Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Lufta kundër korrupsionit

Pjesa I

Çfarë është korrupsioni

Në fjalën hyrëse të tij, ish Kryeministri Britanez, David Cameron, në një publikim me përmbledhje të eseve kundërkorrupsion, publikuar nga Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, jep këtë përshkrim për korrupsionin:

“Korrupsioni është kanceri në zemër të problemve të botës sot. Korrupsioni shkatërron vendet e punës dhe pengon zhvillimin, i kushton ekonomisë së botës miliarda dollar çdo vit. I ngujon të varfërit në varfëri përderisa qeveritë e korruptuara anembanë botës vjedhin buxhetin e shtetit dhe parandalojnë që njerëzit e devotshëm që punojnë me djersë dhe me ndershmëri të fitojnë nga frytet e punës së tyre. Korrupsioni vjedh investimet që duhej të shkonin në shkolla dhe spitale përderisa të korruptuarit u shmangen taksave që duhet paguar.”

Cilësimi i korrupsionit si kancer nga David Cameron është një e vërtetë sa e saktë po aq edhe e trishtë.  Kanceri është sëmundje e cila fillon kur qelizat jonormale (të korruptuara) në trupin e njeriut fillojnë të ndahen në formë të pakontrolluar dhe shpërndahen në organe tjera duke i bllokuar dhe pamundësuar funksionimin normal të trupit duke shkaktuar edhe vdekjen.

Ekziston një analogji mes korrupsionit dhe kancerit në kuptimin që korrupsioni është një sjellje jashtë normave të pritura shoqërore dhe çrregullon funksionimin e shtetit duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit dhe ekonomisë, duke shkelur ligjet dhe rregullat, duke minuar besimin në institucione, duke dëmtuar zhvillimin dhe progresin e shoqërisë dhe duke përhapur një kulturë shoqërore e cila në vend të mbrotjes dhe përparimit, shkel dhe mashtron rregullat dhe ligjet në dëm të shoqërisë.

Duke qenë organizata lidere në fushën e kundërkorrupsionit, Transparency International (TI) ka një përkufizim më të gjerë për korrupsionin. TI ka përkufizu korrupsionin si keqpërdorim i pushtetit për përfitime personale dhe e ka ndarë në tri nivele, në korrupsion të madh, të vogël dhe politik. Korrupsioni i madh i referohet keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga niveli i lartë i pushtetit për përfitim të disave në dëm të shoqërisë. Këtu hyjnë përfitimet që vijnë nga tenderët në prokurim publik, shitja e aseteve shtetërore, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe përfitimet nga kontratat publike. Korrupsion i vogël i referohet keqpërdorimit të përditshëm të pozitës zyrtare nga zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të ulët të pushtetit në ndërveprimin e tyre me qytetarë të cilët në qasjen e tyre në shërbime publike sikurse shkolla, spitale, polici dhe gjykata u kërkohet të paguajnë mito në këmbim të shërbimit. Korrupsioni politik është manipulim i politikave, institucioneve i rregullave dhe procedurave në ndarjen e të mirave publike dhe të financave nga vendimmarrësit, të cilët shfrytëzojnë pozitën për të përfituar pushtet, pasuri dhe status shoqëror.

Korrupsioni mes percepcionit dhe realitetit në Kosovë

Përshkrimi nga David Cameron dhe Transparency International i korrupsionit nuk është i panjohur për kosovarët. Ne si shoqëri e ndjejmë në palcë çmimin e korrupsionit dhe stigmën që vjen nga ai.

Pothuajse të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Lëvizjen FOL, korrupsionin e nxjerrin si problemin e dytë pas papunësisë. Edhe pse qeveria vazhdimisht mohon prezencën e madhe të korrupsionit duke e konsideruar më shumë si perceptim dhe prani fiktive, skandale të shumta kanë demantuar qeverinë duke shpërfaqur praninë e tij.

Korrupsioni në Kosovë nuk është perceptim, nuk është fjalë në ajër apo vrimë në ujë siç pretendon pushteti, është prezent në të gjitha nivelet e pushtetit dhe vazhdon të bllokojë progresin e shoqërisë.

