siç vërejmë, Llosa tërheq vëmendjen aty ku ne më së paku kemi pasur vëmendje (sic). Ne, apo më mirë të shprehemi, tek ne kultura në disa raste ka qenë ajo e cila ka shprehur gatishmërinë që të jetë nën survejim.

Andaj, nuk është çudi që sot me një prodhimtari marramendëse, – si për kah botimi i librave, gazetave, platformave digjitale e mediave televizive etj., – prapëseprapë kritika, kualiteti dhe serioziteti janë në deficit. Andaj Llosa tek Notes of the death of culture  thotë se për një kulturë të tillë “…në shoqërinë e spektaklit, ndikimi që kultura ushtron mbi politikën nuk e ndihmon atë t’i ruajë disa standarde të përsosmërisë dhe të integritetit, por, në vend të kësaj, kontribuuon në rënien e saj morale dhe qytetare, duke nxitur aspektet me të këqija të saj, përfshirë, veprimin e keq”. Një rënie të tillë ne si shoqëri vetëm tani sa jemi duke e shijuar deri në delir. Stërkeqja jonë e gjithë sistemit qoftë institucional, qoftë e konstruktit social, është e vërteta e kulturës sonë. Pasqyrë e saj jemi ne, kurse ajo (kultura), është hipokrizia jonë. Mbase edhe për këtë hipokrizi Llosa thotë: “Në kulturën aktuale, politika gjithnjë e më shumë po i zëvendëson idetë dhe idealet, debatin dhe programet intelektuale me reklama të thjeshta dhe një obsesion për aparencën fizike. Si pasojë, popullariteti dhe suksesi arrihen jo aq shumë përmes inteligjencës apo ndershmërisë, sa përmes demagogjisë dhe një talenti shtiracak. Kështuqë, ne jemi para një paradoksi kureshtar: përderisa në shoqëritë autoritare është politika ajo që korrupton dhe degradon kulturën, në demokracitë moderne është vetë kultura ajo që korrupton dhe degradon politikën dhe politikanët”. Kjo që pohon Llosa tek ne është më se evidente, sepse këtu kultura është bërë kuintesenca e politikës dhe si rrjedhim është bërë rrënimi moral i vetëvetes.

Prandaj, që të dilet nga ky qark sado-mazohist mes kulturës dhe politikës, duhet që kultura t’i kthehet vetvetes dhe ta rimendojë veten. Një rimendim i tillë duhet të jetë sa serioz, po aq edhe i thellë, sepse një degradim kaq i madh i kësaj natyre nuk mund të rikoperohet lehtë. Rrënjët e marrëzis sonë të madhe nuk duhen kërkuar as tek politika, e as gjetkë që kinse po pastrojmë veten (kulturën), sepse një pastrim i tillë e fut edhe më thellë në moçal atë, por duhet që me një sinqeritet, vullnet dhe me një përgjegjësi të madhe t’i japim shansin kulturës dhe qysh atëherë i kemi dhënë shansin edhe vetvetes.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.