Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pasthënie për Shoqëritë e Kontrollit

Source: cla.purdue.edu

Artikulli origjinal i botuar në L’Autre journal, no.1 (maj, 1990)

Në këtë ese të shkruar në maj 1990, Gilles Deleuze përpiqet të shkojë përtej analizës së ‘shoqërive disiplinare’ të Foucault-së, drejt zhvillimit të konceptit të ‘shoqërive të kontrollit’. 

Historiku

Foucault-ja lokalizoi shoqëritë disiplinare në shekujt 18 dhe 19; ato arrijnë kulmin në fillim të shekullit 20. Ato nisin organizimin e hapësirave të gjera të rrethojave. Individi nuk pushon kurrë së kaluari nga një ambient i rrethuar te tjetri, ku secili ka ligjet e veta: i pari, familja; pastaj shkolla (“nuk je më në familjen tënde”); pastaj kazermat (“nuk je më në shkollë”); pastaj fabrika: herë pas herë sipatali; mundësisht burgu, shembulli i spikatur i ambientit të rrethuar. Burgu është ai që shërben si model analogjik: me t’i parë disa punëtorë, heroina e Europa ’51 e Rossellini-t klithi, “mendova se po shihja të burgosur.”

Foucault-ja ka analizuar shkëlqyeshëm projektin ideal të këtyre ambienteve të rrethojës, të dukshme veçanërisht përbrenda fabrikës: të përqendrohesh; të shpërndash në hapësirë; të porositësh në kohë; të përgatisësh një forcë prodhuese përbrenda dimensionit të kohë-hapësirës, efekti i së cilës do të jetë më i madh se shuma e forcave të saj përbërëse. Megjithatë, ajo çfarë Foucault-ja poashtu vuri re qe përkohshmëria e këtij modeli: ajo erdhi pas shoqërive të sovranitetit, qëllimi dhe funksioni i së cilave qe diçka krejt tjetër (ta tatojë prodhimin në vend se ta organizojë, të sundojë vdekjen në vend se të administrojë jetën); tranzicioni ngjau me kohë, dhe Napoleoni duket se ndikoi në shndërrimin madhor nga një shoqëri te tjetra. Por, nga ana e tyre disiplinat pësuan krizë në të mirë të forcave të reja që u krijuan gradualisht dhe të cilat morën hov pas Luftës së Dytë Botërore: shoqëria disiplinare ishte ajo që nuk ishim më, ajo e cila kishim pushuar së qeni.

Jemi në një krizë të përgjithësuar në raport me të gjitha ambientet e rrethojës – burgu, spitali, fabrika, shkolla, familja. Familja është një “e brendshme”, në krizë si të gjithë të brendshmet tjera – akademike, profesionale, etj. Administratat përgjegjëse nuk ndalen kurrë së shpalluri reforma kinse të domosdoshme: të reformosh shkollat, të reformosh industritë, spitalet, forcat e armatosura, burgjet. Por të gjithë e dinë se këto instuticione kanë marrë fund, sado që t’u zgjatet periudhat e skadimit. Është sall çështje e të administruarit të riteve të fundit dhe të mbajturit njerëzit në punë deri në instalimin e forcave të reja që trokasin në derë.

Këto janë shoqëri të kontrollit, të cilat janë në proces të zëvendësimit të shoqërive disiplinare. “Kontrolli” është emri të cilin e propozon Burroughs-i si term për një përbindësh të ri, të tillë që Foucault-ja e sheh si të ardhmen tonë të mënjëhershme. Paul Virilio, gjithashtu, po analizon në vazhdimësi format ultra të shpejta të kontrollit të gjithandejshëm që zëvendësuan disiplinat e vjetra që operojnë në kornizën kohore të një sistemi të mbyllur. Nuk është nevoja të sjellim në mend prodhimet e jashtëzakonshme farmaceutike, inxhinierinë molekulare, manipulimet gjenetike, edhepse këto janë programuar t’i hyjnë procesit të ri. Nuk është nevoja të pyesim cili është regjimi më i ashpër a më tolerant, meqë përbrenda secilit prej tyre përleshen me njëra tjetrën forcat çliruese e robëruese. Për shembull, në krizën e spitalit si ambient rrethoje, klinikat e lagjes, azilet, dhe kujdesi ditor munden që fillimisht të shprehin liri të re, por ato mund të marrin pjesë poashtu në mekanizma të kontrollit që nuk dallojnë prej burgimeve më të ashpra. Nuk ka nevojë për t’u frikësuar a për të shpresuar, por vetëm për të kërkuar armë të reja.