Natyrisht se shpjegimet (lexo: arsyetimet) janë të shumta dhe se disa nga to mund të diskutohen dhe adresohen, sikurse tranzicioni nga një vend me institucione paralele me institucione të veta dhe të pavarura; brishtësia e këtyre institucioneve “të pavarura” dhe mungesa a balancit dhe kontrollit; mungesa e përvojës, profesionalizmit dhe integritetit të zyrtarëve shtetëror; mungesa e kapacitetit shtetëror për të ofruar shërbime të shpejta dhe profesionale; një kulturë shoqërore me familje të mëdha dhe lidhje të thella që favorizon nepotizmin dhe një mungesë e kulturës për të konsideruar shtetin si pjesë të familjes që duhet dhënë dhe mbrojtur dhe jo si të huaj nga i cili duhet të merret dhe shfrytëzohet.

Të gjitha këto konstatime mund edhe të qëndrojnë, por ky nuk mund të jetë diskursi jonë i diskutimit nëse ne jemi të vendosur për të luftuar këtë fenomen. Është pikërisht ky diskurs që përdoret dhe keqpërdoret nga pushteti dhe një masë e caktuar e individëve që po i bëjnë shërbim pushtetit për të arsyetuar veprat e shëmtuara korruptive dhe për të na ngujuar në një tranzicion të pafund.

Tranzicioni, mungesa e përvojës, mungesa e dijes dhe e kapaciteteve nuk arsyetojnë mungesën e integritetit, mungesën e përgjegjësisë për veprime konkrete.

Është vështirë të argumentohet se një qytetar i rëndomtë nuk e kupton se cila vepër është korruptive. Kur polici ndal qytetarin për një shkelje në trafik është shumë e qartë se çdo tentim për t’i ikur ndëshkimit që parasheh ligji dhe sjellja për t’i dhënë ryshfet policit në detyrë është sjellje korruptive, sikurse polici i cili pranon që të marrë rryshfet në këmbim të shkeljes së ligjit nga ana e tij.

Në fakt, imazhi i shtetit dhe integritetit i zyrtarëve shtetëror fillon me policin i cili është autoriteti me të cilin qytetarët ndeshen më së shpeshti.

E njëjta ndodhë edhe në nivele të larta të pushtetit. Është vështirë të argumentohet se politikani i cili përdorë pushtetin e tij për të investuar në një zonë të caktuar ku do të përfitonin bizneset e lidhur me të dhe ai vet; ku zyrtarët e prokurimit përcaktojnë kritere që qartazi favorizojne një kompani të caktuar dhe ku autoritetet e pavarura kontrolluese vendosin të heshtin, të mendohet se kjo është rastësi dhe se ata nuk janë të vetëdijshëm se këto sjellje janë korruptive. Apo të argumentojmë se bizenset të cilat korruptojnë zyrtarët shtetërorë në këmbim të tendereve nuk janë të vetëdijshëm se kjo është sjellje korruptive.

Kur në parlament votohet një ligji i cili haptazi i mundëson një grupi të ngushtë të përfitojë nga një proces i shitjes së pasurive shtetërore; kur favorizon një grup të caktuar të kompanive apo kur qartazi fuqizon një pjesë të shoqërisë në dëm të shumicës, ne e kuptojmë se kjo nuk ndodhë rastësisht, por për shkak se përfaqësuesit tanë mbrojnë interesat e tyre në vend të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm të shoqërisë.

Kur një inspektor i tatimit e kushtëzon biznesin me qasjen ‘më paguaj mua ose taksat’ kjo nuk ndodhë rastësisht. Në fakt prezenca e madhe e evazionit fiskal dhe ekonomisë informale i faturohet politikanëve të cilët duke favorizuar biznese të lidhura me ta për t’u pasuruar shpejt dhe shumë, kanë punësuar inspektorë tatimorë për të mos bërë punën e tyre. Ne e dimë se sa herë që bizneset nuk deklarojnë të hyrat e tyre dëmtohet konkurenca e lirë dhe bizneset e ndershme, dhe e dimë se paret e taksave që duhet të shkonin në shkolla e spitale, shkojnë në xhepat e zyrtarëve të korruptuar.

Qasja ‘më paguaj mua ose taksat’ nuk ndihmon vetëm pasurimin e zyrtarëve shtetërorë dhe rrjetit të tyre kriminal. Kjo qasje dëmton konkurrencën dhe dekurajon bizneset e ndershme të cilat paguajnë faturat e tyre çdo muaj dhe japin kontributin për zhvillimin e shoqërisë.

Këto sjellje janë qartazi korruptive dhe nuk janë perceptim, dhe ata të cilët angazhohen për t’i shitur tek qytetarët si perceptim janë duke i bërë shërbim (lip-service) korrupsionit.

