Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si të zgjedhim kryeministrin me 11 qershor

I dashur votues, më 11 qershor do të shkosh në kutinë e votimit për të zgjedhur kryeministrin që do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme.

Ja cili është lajmi i mirë. Emri i Hashim Thaçit nuk do të jetë në listën e votimit, emri i shefit të shefave, kryeprotagonistit të aferës “pronto”, Adem Grabovci nuk do të jetë në listën e votimit.

Megjithatë, emrat e atyre që u përmendën në aferën pronto do të jenë pjesë e kësaj liste. Emrat e atyre që premtuan punësim, pensione, shkolla, spitale e liberalizim të vizave do të jenë pjesë e kësaj liste. Emrat e atyre që u pasuruan shpejtë dhe shumë përderisa ti e ke vështirë të paguash faturën e rrymës në fund të muajit, janë pjesë e kësaj liste.

I dashur votues, këto zgjedhje vijnë në një moment të ndjeshëm për vendin. Ato vijnë në një moment kur priten jo vetëm vendime të mëdha dhe të guximshme por edhe në një kohë kur është momenti i fundit për të vendosur se çfarë shoqërie dhe shteti duam të ndërtojmë.

Zgjedhja është e vështirë. Zhvillimet e muajve të fundit kanë ardhë si një dush i ftoftë për ty që ende ke besuar dhe ke shpresuar se në politikë ka moral dhe parime.

Tani me siguri je duke pyetur veten se kujt duhet t’i besohet; cili është kandidati dhe partia që do të bëjë atë që thotë; cili është kandidati i cili nuk do të zhgënjejë përsëri? Dhe për këtë dyshim unë nuk të fajësoj. Kur politika nuk funksionon, atëherë të gjitha premtimet duken të thata; kur shpresat të janë thyer vit pas viti ndoshta është më mirë që të mos shpresosh më sepse të gjithë duken të njëjtë.

Natyrisht, ti do të dëshiroje të kishe më shumë zgjedhje, ngase asnjë kandidat dhe asnjë parti nuk përfaqëson atë që ti kërkon, por ja që ky është realiteti, ti duhet të zgjedhësh në mesin e atyre që ke në listë të votimit.

Për shkak se vendimi është i vështirë, po përpiqem të lehtësoj zgjedhjen tënde.

Së pari, mos u huto të shikosh kandidatët për kryeministër si të shkëputur nga partia apo koalicioni që vijnë dhe nga e kaluara e tyre, sepse kandidati është në masë të madhe mishërim i së kaluarës së tij dhe partisë që përfaqëson në kuptimin e vlerave dhe parimeve.

Së dyti, para se të votosh, kujto ato parti dhe kandidatë që të kanë zhgënjyer vit pas viti, aq herë sa ti s’mund të numërosh. Ata nuk lodhen për brengat e tua, problemet dhe mundimet e tua dhe nuk ndjejnë peshën në supet tua sa herë që zgjohesh në mëngjes.

Për politikanët të cilët kanë qenë një kohë të gjatë në politkë, kanë qeverisur e kanë marrë pjesë në zgjedhje, duhet të shikosh nëse ata i kanë mbajtë premtimet që i kanë dhënë, kujtoje se politikanët nuk kanë asgjë më të rëndësishme se sa fjalët që thonë. Politikani i mirë është ai i cili nuk bën premtime të cilat nuk mund t’i mbajë.

E kuptoj, tani je duke qeshë: Ku të gjindet një politikan i tillë në Kosovë?

Bëj durim. Si thua që në zgjedhje të përdorim një formulë të thjeshtë për të zgjedhur partinë dhe kandidatin për kryeministër të ardhshëm. Le t’i vlerësojmë kandidatët për kryeministër me një notë nga 1-10, me 1 duke qenë nota më e dobët dhe 10 duke qenë nota më e lartë.

Formula përfshin katër kualitetet të cilat unë mendoj se duhet t’i ketë një politikan për të qenë kryeministër i vendit.

Për secilin nga kandidatët për kryeministër vendos emrin e tyre dhe një notë nga 1 deri në 10. Në fund, të premtoj se zgjedhjen do ta kesh shumë më të lehtë.

