Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Për një kontratë të re politike

Vendit i duhet një kontratë e re politike mbi të cilën kishte me u ngritë një marrëdhënie e re legjitime ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve. Ajo opozitë që arrin me i bindë qytetarët se ka vullnet e forcë me e ndërtu një marrëdhënie të këtillë, ka një kauzë me të cilën arsyeton opozitarizmin e saj dhe mund të shpresojë në përkrahjen popullore.

Kur tensionet ndërmjet qeverisë dhe opozitës ngrihen në këtë shkallë, retorika politike i përdor më së tepërmi togfjalëshat “në të mirë të qytetarit”, “në emër të popullit” dhe “në interes të republikës” për të arsyetuar qëndrimet e tyre politike dhe me synimin që konfliktin politik ta paraqesin si betejë ndërmjet “të keqes”, e “të mirës”, “të patriotëve” e “tradhtarëve”, të bardhës e të zezës, engjëjve e djajve. Mirëpo, kur politikanët polarizohen deri në këtë shkallë që po e shohim tani, atëherë shqetësimi për qytetarin e republikën lihet nën hijen e shqetësimit për mbijetesën e liderëve partiakë ose namin e partisë.

Mirëpo, ideali i republikës së Kosovës nuk po realizohet pikërisht për shkak të “kapjes së shtetit” në radhë të parë, siç e ka quajtur me të drejtë opozita gjendjen e shtetit në të cilën partitë politike, liderët e tyre dhe politikanët kanë shtënë në dorë institucionet dhe agjencitë e pavarura të shtetit.

Tutje, ideali i Republikës shkon poshtë kur gjyqësori e policia prioritet faktik e kanë ndjekjen e opozitës në shtetin më të kriminalizuar; kur retorika e të gjitha qeverive ka qenë “integrimi euro-atlantik” i shoqërisë më të varfër e më të paarsimuar me ndarje të thella etnike e sociale; kur liderët e partive dhe politikanët më të pushtetshëm dyshohen për krim e korrupsion, e  “bashkësia ndërkombëtare” mbështet këta politikanë ose hesht ndaj krejt këtyre, ndërkohë që ajo jo rrallëherë cakton agjendën politike në vend. Dhe, ironikisht, në mes të kësaj gjendjeje, zori më i madh i opozitës është anulimi i marrëveshjeve me shtetet fqinje!

Nuk do fort mend për të kuptuar se ka mjaft çështje në interes urgjent të publikut e të shtetit, që opozita mund t’i mbrojë dhe avancojë. Kështu, një kauzë e atillë e opozitës do të mund të legjitimonte forma të caktuara radikale të veprimit politik e do të përkrahej edhe më tepër nga një numër më i madh i qytetarëve, ndonëse assesi nuk do me thënë se kjo është rrugë më e lehtë a më e shkurtër.

Për fat të keq, duket se partitë opozitare AAK e Nisma, kështu si janë, nuk kanë gjasë të avancojnë kauza të këtilla. Edhe Vetëvendosja në diskursin e retorikën e saj politike këto tema i qet në rend të dytë dhe preokupohet me thirrje e sllogane nacionaliste. Për ma keq, duke u lidhur me politikanë e parti të cilat kanë qenë në shënjestër të kritikave të saja, ajo po rrezikon ta humbë kredibilitetin që e ka. Kjo, fundja, elektoratin e saj aktual e potencial mund ta befasojë, pasi që prej një partie që prezantohet si socialdemokrate e që pretendon të përçojë zërin e  të diskriminuarve e të angazhohet për barazi, nuk pritet ta pezullojë kundërshtimin dhe demaskimin e politikanëve që kanë marrë drejtim të kundërt.

Në periudhën para pavarësisë, politikanët kanë legjitimuar marrëdhëniet me qytetarët në bazë të meritave të tyre nga e kaluara dhe premtimeve për të pavarësuar vendin dhe kanë bërë aq sa kanë bërë për shtetin dhe qytetarët e saj. Mirëpo, potenciali i strukturave të vjetra të partive dhe orientimeve të tyre ka shterë. Atyre iu ka kaluar koha. Premtimet dhe poritshmëritë nga shteti nuk janë realizuar, andaj në vazhdimësi besimi tek shteti po bie e pakënaqësitë me të po rriten. Nëse vazhdon kështu, shoqëria mund të mbarojë në një gjendje të pashpresë e të prodhojë të papritura të shumta të dëmshme.

Mirëpo, pakënaqësitë qytetare duhet të transformohen në forca për një lëvizje shoqërore që bashkon e jo që ndan qytetarët në baza rajonale, etnike, a çfarëdo lloji tjetër. Vendit i duhet një kontratë e re politike ndërmjet qytetarëve dhe politikanëve si bazë për legjitimimin e marrëdhënies ndërmjet tyre. Kontratë që iu adresohet brengave e interesave ma të ngutshme të qytetarëve: që premton dinjitet në jetë e punë,  obligon zhvillimin ekonomik e shpërndarje më të barabartë të të mirave, përmirësimin e arsimit e shëndetësisë. Kontratë që sanksionon barazinë e të gjithëve para ligjit e që garanton trajtim të drejtë të të gjithë qytetarëve, pavarësisht, që votuesve ua mundëson të marrin në llogari politikanët e votuar. Një kontratë demokratike që vë bazat për një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë ndërmjet popullit e udhëheqësve politikë, të pandërmjetësuar nga forca jodemokratike që nuk kontrollohen aspak nga qytetarët, si militantë, kapitalistë e ambasadorë.

Cila nga partitë ekzistuese politike, në qeveri a në opozitë, e ka ofruar këtë kontratë ose së paku ka dhënë shenja të qarta e të sinqerta të gatishmërisë për të ndërtuar marrëdhënie të këtillë me qytetarët? – është pyetje vlefshme që me padurim lyp përgjigje, por tash për tash mbetet veç pyetje retorike. Fatkeqësisht!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.