Qytetarët e kuptojnë se shërbimet publike janë të garantuara me ligj dhe nuk duhet paguar më shumë se sa kërkon ligji, por kur zyrtarë publik përdorin ligjin si mjet për të kushtëzuar kryerjen e një shërbimi, për të vonuar shërbimet apo për të penguar qasjen në to me përfitim personal, kjo ndikon në krijimin e një kulture korruptive tek qytetarët të cilët fillojnë të besojnë se shërbimet e shpejta kryhen vetëm nëse korrupton një zyrtar; se leja për ndërtim merret duke korruptuar; se leja për të eksportuar apo importuar një produkt merret duke kurruptuar; se mundësia për të fituar një tender krijohet duke korruptuar; se diploma merret duke korruptuar; se leja për të filluar një biznes, për të hapur një fabrikë apo për të nxjerrë minerale, për të i përpunuar e shitur ato bëhet duke korruptuar.

Këto sjellje ndikojnë direkt në krijimin e një kulture korruptive në shoqëri.

Pjesa II

Korrupsioni ‘para dhe pas luftës’
Partitë politike si gatuese të korrupsionit  

Unë sfidoj ata të cilët thonë se korrupsioni është pjesë e shoqërisë sonë. Unë jam lindur në 80-tat dhe deri në vitin 2000 unë as që kisha dëgjuar për korrupsionin. Kjo fjalë thjeshtë nuk ekzistonte në fjalorin e familjes dhe shoqërisë. Madje, mendoj se shoqëria me të drejtë bën një ndarje të ‘para dhe pas luftës’ si dy epoka për prezencën e shumë dukurive dhe fenomeneve në shoqëri, e më së shumti kjo vlen sa i përket korrupsionit.

Në mungesë të pushtetit, mundësia e keqpërdorimit me të është e pamundur. Kur në vitin 2001, ‘pas luftës’, filluam të marrim pushtet nuk vonoi shumë që korrupsioni të bëhej pjesë e fjalorit.

Së pari filluan me procesin zgjedhor (vjedhja e votave), pastaj vazhduan me punësimet partiake, me vjedhjen nga tenderet, me privatizimin, me pronat, tokat bujqësore e deri në aprovimin e ligjeve të cilat shkruheshin për të pasuruar dhe mbrojtur një shtresë të caktuar të shoqërisë.

Qytetarët ishin vëzhgues në këtë proces të instalimit të korrupsionit në sistem.

Deri në vitin 2001 qytetarët nuk e asocionin korrupsionin me partitë politike dhe me liderët. Dëshmi për këtë ishin zgjedhjet e përgjithshme ku pothuasje të gjithë ata që kishin të drejtë vote dhe ishin të regjistruar, votuan.

Por, kur nga zgjedhjet, liderët e partive politike dhe njerëzit e lidhur me ta filluan të pasuroheshin papritmas dhe në mënyrë të pashpjegueshme, korrupsioni filloj të përdorej si shpjegim. Qytetarët ishin dëshmitarë se si kojshia i tyre që vidhte votat për partinë, papritmas bëri shtëpi të mirë, makinë të mirë, punësoi vajzat dhe djemtë e tij, hallat e tezet dhe këdo që e njihte, derisa ai vazhdonte të jetonte në varfëri.

Të gjitha këto keqpërdorime dhe shpërdorime bëheshin nga ata që kishin pushtet dhe natyrshëm qytetarët filluan të asocionin korrupsionin me partitë politike dhe politikanët.

Pasurimi i shpejtë i disa politikanëve dhe njerëzve të lidhur me ta përderisa qytetarët u ngujuan në varfëri filloi të reflektohet në zgjedhjet që do të pasonin deri në vitin 2014, ku ndarja mes qytetarëve të rëndomtë dhe atyre që ishin pjesë e strukturave të partive politike u rrit, njëjtë sikurse u rrit edhe hendeku mes atyre që u bën shumë të pasur dhe pjesës tjetër të shoqërisë që mbeti në varfëri.

Natyrisht se një hipotezë e tillë duhet të testohet dhe të mbështetet me më shumë fakte. Arsyet për pjesëmarrje të lartë në zgjedhje menjëherë ‘pas luftës’ dhe rënia e interesimit në vazhdimësi kanë shumë shpjegime tjera, por korrupsioni është ndër faktorët kryesorë sepse ai shkatërroi besimin në parti politike, në liderë dhe në shtet si krijesë që i trajton dhe punon për të gjithë njëjtë.