1. INTEGRITETI – sa i sinqertë është kandidati për kryeministër, a ka parime të forta morale, pra a ka kandidati parime që e bëjnë atë të ndjehet i turpërur nëse me vetëdije e thotë një gënjeshtër. Këtu po flasim për atë kandidat/parti i cili nuk e ka problem pse të mashtron vetëm për të fituar votën. Kryeministri i ardhshëm duhet të jetë person me integritet të lartë, pra një person i cili nuk gënjen dhe mashtron, që nuk i ndryshon qëndrimet dhe besimet e tij lehtë dhe që çdoherë vendos për të mirë të qytetarit dhe jo për interesat e tij personale dhe të afërmëve të tij.

2. KAPACITETI – aftësia për të përmbushur kërkesat e tua si qytetar si dhe kërkesat ndaj vendit. Këtu hyn përgatitja profesionale, përvoja dhe edukimi si dhe karakteri dhe personaliteti i kandidatit. Ky është kriter i rëndësishëm pasi një politikan nuk mjafton të jetë i sinqertë, pra të jetë burrë i mirë siç do të thoje ti, por ai duhet të ketë aftësinë dhe mundësinë për të marrë vendime të guximshme të cilat nganjëherë nuk janë shumë popullore por që ai e di se është vendimi më i mirë për qytetarët. Pra me kapacitet të një politikani kuptojmë aftësinë e tij për të zbatuar premtimet dhe për të kryer me sukses punën e vendimmarrësit. Për ta lehtësuar notën që do të japësh ktëu mendo për vendime sikurse lufta dhe paqja, siguria dhe mirëqenia, zhvillimi dhe integrimet. Politikani duhet të ketë kapacitet për të ruajtur paqen, për të rritur sigurinë dhe mirëqenien dhe për të zhvilluar dhe integruar vendin.

3. E KALUARA – dallimi mes jetës së jetuar dhe premtimeve që jep. Ky kriter është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nëse një politikan premton se do të luftojë pasurimin e paligjshëm dhe do të zbatojë ligjin por nuk dihet se si ka krijuar pasurinë e tij, pra vetë ka krijuar pasurinë me vepra korruptive, atij nuk duhet besuar. Një politikani i cili ka të kaluar kriminale apo është i lidhur me grupe kriminale që vjedhin taksat e qytetarëve, nuk duhet besuar. Ky kriter është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse një politikan në qeveri është ai politikan i cili ishte në jetën e përditshme. Nëse në të kaluarën e tij ai ka thyer ligjin, ka ndërruar fjalët, ka vjedhur taksat e qytetarëve për t’u pasuruar, i tillë do të jetë edhe në qeveri.

4. DASHURIA PER VENDIN – cilësia e të shërbyerit për shkak të dashurisë për vendin. Në këtë pjesë të fundit, ti duhet të vendosësh një notë për politikanin i cili shfaq dashuri pakushte për vendin. Zakonisht, ata që e duan vendin e tyre duan të i shërbejnë atij për ta bërë më të mirë, më të fortë, më të dashur. Këta politikanë ndjejnë knaqësi duke i shërbyer të tjerëve. Edhe pse është e vështirë të matësh dashurinë, ti mund të përdorësh të kaluarën e tij/saj për të kuptuar. Kupto se një politikan i cili e don vendin e tij nuk lufton për pushtet dhe nuk e ka problem që të jep dorëheqje dhe të tërhiqet kur gabon, për më tepër ai mundohet që të jap kontributin e tij kudo që është dhe nga cilado pozitë pa kërkuar shpërblim. Politikanët që kanë vjedhur në emër të shtetit të tyre ata nuk ndjejnë dashuri por e shohin shtetin si mundësi pasurimi dhe përfitimi.

Kur t’i mbledhësh notat nga katër kriteret, do të përfitosh notën e përgjithshme. Me gjasë nuk do të gjesh kurrë numrin e përkryer, por ideja është të ndalesh dhe mendosh përtej premtimeve të fushatës, të cilat e dimë se janë kalimtare, dhe të vlerësosh kritere të cilat janë afatgjate, për secilin kandidat. Mos harro se ndryshimi nuk vjen pa e kërkuar. Ne nuk mund të presim që në një kohë tjetër dhe dikush tjetër të bëj ndryshimin.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.