Deepfake është bërë shumë i shpeshtë në dy vitet e fundit, më së shumti për shkak të zhvillimit të teknologjisë së inteligjencës artificiale. Sikurse vendet e tjera, edhe Kosova po përballet fuqishëm me këtë fenomen në prag të zgjedhjeve. Numri në rritje i Deepfakes të publikuara në media sociale, e posaçërisht në TikTok, e bën këtë formë të manipulimit me ndikim në fusha të ndryshme të shoqërisë.
7 vite më parë, Deepfakes konsiderohej një formë e re e manipulimit dhe një rrezik i ri që i kanosej botës. Sot, vende të ndryshme në botë vuajnë pasojat nga ndikimet e Deepfakes në shoqëritë e tyre, qoftë në jetën politike, sociale apo ekonomike. Një studim nga zgjedhjet e 2024-tës në Rumani, ku janë analizuar mbi 400 materiale mashtruese, tregon për pasoja serioze në integritetin e informacionit dhe besimit në institucione nga manipulimet politike, fushatat dezinformuese apo mashtrimet financiare të realizuara në formën e Deepfakes falë veglave të ndryshme të inteligjencës artificiale.
Nëse deri në dy-tri vitet e fundit, gjatë fushatave zgjedhore, përqendrimi i manipulimit ishte te Cheapfakes (përmbajtje e manipuluar, e realizuar pa përdorim të inteligjencës artificiale), tani me mundësitë e reja dhe më të lehta për të gjeneruar Deepfakes, çdo ditë e më shumë hasen Deepfakes me motive politike që qarkullojnë në media sociale. Ndërveprimi i qytetarëve të Kosovës me postimet që përmbajnë deepfake, shpesh duke u besuar atyre, tregon për potencialin e lartë që këto manipulime kanë që të ndikojnë në bindjet e publikut. Në këtë situatë, fushata ndërgjegjësimi rreth Deepfakes për votuesit janë domosdoshmëri, në mënyrë që ata të mos bien pre e manipulimeve.
Rastet e Deepfakes në Kosovë para zgjedhjeve të 7 qershorit
Në media të ndryshme sociale në dy javët e fundit janë shpërndarë Deepfakes të ndryshëm, ku paraqiten politikanë të cilëve u atribuohen deklarata apo veprime që nuk i kanë bërë. E tillë ishte kjo Deepfakes e publikuar nga “Kosova Info” me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që ka arritur afro 750 mijë shikime në tri media të ndryshme sociale. Ky Deepfake në faqen e “Kosova Info” në Facebook ka marrë mbi 500 mijë shikime, në Instagram mbi 25 mijë dhe në TikTok mbi 200 mijë.
Kjo dyshe është protagoniste edhe në Deepfakes të tjerë që qarkullojnë, mirëpo shembulli i mësipërm ka përmbajtje çorientuese edhe te mbishkrimi, i cili e prezanton sikurse videoja të jetë nga një ngjarje reale. Meqë nuk ka ende një vegël që gjeneron Deepfakes ku imitohet zëri i politikanëve të Kosovës, Deepfakes të gjeneruara janë pa dialog, por vetëm me komunikim joverbal. Kjo e bën edhe më të vështirë për t’u detektuar, sepse në ato raste kur Deepfakes ka bisedë, dialekti toskë e bën më lehtë të detektueshme që videoja nuk është e vërtetë.
Rast i tillë është një Deepfake i gjeneruar pas lajmit për bashkëqeverisjen e Përparim Ramës me PDK-në në Komunën e Prishtinës, ku bashkëbisedojnë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, por theksi dhe ngjyra e zërit të gjeneruar nuk i ngjajnë as Abdixhikut, as Hamzës. Megjithëkëtë, ky Deepfakes ka arritur mbi 20 mijë shikime në media sociale. Gjithashtu, nga koha e caktimit të datës së zgjedhjeve filluan të qarkullojnë sërish Deepfakes të gjoja qytetarëve të zakonshëm nga Kosova apo mërgata, të cilët flasin për zgjedhjet e 7 qershorit. Edhe në këto Deepfakes, zëri i gjeneruar është në dialektin toskë, që nuk përdoret në Kosovë, ose një mënyrë e çuditshme e shqiptimit të emrave apo fjalëve në gjuhën shqipe. Megjithatë, Deepfakes të tillë kanë arritur prej 100 mijë deri në pothuajse 400 mijë shikime në Facebook.
“DeepFakeMburoja” si model mbrojtës
Megjithëse teknologjia për gjenerimin e Deepfakes është sofistikuar ndjeshëm, nuk mund ta themi të njëjtën edhe për detektimin e këtyre manipulimeve. Në mungesë të një vegle që do të ndihmonte qytetarët për t’u mbrojtur nga Deepfakes të dëmshëm, individi është lënë i vetëm në këtë “betejë“ të vështirë ndaj rasteve të keqpërdorimit të inteligjencës artificiale. Një model i sugjeruar për t’u përdorur në rastet kur ballafaqohemi me Deepfakes është “DeepFakeMburoja”, i prezantuar para dy vjetësh, por që vijon të jetë një alternativë e rëndësishme, sidomos në mungesë të veglave që detektojnë Deepfakes. Modeli “DeepFakeMburoja” përbëhet nga gjashtë hapa praktikë që ndihmojnë qytetarët të mbrohen nga manipulimet e inteligjencës artificiale: të mos nxitojnë në përfundime, të kontrollojnë burimin e informacionit, të verifikojnë përmbajtjen në media të shumta, të vëzhgojnë defekte teknike në video apo audio, të përdorin mjete digjitale si “reverse image search” dhe analiza metadata, si dhe të mendojnë në mënyrë kritike, përtej teknologjisë, duke vlerësuar kontekstin dhe motivet pas përmbajtjes. Ky është një model i dobishëm jo vetëm për kohën e zgjedhjeve, por edhe për mbrojtjen e përditshme nga Deepfakes, sepse manipulimet e tilla të gjeneruara duke përdorur inteligjencën artificiale dita-ditës vetëm sa do të jenë më të shpeshta. Në një shoqëri ku informacioni shpërndahet me shpejtësi të madhe dhe verifikimi mbetet i kufizuar, Deepfakes paraqesin një sfidë serioze për integritetin e informacionit dhe të proceseve me rëndësi në shoqëri, siç janë zgjedhjet e 7 qershorit. Prandaj, mbrojtja nga Deepfakes nuk është vetëm çështje teknologjike, por thelbësore për funksionimin demokratik të shoqërisë.

































































