Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Amerikani i vetmuar

Amerikani i vetmuar

Ilustrimi: Big Eye

Shumë njerëz mbetën të habitur nga zgjedhja e Trump si president i Shteteve të Bashkuara. Por për Amerikanin mesatar asgjë nuk është habi. Nuk flas për Njeriun Politik, për militantin, për Yuppie-t dhe Hipster-at, as për Neo post liberalët romantikë por për Amerikanin e Jugut, për atë që jeton në Florida, aty ku jetoj dhe unë prej disa muajsh.

Nuk di nga ta nis dhe nuk di a e shpjegoj dot aq mirë por do mundohem t’ju bëj një profil sa më të qartë. Ky [Amerikani] jeton i vetmuar në shtëpitë e ulëta, zakonisht i vetëm, me gruan ose me qenin. Janë rreth të 60ve, dyshues, zhbirilues, të përshëndesin zakonisht kur shohin që je i bardhë, dhe kjo është shumë e rëndësishme, nga ngjyra e lëkurës e ka më lehtë ta kuptojë dikë. Po të dalësh dhe të bësh një ecje në këmbë zor se sheh njeri ti gëzohet oborrit apo rrugës plot pemë e gjelbërim. Ai rri brenda, ulet gjithmonë në një kolltuk, gjithmonë përballë TV, me dritaret e mbyllura, me ajrin e kondicionuar hapur, ndonjë mellow country music vjen nga radio në garazh, gruaja që bën ndonjë punë, me qenin kureshtar që i leh herë pas here ndonjë ketri apo ndonjë shpendi. Jashtë dere sheh akoma zbukurimet e Halloween, ca kunguj plastikë, ca dordolecë kashte, imitime varrezash me R.I.P, derën e garazhit hapur (ose mbyllur).

Rrangullat e tij janë pak nga pothuajse të gjitha; ai ka sharrë druri me korent, vegla nga gërshërët deri te korrësja e barit, rafte me gjithfarë kutish kartoni, bombula plastike me gjithfarë lloj elementi kimik, mjete transporti alternative (varka, bicikleta, motorri, rulota). Po ta mendosh nuk duket keq.

Makina e tij kamionçinë qëndron jashtë, makina e gruas në krah. Flamuri në hyrje, më tutje kutia postare me flamurin e vogël të kuq ngritur; shenjë për shpërndarësin e postës që ka për të marrë zarfa që aty dhe ti nisë për dërgim atje ku do i zoti. Zarfat nuk përmbajnë asgjë romantike, nuk ka letra apo kartolina që nisen diku por fatura, fatura e TV, e internetit, e ujit, e elektricitetit, fatura e makinës, fatura shëndetsore, taksa e pronës, sigurimet, fatura blerjesh,  dhe lloj lloj nevoje tjetër që duhet të përmbushë të përditshmen.

Ai jeton i vetmuar nën shoqërinë e TV, aty ku i thuhet si duhet të jetojë, si duhet ti shpenzojë të ardhurat, si ta fitojë 401K (pensionin), të hajë gluten free apo USDA organik, aty ku dëgjon se kush fitoi EMI apo Tony, Oscar apo Golden Globe, aty ku sheh sesi amerikani (i natyralizuar ose jo) vrau pa të keq kush i doli para, aty ku sheh se policia çdo javë vret gjakftohtë njerëz me ngjyrë, aty merr vesh se diku në Europë emigrantët rrezikojnë standardet qindra vjeçare, aty dëgjon alarmin se diku në autostradë një Ford nuk i bindet policisë, aty ku i thuhet të evakuohet sa herë ka ndonjë tornado rrugës për në Republikën Domenikane, aty sheh sesi ushtria po bombardon rebelët, sesi ndërtohen muret, aty sheh sesi jetohet më në Jug, apo si po e përballojnë dimrin ata në Veri. Gjithçka ai ka është vetëm TV. Jeta e tij nis dhe mbaron aty.

Por ka edhe një amerikan tjetër më të vetmuar se ky mesatari. Tani do ju tregoj për amerikanin nën mesatar (white trash), i pashkolluar, pa punë, pa sigurim shëndeti por i mbuluar nga Medicaid, me dhëmbë të rëna, gjithmonë me heavy metal shirts, me flamurin e Konfederatës në kamionçinën e prodhuar nga fundi i 80s, me gruan e shpërfytyruar nga crystal meth, me theksin e çuditshëm jugor që flet nëpër dhëmbë, cigare ndezur përherë, sa herë hapet dera dëgjon ndonjë rock band nga radio, TV ndezur gjithashtu, fëmijët zhgërryhen në oborrin para shtëpisë së lëvizshme prej dërrase të dalë boje, një pellg vajrash makine në krah, qeni që nuk pushon së lehuri, motorri i kondicionerit që bën një zhurmë kërcitëse, komshinjtë me ngjyrë po grinden përsëri, jashtë në rrugë kalon një djalë i bardhë pa bluzë, lakuriq, tek cepi tjetër i rrugës sapo është hapur një restorant aziatik, pak më tutje dëgjohen sirenat e makinave të policisë, ndonjë makinë kalon tek tuk, dy fëmijë amerikanolatinë nga pamja po kthehen nga shkolla, më tutje një kishë presbiterane dhe përballë saj një zyrë kompanie sigurimesh.

Kjo është dita e tij, ai (amerikani nënmesatar), jeta e tij, pavarësisht se çfarë thotë TV, jeta e tij është e përfunduar. Ai shtriqet në kolltukun prej kashte para shtëpisë dhe jeton me ëndrra; dikur ai, njeriu i bardhë jetonte i respektuar, jo si sot kur ka fqinjë afrikanoamerikanë, ai jeton me të shkuarën, vëllai sapo ka vdekur në luftën civile, babai sapo është kthyer nga minierat e Alaskës, njerka sapo vdiq nga turbekulozi. Ai jeton në të shkuarën, kur ishte xhandari dhe skllavëruesi dhe jo si tani që jeton në një lagje me njerëz që nuk di se nga kush cep i globit janë. Ai është i shqetësuar, nuk del dot më si në vitet 60, ti ndalojë “negrit” të shkojnë në shkollë, ai është i revoltuar përse ata nuk punojnë në fusha, ai nuk kupton dot që njerëz me ngjyrë të verdhë të hapin restorante, nuk i shikon dot sesi amerikanolatinët kthehen nga shkolla, ai nuk di fjalë tjetër përveçse fjalën zot të thënë mijra herë në ditë.

Tek shkojnë të votojnë ata mendojnë për të gjitha këto. Nje grua nuk mundet, një afroamerikan është i pazoti, një mashkull i bardhë po. Ai mundet ta bëjë vendin siç ka qenë njëherë e një kohë. Ai mund ta kthejë këtë vend në rrugë të mbarë, atëherë kur ishim mirë. Unë mbase nuk do ta korrja barin vetë mendon amerikani mesatar, unë mbase nuk do të jetoja në një shtëpi të rrënuar afër me afroamerikanët, dhe ndërkohë anembanë vendit këto mendime sa vijnë e rriten. Po ashtu edhe votat për njeriun e bardhë. Ai nuk ndalet, se amerikani mesatar nuk ndal kurrë të shohë nga e ardhmja. Atij i pëlqen e shkuara, kur kishte kamzhik e thundër për çdo pyetje apo pakënaqësi. Ai nuk ndalet nga këto mendime se e tillë është Amerika e përgjithshme, një park i vetmuar njerëzish të vetmuar, të braktisur e të harruar diku në shekullin e 19. E tillë është edhe tani, një tokë ëndrrash të harruara por jo të pamundura.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.