Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Çmimi i pa(qes)jtimit?

Foto nga Adobe Stock.

Të shtunën, më 25 gusht në Alpet austriake, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i thanë botës se nuk janë “njerëz problematikë” dhe se marrëveshja gjithëpërfshirëse e shumëpritur për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do jetë një “marrëveshje paqeje”. Edhe pse thelbi i mesazhit të tyre të përbashkët nuk duhet të ishte i diskutueshëm, performanca e këtij tandemi në Forumin Evropian Alpbach jo vetëm se nuk nxiti entuziazëm, por mobilizoi pjesën më të madhe të publikut intelektual, analitik, të ashtuquajturit think tank, dhe ish-diplomatik në Perëndim dhe Ballkan, dhe atë – kundër “marrëveshjes së tyre të paqes”.

Ishte gushti i vitit 2017 kur isha në udhëtimin nëpër Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për herë të parë dëgjova që Vuçiq dhe Thaçi i kishin propozuar Merkelës këmbimin e territorit. Veriu i Kosovës do t’i shkonte Serbisë, një pjesë e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës Kosovës e Serbia do ta pranonte Kosovën me kufij të rinj. Pas njohjes nga Serbia, Kosova do të njihej edhe nga anëtarët e mbetura të BE-së, pasuar me anëtarësim në OKB. Në rastin më pak të parashikuar – që Rusia të vazhdonte politikën e saj ndaj Kosovës dhe prapëseprapë të bllokonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, Kosova do të arrinte synimin politik disashekullor të bashkimit me Shqipërinë, gjë me të cilën automatikisht do të trashëgonte vendin e Shqipërisë në OKB, NATO dhe statusin e kandidatit në negociatat me BE-në. Megjithatë skenari rezervë nuk do t’i përshtatej Serbisë assesi për shkak të statusit të komunitetit serb në këtë Shqipëri të re, prandaj do të pritej që të bënte të gjitha përpjekjet për të mos ndodhur bllokada e Kosovës. Për herë të parë që nga viti 2008, Serbia me zell do të avokonte për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Në atë kohë nuk e morëm në konsideratë dimensionin njerëzor sepse vetë skenari dukej joreal, jo në aspektin e zbatimit, sa në aspektin e fitimit të mbështetjes ndërkombëtare për zbatimin e tij. Kështu kaluan muajt dhe shkëmbimi mbeti skenar sci-fi, të cilin Ivica Daçiq kohë pas kohe përpiqej ta vinte në agjendë para publikut pa sukses. E gjithë vëmendja e publikut u përqendrua në krijimin e Asociacionit famëkeq të Komunave serbe – subjekt i debatit të zjarrtë politik dhe ligjor në publikun e Kosovës. Kështu ishte deri në korrik të këtij viti kur ambasadori i SHBA-së në Prishtinë inkurajoi të dy palët që në mënyrë të pavarur të dakordohen për përmbajtjen e marrëveshjes përfundimtare, pa thënë në mënyrë eksplicite se shkëmbimi i territorit nuk ishte opsion i pranueshëm, madje përkundër disa pyetjeve nga gazetarët të cilat ofruan hapësirë ??të mjaftueshme që ambasadori të distancohej nga kjo ide, nëse e dëshironte këtë.

Që atëherë, situata ka filluar të zhvillohet me shpejtësi në favor të idesë së shkëmbimit, krejt deri disa ditë para 4 gushtit dhe incidenteve të paralajmëruara; gumëzhima e mediave jo vetëm se e krijoi ndjenjën në publik se ky skenar jo vetëm se është real, porse mund të ndodhë në çdo moment. Fatmirësisht, erdhi edhe data katër dhe kaloi pa incidente, por ideja e këmbimit vetëm fitoi më shumë vëmendje.

E efektet e idesë? Në pajtim me manifestimin e saj të mundshëm – demarkues. Ideja po e thyen skenën politike të Kosovës dhe Serbisë, dy publiket përbrenda, komunitetin akademik, sektorin joqeveritar, por çuditërisht, jo vetë komunitetet – serb dhe shqiptar. Të paktën jo ende. Qytetari i rëndomtë, së paku këtu në veri, nuk është tepër i ngarkuar me idenë e ndarjes. Një pjesë shpreson në ndarje, një pjesë nuk beson se ndarja do të ndodhë, një pjesë nuk e duan ndarjen nëse vjen me njohje, ndërsa të tjerët duke iu falënderuar bombardimeve të vazhdueshme me informacione, analiza dhe skenarë – janë të molisur aq shumë saqë janë të gatshëm të pranojnë çfarëdo zgjidhjeje, për aq kohë sa kjo nënkupton se do të pushojnë të jenë subjekt i fushatave të pamëshirshme mediale dhe politike.