Partitë politike kishin mundësinë që ‘pas luftës’ të shërbenin si agjentë kryesor të ndryshimit, duke vazhduar në kohë paqe betejen që kishin nisur në luftë. Në vend të shërbimit si agjent të ndryshimit dhe zhvillimit, partitë politike u ktheyn në mjete për të kontrollu territor, për të pasuruar anëtarët e tyre dhe për të rritë pushtetin dhe ndikimin e udhëheqësve të tyre pafundësisht.

Pothuasje çdo biznes i suksesshëm, në një mënyrë ose një tjetër, sot është i lidhur me politikanë. Kompanitë që importojnë naftën në të bardhë e në të zezë e që shesin zejtin për naftë, ato që importojnë miellin, që importojnë barrëra, ato që importojnë cigare dhe alkool, ato që importojnë material ndërtimor e ato që ndërtojnë ndërtesa të larta e ato që vendosin haraq ndaj diasporës, janë të lidhura me politikanë. Madje edhe kompanitë që bëjnë kontrabandë me drogë dhe me gjithçka tjetër u lidhën me politikanë të korruptuar që pas vetes kishin policë, doganierë, inspektorë dhe zyrtarë shtetëror të korruptuar deri në palcë që shtetin e konsideruan si plaçkë.

Me të drejtë, korrupsioni më shumë se kujtdo tjetër në Kosovë, duhet t’i faturohet partive politike, liderëve dhe njerëzve të lidhur me ta të cilët partinë politike e kanë shndërruar në një makinë zhvatëse jo vetëm për t’u pasuruar, por edhe për të krijuar dhe ushqyer një rrjet kriminal në shoqëri të cilët udhëheqin institucionet më të larta dhe bizneset më të mëdha. Një sistem i tillë i funksionimit të shtetit në itali do të quhej MAFIA, por ne kemi frikë të pranojmë këtë cilësim.

Pasojat e korrupsionit

Një ndër pasojat direkte të korrupsionit është rrënimi i besimit të qytetarëve në institucione. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse ndikon direkt në moszhvillimin dhe progresin e shoqërisë.

Korrupsioni krijon një antipati tek qytetarët se ata mund të ndryshojnë gjërat dhe se ndjehen të pavlefshëm në shoqëri.

Ka disa forma se si vërhet antipatia shoqërore e shkaktuar nga korrupsioni. Së pari ajo reflektohet në nivelin e pjesëmarrjes në zgjedhje. Kur shoqëria kupton, sikurse ka ndodhë në Kosovë, që elita politike është e korruptuar; se premtimet elektorale janë të rrejshme dhe se çfarëdo zgjedhje që ata bëjnë nuk do të ndryshojë jetën e tyre, ata thjeshtë dorëzohen. Kur qytetari i jep vetës kurajo dhe i var shpresat tek liderë që e zhgënjejnë vit pas viti e zgjedhje pas zgjedhjesh, atëherë ai ndalon së shpresuari.

Së dyti, ajo reflektohet tek protestat. Protestat janë mjet për të shpreh paknaqësinë dhe për të inicuar ndryshime shoqërore kur qytetarët vërejnë se drejtimi politik nuk përkon me vullnetin e tyre. Qytetarët kanë protestuar për shumë qështje në Kosovë, por protestat nuk kanë rezultuar me zgjidhje. Së pari sepse protesta është përdorur shpesh për qëllime politike, së dyti sepse sistemi nuk ka regaur ndaj protestave. Rrjedhimisht, qytetarët, në masë të madhe kanë hequr dorë nga protesta si mjet për të luftuar sistemin dhe për të bërë ndryshime.

Korrupsioni dëmton besimin e qytetarëve në parti politike, që dëmton edhe besimin në zgjedhje të ndershme dhe të lira. Mosbesimi në parti politike bën që të të rritet mosbesimi ndaj kuvendit të Kosovës dhe qeverisë. Kjo bën që deputetët të shihen si zgjatim i partive dhe jo si përfaqësues të qytetarëve, kurse qeverinë ta shohin si aparat për realizimin e interesave të partisë dhe jo në shërbim të të gjithë qytetarëve

Korrupsioni dëmton besimin në drejtësi. Gjyqësori është shpresa e vetme për ndërtimin e një vendi demokratik, por kur gjyqtarë dhe prokurorë zgjedhen apo i nënshtrohen qeverisë dhe politikanëve; kur prokurorët fillojnë hetime ndaj kundërshtarëve politikë të pushtetit; apo kur refuzojnë të nisin hetime, përkundër provave dhe fakteve të mjaftueshme, sepse do të mund të burgosin politikanë dhe njerëz të lidhur me ta që ushqejnë biznesin e përbashkët; apo kur gjyqtarët e zëvendësojnë dënimin me një favor,  kjo humb shpresën dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.

