Obligimi pozitiv i shtetit dhe hetimet e vdekjes s? Astrit Deharit
Misteri i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Astrit Dehari, vazhdon të jetë objekt i spekulimeve të ndryshme. Familja e Astritit, Lëvizja Vetëvendosje!, shoqëria e Kosovës, kërkojnë një hetim të pavarur në këtë rast. Organet shtetërore u zotuan se do të inicojnë hetime të pavarura dhe transparente për rastin në fjalë. Fjalët drejtësi, hetim të pavarur dhe transparencë i kanë vërshuar portalet dhe rrjetet sociale. Mirëpo, çka nënkuptojmë me hetime të pavarura dhe transparente? Kush duhet t’i inicojë këto hetime? Si duhet të zhvillohen këto hetime?
Qëllimi i këtij shkrimi është të shpjegojë në pika të shkurta obligimin pozitiv të shtetit për të mbrojtur të drejtën për te jetuar, obligim ky që rrjedh nga Nenin 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut .
Neni 2 ( paragrafi 1) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë:
” E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i privohet qëllimisht jeta, me përjashtim të rastit, kur zbatohet një vendim me vdekje i dhënë nga një gjykatë, kur krimi ndëshkohet me këtë dënim nga ligji”.
E drejta për jetën karakterizohet si një e drejtë absolute e cila nuk lë hapësirë për kufizime. Ajo është një e drejtë e themelore që i paraprin të drejtave tjera që na i garantojnë instrumentet ndërkombëtare. Kjo e drejtë e ngarkon shtetin me dy obligime, obligimin negativ dhe pozitiv. Një obligim negativ nënkupton të mos privohet askush nga jeta në mënyrë arbitrare, ndërsa ai pozitiv e obligon shtetin tua mbrojë jetën qytetarëve të tij në çdo aspekt.
Pra shteti jo vetëm që duhet të përmbahet nga privimi i qëllimshëm dhe i paligjshëm i jetës, por duhet gjithashtu të marrë hapa të duhura për të mbrojtur jetën e të gjithëve brenda juridiksionit të vet.
Kur një i arrestuar/burgosur vdes në ambientet e burgut (stacion policor) i gjithë dyshimi bie tek autoritetet e burgut ngase konsiderohet se i burgosuri ishte nën kujdesin e shtetit dhe në këtë rast është detyrë e shtetit të inicojë një hetim të pavarur dhe efektiv për të ndriçuar rastin. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) është shprehur së Neni 2 kërkon nga organet përkatëse shtetërore një hetim të drejtë dhe adekuat për rastet që rezultojnë nga veprimet e zyrtarëve të shtetit, si nga përdorimi i forcës vdekjeprurëse, vdekjet misterioze, por edhe në situata që dalin nga neglizhenca e zyrtarëve që çon për në vdekje.
Pra, barra e provës bie mbi organet shtetërore për të inicuar një hetim efektiv dhe të pavarur për ndriçimin e rastit dhe të dalë me një shpjegim të kënaqshëm dhe bindës.
Në ketë rast, GJEDNJ-ja ka caktuar pesë standarde kryesore të cilat e bëjnë një hetim efektiv, dhe ato janë:
1. Pavarësia – nuk duhet të ketë lidhje institucionale ose hierarkike mes hetuesve dhe palës kundër së cilës është parashtruar aneksa (zhvillohen hetimet). Pra duhet të ekzistojë një pavarësi praktike;
2. Mënyra adekuate – hetimi duhet të jetë adekuat, organet që kryejnë hetimin duhet përmes provave të mbledhura të përcaktojnë veprimet e paligjshme dhe për të identifikuar dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës;
3. Shpejtësia – hetimi duhet të kryhet menjëherë, shpejtë, në mënyrë që të ruajmë besimin në sundimin e ligjit;
4. Shqyrtimi publik – procedurat dhe vendimet duhet të janë të hapura dhe transparente për të siguruar llogaridhënien;
5. Përfshirja e familjes së viktimës – ankuesi (anëtari i familjes) duhet të përfshihet në procesin e hetimit. Këtë mund ta bëjë edhe përmes avokatit.
Aktualisht rasti i hetimit të vdekjes së Astrit Deharit është në duart e organeve shtetërore, përkatësisht, ekipit hetues të policisë dhe prokurorit. Sipas informacioneve, dy ekspertë të pavarur (të jashtëm) mjekoligjorë kanë marrë pjesë në autopsi. Po ashtu ishte prezent edhe një avokat, në cilësi të përfaqësuesit të familjes.
A mund të konsiderohen veprimet e deritanishme hetimore si garancë që do çojnë tek një hetim i pavarur dhe efektiv? Ja po i analizojmë.
Së pari themelimi i ekipit hetues nga ana e policisë nuk ofron garanci të mjaftueshme të paanshmërisë dhe pavarësisë. Standardi i pavarësisë kërkon të mos ketë lidhje institucionale ose hierarkike mes hetuesve dhe palës kundër së cilës zhvillohen hetimet. Edhe pse ekipi hetues mund ta kryejë këtë punë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur, natyra e rastit e kërkon që të garantohet dhe sigurohet një pavarësi dhe paanshmëri më e madhe, vetëm e vetëm për të krijuar një imazh të besueshmërisë i cili do të jetë garancë e sigurisë për një hetim efektiv dhe të pavarur.
Sa i përket mënyrës adekuate dhe të shpejtë të kryerjes së hetimeve, tani për tani veprimet e ndërmarra nuk e pasqyrojnë një gjë të tillë. Informatat që na i ofrojnë mediumet lënë përshtypje se nuk ekziston një unitet brenda ekipit hetues. P.sh., nuk përputhen deklaratat e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prizrenit më atë të kryeprokurorit i cili është edhe udhëheqës i hetimeve. Për më keq, askush nga autoritetet përgjegjëse nuk doli me ndonjë sqarim për këto deklarata kontradiktore. Kështu që e gjithë kjo lë hapësirë për mosbesim dhe shton edhe një dozë më të madhe të dyshimit mbi rastin, gjë që e vë në pyetje transparencën e hetimeve, standard ky i rëndësishëm për një hetim të pavarur dhe efektiv. Pra, informimi nuk duhet të jetë parcial, sepse është detyrë e udhëheqësit të hetimeve të koordinojë veprimet dhe të mbajë opinionin të informuar për ecurinë e hetimeve. Një gjë e tillë është më se e nevojshme sepse tregon së rasti është duke u trajtuar me seriozitet.
Ndërsa kur është fjala për standardin e përfshirjes së familjes në procesin e hetimeve vërehet së përfshirja e familjes Dehari në hetime është rezultat i vetëinsistimit nga ana e familjes, e jo si një veprim i drejtpërdrejtë nga ana e autoriteteve. Janë organet shtetërore ato që duhet të ofrojnë dhe sigurojnë prezencën e familjes së viktimës në procesin e hetimeve.
Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se autoritet përkatëse nuk janë duke e trajtuar rastin me kujdes dhe seriozitet të duhur. Siç u tha më lart, në rastet siç është ky i Astrit Deharit, i gjithë dyshimi është tek autoritetet e burgut, prandaj shteti duhet ta bëjë të pamundurën që të sigurojë një procedurë efektive, të pavarur dhe transparente që përcakton faktet që rrethojnë vdekjen e të ndjerit. Sepse këtë e kërkon e drejta për të jetuar e Astrit Deharit!
Më shumë rreth rastit Dehari:
– Agon Maliqi “Rasti Dehari, test i besueshmërisë ndaj institucioneve”