Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Rrënim i shoqërisë nëpërmes fjalës

Bëhu i heshtur ose le të vlejnë fjalët e tua më shumë se heshtja.

Pitagora

 

Përveç që shërbehemi me fjalët në përditshmërinë tonë, që të mundësojmë komunikimin mes vete, që t’i plotësojmë kërkesat tona nëpërmes tyre, ato, pra, fjalët janë më shumë se kaq. Jashtëzakonshmëria e fjalëve qëndron në faktin e zakonshmërisë së tyre a priori, edhe pse jo gjithherë ato kanë shpërfaqje të jashtëzakonshme. Pra, përveç që mëtojnë t’i japin kuptim një mendimi ato janë vetë mendimi (Heidegger). Dhe niveli më i lartë ku na shpien fjalët janë konceptet, si shprehja më e lartë që njeriu si qenie racionale mund të prodhojë. Konceptet janë ato forma, me anë të të cilave ne e kuptimësojmë/ndërtojmë botën që na rrethon dhe i japim kuptim një realitetit të krijuar, sepse siç thotë Gilles Deleuze “Një koncept është një tullë”, përmes të cilës mund të ndërtojmë diçka ose ta hedhim tutje. Shpeshherë varësisht edhe nga konteksti ato marrin ose humbin vlerën. Mirëpo, një gjë është e sigurt se fjalët çdo herë janë të pranishme qoftë duke ndryshuar një gjendje të caktuar, e që bashkë me to do të ndryshojnë edhe vetë ato, qoftë duke ndryshuar edhe vetë ne bashkë me to. Prandaj, siç vërejmë, fjalët janë filli i veprimtarisë sonë. Duke u nisur nga kjo rëndësi që kanë fjalët mund t’i japim shpjegim edhe gjendjes shoqërore në të cilën ndodhemi aktualisht.

Po të kthehemi pak në retrospektivë vërejmë se fjalët dikur për ne kishin shumë domethënie, p.sh., liri, demokraci, republikë, çlirim etj., këto janë vetëm disa fjalë nga opusi i një konteksti të shkuar, të cilat prodhuan tek ne një realitet tërësisht të ri. Fuqia e këtyre fjalëve varej nga vullneti dhe gatishmëria për t’i qëndruar pas tyre. Në komunikimin ndërshoqëror dhe jo vetëm, fjalët në shumicën e rasteve e humbin kuptim kur u mungon argumenti, por edhe kur subjekti nuk qëndron prapa tyre. Prandaj, që nga paslufta e këtej (madje edhe më herët), për shkak të përplasjeve të ndryshme, e sidomos atyre përplasjeve për pushtet fillon një inflacion i fjalës. Çkuptimsimi i saj u bë nga të gjithë ne dhe sot kemi arritur në pikën kur fjala e thënë (qoftë si shenjim apo si shenjuese), nuk ka kurrfarë vlere. Nëse e vëzhgojmë edhe sociologjikisht do të shohim se në një shoqëri kur ndodh degradimi i fjalës aty, vetë ajo shoqëri përfundon në degradim. Andaj, sot shoqëria kosovare është e dezorientuar, e pafuqishme dhe pa ndonjë vizion të qartë për të ardhmen për shkak të këtij lloj degradimi.

Mirëpo, shtrohet pyetja si erdhëm deri te kjo gjendje ku fjala nuk vlen as pesë para?! (sic!) Që nga paslufta tek ne njeriëzit (sidomos të pushtetshmit) filluan ta atakojnë njëri-tjetrin publikisht për lloj-lloj delikuencash, deri edhe për krimet më monstruoze. Në fillim për masën ishin tronditëse këto akuza, por që shumë shpejt u bënë pjesë e reportuorit të mbarë shoqërisë. Thuhet se melodia sado e keqe që mund të jetë në fillim, nëse i ekspozohet veshit shpesh, atëherë këtij të fundit nuk i bën më përshtypje. Kështu ndodhi edhe me ne, u tronditëm në fillim, por dikur dashtë e pa dashtë u bëmë edhe pjesë e lojës. Kështuqë, edhe pas shpalljes së pavarësisë, kur ne do t’mund të krijonim mekanizma efikas që e mbrojnë qytetarin nga ky ‘rrezatim’, akuzat ndaj njëri-tjetrit nuk kishin të ndalur. Akuzat gjatë gjithë kohës ishin dhe janë serioze, si: ai është vrasës, i korruptuar, tradhtar, dhunues, spiun etj., dhe kjo shpërfaq dy elemente: i pari; është se ne nuk kemi mundur të ndërtojmë mekanizma efikas shtetëror ku e mbron qytetarin nga vërtetësia e diçkaje si gënjeshtra dhe e vërteta dhe elementi i dytë, por shumë tronditës është, se pavarësisht sa e rëndë mund të ishte akuza (fjala) kjo nuk kishte më rëndësi për ne, sepse tanimë përveç se na është mësuar veshi, jemi bërë edhe pjesë e kësaj loje të ndyrë. Andaj, kemi arritur në pikën kur Oscar Wilde thoshte se “Veprimet janë tragjedia jonë e parë në jetë, fjalët janë të dytat. Fjalët janë ndoshta më të këqijat. Fjalët janë të pamëshirshme.” Për këtë, në këtë rast mendoj se janë dy defekte të cilat kanë mundësuar që ligjërimi ynë, sidomos ai publik të degradohet me patos, e që njëkohësisht edhe e ka pamundësuar një shprehje normale shoqërore.

