Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gangsterizmi si stil politik

Ilustrimi: Big Eye

Gangsterizmi është qeverisshmëri alltiash. Është stil politik i qeverisjes përmes alltiave. Është frymë mendimi e veprimi politik. Kush ka allti, mundet të qeverisë. Kush ka allti, ka të drejtë të vendosë për shumicën. Kush ka allti, bën politikë nacionale. Të tjerët pa alltia, mbesin jashtë.  Jashtë publikes dhe gjithë asaj që vjen me të.  Të drejtave civile, politike e ekonomike. Ky është stili politik që po instalohet me ngadalë në Kosovë. Regjimi politik i alltiave vret politikën si regjim. Si një truall i hapur i mundësive të barabarta për të gjithë, dhe jo vetëm për ata me alltia.

Regjimi i alltiave i mbivendoset çdo të vërtete të njerëzëve të zakonshëm. Politika kështu shndërrohet në një regjim alltiash, ku vetëm ata që kanë alltia mund të flasin, të përfaqësojnë, të vlerësojnë, dhe të vendosin. Alltia është mundësi. Mungesa e alltisë është pamundësi. Mundësitë politike që vijnë së bashku me alltinë janë shantazhet, kërcënimet, privilegjet dhe manipulimet. Njëherë e një kohë, alltiat kanë qënë ‘vota’ përmes së cilave janë ‘votuar’ në ‘lule të ballit’ armiqtë e projektit të shtetësisë së Kosovës. Disa imagjinarë e disa realë. Sot shtetësia e Kosovës kërcënohet pikërisht nga njerëz me mentalitet alltiash. Këta njerëz vijnë nga të gjitha partitë politike në Kosovë – PDK, LDK, AAK, dhe VV.

Njerëz që kanë alltia e popullojnë një pjesë të konsiderueshme të institucioneve qendërore dhe lokale. Udhëheqin biznesin kryesor në vend. Pra, ose janë me alltia ose janë karshi atyre që janë me alltia. Këta njerëz flasin me të njëjtin repertuar politik dhe i përngjasojnë shumë njëri-tjetrit. Nuk ka ‘Guns and Roses’. Ka vetëm ‘guns’. Majtash. Qendrës. Djathtas. Frika nga njëri-tjetri gjithmonë ka të bëjë me atë se kush po e nxjerr alltinë i pari.

Ky mentalitet alltiash e ka varfëruar Kosovën politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht. Korrupsioni i lartë, krimi i organizuar dhe informaliteti nuk bëhet nga njerëz pa alltia. Pa pushtet. Pa krahë. Nga njerëz të zakonshëm. Për këtë nevojitet ‘guxim i madh’. Njerëz me këso guximi janë gjithmonë njerëz që kanë milicinë e tyre përballë policisë shtetërore. Milicinë e informimit. Milicinë e shantazhit. Milicinë e kërcënimit. Milicinë që mundet kurdo e kudo ta shantazojë policinë shtetërore, prokurorinë apo gjyqësinë.

Në një ambient të tillë, sundimi i ligjit mbetet dëshira më bazike e njerëzëve pa alltia. Pra, shumicës së njerëzëve. Studentëve, punëtorëve e të papunëve, administratorëve të vyeshëm, zejtarëve (nëse ka mbetë ndonjë), përfshirë këtu edhe ish pjesëtarët e UÇK-së, që sot kanë mbetur pa mirëqenie e pa allti. Pra, shumicës. Prandaj, gangsterizimi si stil politik duhet të refuzohet gjithkund në mënyrë që demokracisë t’i bëhet vendi si kulturë politike në Kosovë.

Demokracia fundoset kur njerëzit komunikojnë përmes alltiave. Rrugëdalja nga gangsterizimi si stil politik vjen vetëm përmes deliberimit demokratik. Premisa e parë e këtij debati është ‘alltiat jashtë’. Mbi këtë premisë duhet të ndërtohen institucionet e pavarura dhe vendoset sundimi ligji për të gjithë. Kultura demokratike nuk ushqëhet nga kërcënimi i të fortëve. Republika jonë nuk është shtet privat i gangsterëve me alltia. Republika jonë është emri i përpjekjeve të vazhdueshme të shumë gjeneratave për dinjitet. Ajo duhet të rritet, të gjallnojë e përparojë si res publica dhe jo si res privatae.

Republika jonë ka dy modele qeverisjeje përballë: Evropën Perëndimore dhe Afrikën Subsahariane. Modeli i parë bazohet në sundim të ligjit, qarkullim të elitave politike, institucione politike të centralizuara, decentralizim dhe shpërndarje të proposporitet ekonomik. Me fjalë të tjera, këto vende udhëhiqen nga institucione inkluzive publike dhe shteti konsiderohet pronë publike. Modeli tjetër është Zimbabveja. Mugabe erdh në pushtet përmes një luftë guerile, me allti pra, dhe pas pavarësisë së Zimbabvesë i eliminoi kundërshtarët politikë. Krijoi institucione private ekstraktive duke ekstraktuar burimet ekonomike të vendit përmes oligarkëve të tij, dhe e çoi popullin në varfëri ekstreme. Madje nuk u mjaftua me kaq. Në vitin 2000, Robert Mugabe fitoi edhe llotarinë në nivel vendi. Krejt rastësisht.

Murtaja e Madhe Politike për shtetin e Kosovës nuk vjen as nga Serbia, as nga gjeografia, as nga mungesa e resurseve ekonomike, apo nga mungesa e burimeve njerëzore.  Ajo vjen kryesisht nga mungesa e institucioneve politike dhe ekonomike inkluzive që do të duhej t’i shërbenin prosperitetit të përgjithshëm politik dhe ekonomik të vendit. Vjen si pasojë e mungesës së llogaridhënies së institucioneve karshi qytetarëve. Vjen si pasojë e shfrytëzimit të institucioneve publike për qëllime private. Vjen si pasojë e një mungese të një elite politike që brenda vetvetes ka shembuj të panumërt të dorëheqjeve për dështime politike. Rritja ekonomia nuk vjen përmes frikësimit. Inovacionet nuk vijnë nga alltiat. Liritë politike nuk ‘piqen’ me shantanzh. Liria dhe Alltia nuk janë sinonime.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.