Natyrisht, askush nuk mund të thotë me siguri se shkëmbimi i territorit dhe njohja me të vërtetë janë qëllimi përfundimtar i dy presidentëve, por shumica e përpjekjeve të publikut kanë për qëllim parandalimin e një zgjidhjeje të tillë të dialogut të Brukselit. Këtu duhet dhënë mirënjohje ekipeve mediatike të këtyre dy liderëve, të cilat me aq precizitet kanë formuar debatin saqë në publikun serb flitet vetëm për mjetin (ndarjen), por jo qëllimin e negociatave (njohjen). Nga ana tjetër, në publikun kosovar po zhvillohet një maskaradë e mirëkoordinuar e pluralizmit dhe e përfshirjes së të gjithëve në procesin kyç në qeveri – negociata, kur realisht as vetë kryeministri nuk është i informuar për të gjitha planet e presidentit.

Kur flitet për aspektin e pa(qes)jtimit, ideja e shkëmbimit dhe efektet e saj të mundshme për shumë njerëz në rajon janë të tmerrshme, e më së shumti komunitetin serb në jug të “demarkacionit”, si dhe për boshnjakët. Në publik, çdo herë e më shumë përdoret sintagma “Kutia e Pandorës”, sintagma e njëjtë që rezononte në vitin 2008 nga goja e kundërshtarëve të shumtë të pavarësisë së deklaruar të njëanshme. Përderisa efekti i mundshëm kauzal i ngjarjeve në Kosovë ndaj BeH është i vështirë për t’u matur, është shumë e lehtë për të parashikuar të ardhmen e serbëve të Kosovës në jug të Ibrit, sepse tashmë është në atë rrugë. Pjesa e mbetur e institucioneve serbe do të shpërbëhet plotësisht, edhe pse realisht mund të pritet që institucionet arsimore të mbeten nën administrimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, e ato të shëndetit të mbështeten financiarisht; me shuarjen e institucioneve serbe, shumë familje do të ndërrojnë pagat me pensione speciale; mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të pakicave do të vihen në pikëpyetje, niveli i zbatimit të këtyre të drejtave nuk do të jetë më i keq sepse nuk mund të jetë më keq dhe komuniteti do të vazhdojë të zhvendoset. Komuniteti ka frikë të madhe sa i përket çështjes së sigurisë dhe mundësisë së eksodit të dhunshëm. Personalisht, mendoj se në skenarin e ndarjes nuk ka hapësirë për dhunë, jo pasi presidentët paralajmëruan se do të jetë “marrëveshje paqeje”, por kjo nuk përjashton mundësinë që ndonjë incident i dhunshëm të mos inskenohet nga dikush që dëshiron të sabotojë një plan të tillë.

Për fat të keq, këto nuk janë faktorë që luajnë rol të rëndësishëm në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa të gjithë tashmë janë trajnuar sa duhet për të “fshehur nën tepih” informatat rreth situatës së komunitetit serb në Kosovë dhe se kjo nuk do të jetë ndonjë risi. Ajo që luan një rol serioz është aftësia e negociatorëve për të garantuar zbatimin e marrëveshjes dhe çimentimin e statusit të Kosovës. Serbia duhet ta njohë Kosovën nën kërcënimin e izolimit; Kosova duhet të paguajë njohjen me koncesione të caktuara nën kërcënimin e bllokadës së mëtejshme ndërkombëtare. Ky koncesion do të jetë ose AKS-ja ose një pjesë e territorit, e sipas të gjitha gjasave, Kosova do të zgjedhë këtë mënyrën e dytë, më efikase të deserbizimit. Gjithsesi se ka alternativa për skenarin e njohjes me shkëmbim, më e dukshmja është ajo në të cilën marrëveshja nuk ndodh dhe komuniteti serb në Kosovë mbetet të merret me pakënaqësinë në rritje të komunitetit shumicë, për shkak të mungesës së progresit në të gjitha prioritetet e politikës së jashtme. Alternativa më pak e mundshme është ajo në të cilën çështja e statusit shtyhet për një periudhë prej disa dekadash gjatë së cilave Kosova do të ketë mundësi qe më trajtimin e mirëfilltë të pakicave “të fitojë” njohjen në të ardhmen e largët ose prapë të “paguajë” mosbindjen me një pjesë të territorit në një referendum të mundshëm ku do të deklaroheshin qytetarët e veriut të Kosovës. Ky skenar është edhe më së paku real, sepse nënkupton një të panjohur të madhe, e kjo është kush do të jetë në pozitat e negociatorëve në atë të ardhme të largët.