E para: defekti i drejtësisë është një nga të metat kryesore të shoqërisë dhe shtetit tonë. Institucionet e drejtësisë janë kontribuese direkte të kësaj gjendje, për faktin se ato janë të thirrura që ta mbrojnë secilin nga çfarëdo cenimi që mund t’u kanoset, e përgjegjësi të cilën nuk e kanë përmbushur qoftë edhe minimalisht. Përderisa janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen publikisht akuza nga më të rëndat dhe institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asgjë për vërtetësinë e tyre, atëherë me këtë kanë fuzionuar një gjendje të tillë në publik. Duhet të kemi parasysh se këto institucione kanë përgjegjësi që në raste të tilla të na sqarojnë se çka është e vërtetë dhe çka është gënjeshtër dhe në mungesë të këtij sqarimi ne si shoqëri kemi përfunduar në atë lloj diskutimi ku akuzojmë secilin për çdo gjë, bazë e pa bazë dhe pa e pasë frikën se dikush (e që ish dashtë) të na kërkojë fakte/përgjegjësi për fjalën e thënë.

E dyta: në një gjendje të tillë mosfunksionimi, partitë politike dhe jo vetëm, nuk hezituan që temat të cilat ishin/janë për t’i adresuar nëpër gjykata, i adresuan jashtë tyre, pra në publik dhe kjo krijoi një mosbesim ndaj partive mes tyre, po ashtu një mosbesim qytetar karshi partive politike dhe institucioneve në përgjithësi; domethënë mosbesim edhe ndaj shtetit. Prandaj, në këtë kontekst është shumë e qartë se pse partitë politike tek ne shërbehen me diskursin popullist vulgar dhe fitojnë terren politik. Pra, mungesa e mekanizmave përgjegjës për t’i mundësuar qytetarit që të bëjë dallimin mes një të pavërtete dhe të vërtetës, i ka hapë perspektivë njerëzve dhe grupacioneve të ndryshme që të katapultohen në politikë dhe në jetën publike, pa pasur një kod minimal etik të mirësjelljes, por që me injorancën e tyre kanë treguar një arrogancë si ndaj kundërshtarit politik ashtu edhe ndaj shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Prandaj, pasojat e krijuara nga kjo qasje destruktive e gjithanshme dhe nga gjithsecili vetëm sa e ka thelluar mungesën e besimin në sistemin politik. Pothuajse, në shoqërinë tonë askush nuk i beson askujt. Kjo ka marrë përmasa të gjithëmbarshme – nuk i besojmë mjekësisë, nuk i besojmë shkollës, as drejtësisë, as politikës, madje nuk i besojmë as njëri-tjetrit dhe kjo krejt falë kësaj mënyrë çoroditëse të vendosjes së komunikimit të ndërsjellë. Kështu, integriteti politik i qytetarëve është bërë lehtë i lëndueshëm edhe për faktin se sistemi i drejtësisë ka dështuar që ta mbrojë atë nga kjo qasje destruktive, por është bërë i lëndueshëm edhe nga trajtimi arrogant i politikës. Dhe në një gjendje të tillë këtu vijnë në shprehje forma të ndryshme ideologjike të gjithfarëllojshme me pretendimin se ato do ta rikthejnë dhe ngrisin nivelin moral të shoqërisë dhe kështu vetëm sa futemi edhe më shumë në qorrsokak. Dhënia lehtësisht e mundësisë secilit që të mund të dalë në publik dhe të flasë çdo gjë pa kurrfarë mbulese dhe pa ndjenjën e përgjegjësisë për fjalën e thënë, e ka pamundësuar dhe e ka ngulfatur mundësinë e një qasjeje racionale. Zhbërja apo pamundësia e rithemelimit të një kodi minimal etik dhe racional të komunikimit të ndërsjellë, ka krijuar hendeqe aq të thella në mbarë shoqërinë. Prandaj, zhvatja që i është bërë fjalës gjatë gjithë këtyre viteve, e ka sjellur shoqërinë në një kolaps të tillë ku funksionimi normal i mekanizmave shtetëror dhe shoqëror pothuajse ka dështuar tërësisht. Andaj, kthjellja nga një gjendje e tillë duhet të fillojë aty ku ka nisur, tek rikthimi dhe ndërgjegjësimi ndaj fjalës. Pa një ndërgjegjësim rreth asaj se çfarë themi nuk do t’mund të funksionojmë normal as si shtet dhe as si shoqëri.
___________

Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Sbunker dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Parandalimi i ekstremizmit përmes Programit për Mendimin Kritik” që implementohet nga Sbunker, përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim -ATRC.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.