Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Mbi sëmundjet e shoqërisë moderne

Shkrimi në thelb është një analizë kritike mbi shoqërinë moderne në të cilën jetojmë, duke cituar herë pas here kritikët më të mëdhenj të saj. Në fillim, shkurtimisht do të trajtohen të mirat që ka sjellë në fillim moderniteti, siç është ndriçimi i mendjes njerëzore nga errësira mesjetare, por në anën tjetër do të plasohen edhe kritikat me të mëdha ndaj vlerave, mbi të cilat frymon sot shoqëria moderne. Me shoqëri moderne, në kontekstin e shkrimit, u referohen vetëm shoqërive demokratike perëndimore.

Se moderniteti i ka sjellë begati njerëzimit, kjo nuk ka mëdyshje. Modernja, e solli revolucionin industrial e teknologjik, duke bërë të mundur përhapjen e shkrim-leximit në të gjitha hapësirat e banuara, edhe në ato më ruralet. Falë modernitetit, potenconin Gellner, Hobsbaum dhe Anderson, u lindën shtet-kombet me veçantitë që i njohim sot. Moderniteti solli Iluminizmin, prej të cilit më pas lindën shumë ide (dhe shkolla) të reja politike si liria, barazia, të drejtat e njeriut, laiciteti, pluralizmi politik, diversiteti kulturor etj. Këto ide, e transformuan rrënjësisht botëkuptimin dhe qasjen se mbi cilat parime duhet të ndërtohet shoqëria e re. Epoka e errët e doktrinave të absolutizmit fetar u fundos, duke i lënë vend epokës së njeriut të lirë. Mes pushtetit material (perandorak) dhe atij shpirtëror (autoritetit fetar), lindi një pushtet i tretë; individualiteti. Ky produkt i modernitetit, çmitizoi pushtetin hynor, asgjë më nuk është e shenjtë, përjashtim lirisë individuale, thoshte Tzvetan Todorov, në veprën e tij “Fryma e Iluminizmit”.

Por, çdo progres shoqëror pasohet edhe me një regres, pohonte Zhan Zhak Rusoi. Atomizmi i individit dhe arsyeja instrumentale, sipas Charles Taylorit, janë dy sëmundjet e mëdha të modernitetit. Kritika e komunitaristëve si Taylor, bazohet në faktin se individi po tjetërsohet gjithnjë e më shumë prej elementëve social që e karakterizojnë esencën e tij. Taylor, argumenton se natyra e njeriut është dialogjike dhe jo monologjike. Por liberalizmi individual, po e shkëput individin nga bota e tij e jashtme, nga natyra e tij dialogjike, duke prodhuar kësisoj një shoqëri me individë të atomatizuar artificialisht.

Michael Waltzer, po ashtu një kritik i rreptë i shoqërisë moderne liberale, pranon së në Amerikë, që njihet si vendi i lulëzimit të demokracisë liberale, individët janë të ndarë nga njëri-tjetri, sepse janë vazhdimisht në lëvizje gjeografike, sociale, martesore apo politike. Këto lëvizshmëri, do duhej ta personifikonin lirinë dhe lumturinë individuale, por që kanë prirje të ndryshojnë lidhjet tradicionale familjare apo shoqërore, duke “çimentuar” kësisoj njeriun e izoluar dhe të vetmuar.

Në anën tjetër, arsyeja instrumentale është një formë e racionalitetit, që bazohet në arritjen sa më të madhe të efiçiencës, pra produktivitetit maksimal. Arsyeja në vetvete, në shoqërinë moderne, nuk na shpie më deri të përfundimet, ajo është shndërruar thjesht në instrument për bërjen e llogarive të sakta të efiçiencës. Ky lloj i arsyes është i zhveshur komplet nga subjektiviteti i tij, nga emocionet, mjedisi dhe komuniteti. Kjo arsye fillon të veprojë në mënyrë autonome, bazuar vetëm në principet e saja të brendshme, dhe pa çarë fare kokën për botën që e rrethon.

Sot shumë korporata multinacionale apo edhe vetë shtetet përdorin politika, bazuar në arsyen instrumentale, ose kalkulative siç do e quante Heidegger-i, me qëllim rritjen e efiçiencës së prodhimeve të tyre. Jemi dëshmitarë të shkatërrimit masiv që po i bëhet mjedisit dhe biodiversitetit në tokë, që mund të kenë pasoja të pariparueshme për gjeneratat e ardhshme të homo sapiens dhe qenieve të tjera të gjalla.

E gjeneratat e sotme të fëmijëve në vendet e botës në zhvillim, po shfrytëzohen panderprerë për prodhimin e produkteve të ndryshme komerciale, sepse llogaritjet kosto-përfitim për kompanitë prodhuese janë më të “arsyeshme”. Kjo është shkelje e Konventës mbi të drejtat e fëmijëve. Është alarm për shkëputjen mes mendjes racionale të njeriut modern dhe lidhjeve intuitive me ambientin, duke e “kompjuterizuar” atë në një kalkulator që llogarit vetëm kosto-përfitimin.

Idetë fillestare të modernitetit po rrugëtojnë në një kahje të gabuar. Liria individuale duhet të jetë e shenjtë, por gjithmonë në harmoni të plotë me të mirën e përbashkët. Njeriu nuk mund të jetë i lirë, nëse jeton brenda vetë qelisë individuale të tij. Në fund të fundit, pa kujdesjen për ambientin dhe shoqërinë ku jetojmë, edhe vetë koncepti i lirisë individuale, si i tillë, është jo i plotë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.