Kjo na kthen në aftësinë e negociatorëve për të garantuar zbatimin e asaj që dakordohen. Ky është përbërësi sekret i recetës së shkëmbimit dhe nënkupton një tandem presidentësh nga fillimi, i cili është i pozicionuar në mënyrë unike për të hequr problemin e Kosovës nga agjenda e marrëdhënieve ndërkombëtare për një kohë të gjatë. Nëse Aleksandër Vuçiq, në pozicionin e pushtetit në të cilën është tani, nuk bëhet ai që do ta njohë Kosovën, asnjë politikan serb në dekadat e ardhshme nuk do të jetë as afër arritjes së diçkaje të ngjashme. Edhe pse as Vuçiq nuk është i plotfuqishëm, ai mund të mbijetojë politikisht njohjen e Kosovës vetëm me një koncesion serioz që do t’ia paraqesë publikut serb si një fitore, drejtim në të cilin do të zhvendoste vëmendjen e publikut. Nga ana tjetër, në atmosferën e cila zotëron në shoqërinë kosovare, e që është e bindur se çdo kompromis ndaj Serbisë tashmë është bërë, asnjë politikan kosovar, përveç Thaçit, nuk do të jetë në gjendje t’i japë Serbisë edhe një kompromis tjetër, përfundimtar. Ky është cul-de-sac për të cilin po bëhen të vetëdijshëm faktor të shumtë vendimtarë në botën e diplomacisë, prandaj edhe jemi dëshmitarë të ndryshimit të qëndrimeve dikur rigide për paprekshmërinë e kufijve.

Dhe, në fund të kësaj, nuk mund të mos e përmend punën time dhe të kolegëve të tjerë, ndër të cilët është edhe bashkëbiseduesja ime e respektuar, dhe të cilët, si kampionë të shoqërisë civile, kanë shtyrë përpara të gjitha iniciativat e pajtimit dhe bashkëjetesës. Puna jonë kurrë nuk doli nga hija e marrëdhënieve politike të ashpërsuara të dy qeverive, as nuk ishte e mundur kjo, ndërsa tani është para mundësisë reale për t’u shpallur krejtësisht e kotë. Megjithatë, do të shfrytëzoj këtë mundësi për të ftuar bashkëbiseduesen që në reagimin në këtë kolumnë të vazhdojë të kontribuojë në të kuptuarit e dy palëve dhe një pjesë të kolumnës t’ia dedikojë përgjigjes në pyetjen e cila mendoi se do të ishte interesante për audiencën primare të kësaj kolumne, përkatësisht serbët e Kosovës: “Pas viteve të negociatave dhe zbatimit gjysmak, cila zgjidhje në formë të marrëveshjes përfundimtare është më e pranueshme për shumicën e shqiptareve të Kosovës: Shkëmbimi i territorit ose AKS, respektivisht autonomia për komunitetin e serbëve të Kosovës? A mund të na sjellë paqe ndonjë nga këto opsione?”

———–

Sbunker e boton këtë kolumne të përkthyer dhe të botuar në origjinal nga portali KoSSev. Ky portal, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, nis rubrikën e re Millica dhe Jeta, në kuadër të faqes Dialogu. Aktivistët civile Millica Andriq nga Zubin Potoku dhe Jeta Krasniqi nga Prishtina do të shkëmbejnë qëndrimet rreth çështjeve aktuale të popullit serb dhe shqiptar dhe marrëdhënieve të tyre të ndërsjella në muajt në vijim. Rubrika publikohet në kuadër të projektit “Përkrahja në krijimin e lidhjeve shoqërore dhe mbrojtjes së pakicave në Kosovë”. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet e vetë autoreve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e redaksisë së KoSSev-it dhe donatorëve.

Nga gjuha serbe tekstin e përktheu: Bruno Neziraj – https://kossev.info/cena-pomirenja/

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.