Pjesa III

Ndërkombëtarët pro dhe kundër korrupsionit

Në këtë antipati shoqërore kanë ndihmuar jo pak edhe ndërkombëtarët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, BE-ja dhe ambasadorët e huaj në Kosovë kanë një ndikim të madh në shoqëri.

Kur ata flasin, qytetarët dëgjojnë.

Por qëndrimi i tyre nuk ka qenë koherent me qytetarët. Ka shumë raste kur edhe vetë zyrtarët ndërkombëtar ëjanë përfshirë në afera korruptive për t’u pasuruar shpejt në një vend të varfër dhe të pazhvilluar.

Qytetarët nuk ndjejnë dashuri për korrupsionin, për liderët e korruptuar, për partitë kriminale dhe të korruptuara, por kur përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar përkrahin hapur udhëheqës politikë të cilët janë përgjegjës për krijimin e një sistemi korruptiv dhe kriminal, qytetarët janë të mbështetur për muri.

Shprehjet si: ‘p’e don Amerika’ ‘p’e don Anglia’ ‘p’e don BE-ja’ dhe ‘hajt se sa t’i ka amerikant përmas kurrë s’kanë m’u hjekë’ nuk janë shprehje simpatie, por vijnë nga zemra e lënduar e qytetarit i cili e ndjen vetën të pafuqishëm për të luftuar jo vetëm përfaqësuesit e zgjedhur por edhe ndërkombëtarët të cilët me veprimet e tyre mbrojnë një elitë të korruptuar.

Së fundmi ‘ndërkombëtarët’ e kanë ndërruar qasjen. Tani ata dëgjohen të përmendin më shpesh korrupsionin dhe përçmimin për liderë të korruptuar dhe shprehin habi se si ne (qytetarët) nuk protestojmë kundër korrupsionit dhe liderëve të korruptuar dhe kërkojnë nga ne mirëkuptim kur ata takojnë liderët shtetëror, sepse janë të zgjedhurit tanë.

Ndoshta edhe kanë të drejtë, ne kemi ‘zgjedhur’ liderë të korruptuar për të na përfaqësuar nga ‘mosdija’. Por ndërkombëtarët e kanë të vështirë të na bindin se kur ata dalin në drekë me një lider të korruptuar po e bën këtë nga zori dhe protokolli; apo kur një ambasador shkruan në Twitter kundër protestës, kundër opozitës e kundër qytetarëve, se po e bën këtë në shërbim të qytetarit dhe vendit. Kur një ambassador merr pjesë në çdo event festiv e dekorativ me liderë dhe ulet përkrah tyre, ai i jep atyre legjitimitet karshi qytetarëve, të cilët janë të bindur se ‘sa t’i ka amerikant përmas kurrë s’kanë m’u hjekë’.

Ambasadorët janë diplomatë. Ata dinë se si dërgohet një mesazh përkrahje dhe si dërgohet një mesazh kundërshtimi. Ata munden lethë të bojkotojnë liderë të partive për të cilët populli nuk ndjen dashuri, kjo do të mjaftonte për të dërguar një mesazh tek qytetarët.

Si të luftohet korrupsioni

Korrupsioini nuk do të luftohet për një ditë.

Partitë politike kanë shpenzuar 16 vjet për të instaluar kulturën e tyre korruptuese në sistem dhe është iluzion të pretendojmë se korrupsioni do të zhduket në një ditë të vetme.

Në një sistem ku zyrtarët publik të lidhur me politikanë negociojnë kriteret e një tenderi me bizneset e tyre, hapi i parë që duhet bërë është hapja e sistemit dhe ngritjes së transparencës.

Rritja e transparencës në prokurimin publik është jetike për të monitoruar taksat tona. Kjo duhet të fillojë me prokurimin elektronik, me hapjen e kontratave dhe të gjitha faturave që paguhen nga taksat e qytetarëve e deri te publikimi tyre online ku të gjithë qytetarët do të mund t’i shohin.

