Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Fragmente të padobishme

***

Romanca amerikane e zhanrit komedi-dramë La La Land mbi të gjitha vë në pah dinjitetin e humbur të artistit. Rolin e tij në shoqërinë përkatëse dhe funksionin që e ka përballë realiteteve ekzistuese. I hedhur si copë muti në fushën e kërkesës absurde të masës, ai thjesht, ushqen të tjerët përderisa trishton veten. Në mes këtyre dyjave esktremeve qëndron ashpërsisht tensioni fatal i së përditshmes, që për arsye të ndryshme, na ndëshkon ta bëjmë atë që nuk e duam. Atë që nuk e kemi në kokë dhe atë për të cilën nuk jemi të thirrur, në mes thirrjesh të ndryshme kozmike. Në të kundërtën artisti do të dëbohet si një qen. Pa fat. Pa të ardhme. Pa ndonjë rol. Thjeshtë me një ëndërr të shtypur e të larë nga djersa e grushteve. Filmi i cili në minutat e para është një film gati i bajatshëm, mbi të gjitha është një vërejtje mbi banalitetin e jetës. Dhe përmbajtjen e saj makabre. Ngase në fund të fundit a ka më fyese sesa të mos guxosh të luash atë çfarë dëshiron, të mos lexosh atë që ta ndjen zemra, të mos e ndjesh atë për të cilën e ke të nevojshme. La La Land nuk është bash një tokë e La La-së më shumë se sa tokë e pamundësisë për ta kënaqur zemrën me atë që gjithmonë e ke ëndërruar. Ne sado që mund ta kapim kuptimin e vetes gjithnjë pas nesh dallojmë gjurmët e dashurive, që jehojnë si kambana në Jazz Clubet e dhimbjeve njerëzore. Ky është argument i pathyeshëm ndër shekuj. Ndër kohëra.

***

Disi kurrë më shumë se në këtë kohë nuk më jepet të them ndonjë gjë. Asnjë mendim nuk gjen veten. Asnjë ide nuk është e duhur. Asnjë fjalë nuk është e nevojshme. As që dua ta di se në cilën ditë të javës gjendemi. As në cilin vit. As në cilin shekull dhe as në cilën botë. Jam një kryengritës bosh. Luftoj ndaj diçkaje bosh. Dhe e gjithë ardhmëria ime ka të bëjë me filxhanin e kafes. Nuk besoj në heronj. Në fat dhe në dritaren e hapur. Njerëzit në çdo çast mund ta tradhtojnë veten e tyre. E kanë të pamundur të ikin nga tragjizmi epik që i mbështjellë. Djajtë kanë strofullën e tyre legjendare në zemrat joshëse, që marshojnë drejt gjakut. Disa e dinë. Dhe mirë që e dinë. Disa nuk e dinë. Dhe mirë që nuk e dinë. Jam si një hije duke besuar me çdo kusht se kjo është epoka jonë më e lavdishme. Kujt i duhet e vërteta. Unë hoqa dorë dje. Dhe atë hoqa dorë dy herë. Lexoj dhe kulloj në ujin e qetë të gotës së xhamtë. I trishtuar nga gara e këmbëve të mprehta. Artist fund e krye. Aspak mendjemadh dhe me koqet deri në gjunjë. Aspak modest. Si një Henry Miller me afat të skaduar. I vdekur shpirtërisht. I gjallë fizikisht. Moralisht i lirë.

***

Në fundin e të gjitha gjërave më qëndron e zgjuar ende, një dëshirë e pamundshme. Po të ishte e mundshme mbase nuk do të quhej e tillë. I hidhëruar në çdo realitet. Dhe në të njëjtën kohë zhytur në të. Kurrë më shumë se pak para çeljes së luleve ndjej të bëhem fëmijë. Nuk jam fare i impresionuar që jam bërë burrë. Nuk më kanë pëlqyer kurrë të rriturit. Nuk më kanë pëlqyer kurrë dijet e tyre dhe thonjtë që fërshëllejnë në ajër. Gjithmonë bota ime ka qenë në varësi të ëndrrave. Dhe në varësi të idesë vetjake. Dhe si e tillë ajo gjendet brenda kokës sime. Kjo që është nuk është e imja. Kjo që është nuk është e duhura dhe fatkeqësia më e madhe është se nuk e kemi një tjetër. Jam vetmitar. Një flutur e lumtur që përvëlohet në dritë. Apolitik. Atomik. Dhe përgjithmonë i zgjatur. Si një çamçakëz i zjarrtë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.