Duhet të ekspozojmë ata që keqpërdorin paret nga taksat e qytetarëve duke i hapur buxhetet në nivel qendror dhe lokal; duhet të hapim prokurimin publik dhe procedurat e tenderimit duke ekspozuar kompanitë përfituese, numrin dhe shumën e kontratave që përfitojnë dhe të dimë pronarët e vërtetë të kompanive duke larguar ligjet që fshehin aksionarët e lidhur me politikanë.

Pastaj duhet të dimë se si të veprojmë me korrupsionin që ekspozohet. Kjo nënkupton që të sjellim ata që keqpërdorin pushtetin para drejtësisë.

Lehtë të thuhet, a po?

Nëse jemi vërtetë serioz në luftën kundër korrupsionit atëherë nuk ka zyrtar që nuk mund të burgoset, qoftë ai president i vendit apo qytetar i thjeshtë, por që kjo të ndodhë, rregullat e lojës duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Nuk mund të ketë një lloj të rregullave për qytetarët e thjeshtë dhe një lloj tjetër për zyrtarët e lartë.

Duhet të fillojmë me ligjet. Ligjet duhet të ndryshojnë, sidomos ato që rrisin transparencën për shpenzimet publike dhe që bëjnë të mundur që çdo person të justifikojë pasurinë e krijuar në mënyrë të ligjshme para prokurorit.

Dhe ka vende ku ne duhet të mësojmë. Në Singapor, i cili ka pasur një problem të madh me korrupsionin, në vend se prokurorët të provojnë fajsinë e të korruptuarve, ata kanë bartur barrën e provës tek të akuzuarit duke bërë që të akuzuarit të dëshmojnë se si ata kanë fituar pasurinë e tyre në mënyrë të ligjshme, qoftë edhe jashtë Singaporit.

Një ligj i tillë në Kosovë do të mundësonte që të hetonim të gjithë ata që u pasuruan shumë dhe shpejt. Politikanë, biznesmenë që nga qytetarë të thjeshtë u bën milionerë brenda natës, duhet të dëshmojnë para prokurorëve se si ae krijuan këtë pasuri në një kohë kaq të shkurtër derisa qytetarët e tjerë të thjeshtë mbetën në varfëri.

Pasuria e fituar në mënyrë korruptive dhe të jashtëligjshme duhet t’iu kthehet qytetarëve.

Veprime si këto, ku ata që u pasuruan shpejtë, shumë e paligjshëm marrin dënimet e merituara dhe përfundojnë në burg, kthejnë besimin e qytetarëve në institucione dhe rritet besnikëria për shtetin.

Ndëshkimi i inspektorëve tatimorë, ndërtimorë, e sanitarë të korruptuar do të bëjë që të rritet përgjegjësia dhe integriteti në punë; ndëshkimi i policit i cili kërkon ryshfet në këmbim të zbatimit të ligjit bën që të rritet përgjegjësia dhe integriteti i policit. E njëjta ndodhë edhe në nivel të lartë të pushtetit. Ndëshkimi i liderëve partiakë dhe politikanëve të korruptuar, zyrtarëve të lartë shtetëror dhe i bizneseve të lidhur me ta do të ndihmojë në distancimin e qytetarëve me këtë rrjet korruptiv dhe kriminal duke e hapur shoqërinë që të frymojë lirshëm.

Qytetarët duan të asociohen me sundimin e ligjit, me punën e ndershme dhe me integritet, duan të ndjehen krenarë me biznesin e tyre dhe për taksat që paguajnë nga djersa e punës së tyre; ata duan të ndjehen të sigurtë për familjen që rrisin në këtë vend;  duan të ndjejnë dashuri për vendin dhe të jenë krenar për shtetin.

Është koha që t’u japim qytetarëve atë që meritojnë.

__________

Autori është zv. Drejtor dhe Menaxher i Programeve në Lëvizjen FOL

Shkrimi është pjesë e projektit të Qendrës për Edukim dhe Antikorrupsion në Lëvizjen FOL. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Lëvizjes FOL.

___________

Më shumë nga tema kundër korrupsionit:

Agon Maliqi: Korrupsioni, perceptimi dhe MCC

Dita Dobranja – Korrupsioni, ky përbindësh ynë nën shtrat

Armend Mazreku – Korrupsioni nuk është problem!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.