Logjika

Internimet e ndryshme ose hapësirat e rrethojave nëpër të cilat kalon individi janë variabla të pavarura: çdo herë duhet të fillosh nga zeroja, edhe po ekzistoi një gjuhë e përbashkët për të gjitha këto vende, ajo është analogjike. Në anën tjetër, mekanizmat e kontrollit janë variacione të pandashme që formojnë një sistem të gjeometrisë së variables, gjuha e së cilës është numerike (që s’do të thotë medoemos binare). Rrethojat janë kallëpe, forma të dallueshme, por kontrollet janë modulacione, si modele vetëdeformuese që do të ndryshojnë vazhdimisht prej një momenti në tjetrin, apo si një sitë rrjeta e së cilës do të transmutohet nga pika në pikë.

Kjo është e qartë në rastin e pagave: fabrika ishte një trup që mbante forcat e saj të brendshme në nivel baraspeshe, më të lartën e mundshme sa i përket prodhimit, më të ultën e mundshme sa i përket rrogave; për në një shoqëri të kontrollit, korporata e ka zëvendësuar fabrikën, dhe korporata është frymë, gaz. Sigurisht se fabrika ishte e njohur me sistemin e bonuseve, por korporata vepron më thellë për të imponuar modulacion për secilën pagë, në gjendje të metastabilitetit të vazhdueshëm që operojnë përmes sfidave, garave dhe mbledhjeve grupore mjaft komike. Nëse spetaklet televizive me idiotike janë aq të suksesshme, kjo ndodh ngaqë ato shprehin situatën e korporatës me precizitet të lartë. Fabrika themelonte individët në një trup të vetëm për avantazhin e dyfishtë të shefit që mbikëqyrte secilin element përbrenda masave dhe sindikatave që mobilizonin rezistencën e masave; por korporata paraqet pandërprerë rivalitetin më të pafytyrë si formë të shëndetshme të garës, forcë të shkëlqyer motivuese që i vë individët kundrejt njëri tjetrit dhe shkel mbi secilin, duke e ndarë secilin më dysh. Parimi i modulimit i “pagës sipas meritës” nuk ka dështuar të joshë as vetë arsmin kombëtar. Ç’është e vërteta, sikur se korporata e zëvendëson fabrikën, trajnimi i pandërprerë zëvendëson shkollën, dhe kontrolli i vazhdueshëm zëvendëson provimin, që është mënyra më e sigurt e dorëzimit të shkollës te korporata.

Në shoqëritë disiplinare çdoherë mund të fillojë nga e para (prej shkollës në kazermë, prej kazermes në fabrikë), ndërkohë që në shoqëritë e kontrollit nuk mbaron punë me asgjë – korporata, sistemi arsimor, forcat e armatosura si gjendje metastabile që bashkëjetojnë në një dhe të njëjtin modulim, si një sistem universal i deformimit. Te Procesi, Kafka, i cili e kishte vendosur veten tashmë si strumbullar mes dy tipeve të formimit shoqëror, përshkroi format më të frikshme juridike. Shfajësimi në dukje i shoqërive disiplinare (mes dy burgosjeve); dhe shtyrjet e pakufi të shoqërive të kontrollit (në variacion të vazhdueshëm) janë dy modele të ndryshme të jetës juridike, dhe nëse ligji ynë ngurron, duke qenë vetë në krizë, kjo ngjan sepse po e lëmë njërën në mënyrë që të hymë në tjetrën. Shoqëritë disiplinare kanë dy pole: nënshkrimi që shpreh individin, dhe një numër apo numërim administrativ që tregon pozicionin e tij apo të saj përbrenda turmës. Kjo ngjan për shkak se disiplinat kurrë nuk panë ndonjë papërputhshmëri mes këtyre të dyjave, dhe ngase në të njëjtën kohë pushteti individualizon dhe e bën turmën bashkë, d.m.th., përbën atë mbi të cilët ushtron pushtetin në një trup dhe mbrun individualitetin e secilit anëtar të atij trupi. (Foucault-ja pa zanafillën e kësaj force të dyfishtë në pushtetin pastoral të priftit – tufa dhe secila prej kafshëve të saj përbërëse – por pushteti civil lëviz me radhë dhe me mjete të tjera që ta bëjë veten “prift.”)

Në anën tjetër, ajo që është e rëndësishme në shoqëritë e kontrollit nuk është më as nënshkrimi as numri, por kodi: kodi është pasuordi, ndërkohë që në anën tjetër shoqëritë disiplinare rregullohen nga parullat (po aq nga pikëpamja e integrimit sa edhe ajo e rezistencës). Gjuha numerike e kontrollit përbëhet nga kodet që japin ose refuzojnë qasjen në informacion. Nuk kemi të bëjmë më me çiftin turmë/individ. Individët janë bërë “dividë,” ndërsa turmat, të dhëna, tregje, ose “banka.” Mbase është paraja ajo që shpreh më së miri dallimin mes dy shoqërive, meqë disiplinat u referoheshin gjithmonë prerjes së parave që mbërthen arin si standard numerik, ndërkohë që kontrolli ka të bëjë me tarifat qarkulluese të këmbimit, të moduluara sipas kursit të vendosur nga një grup valutash standarde. Urithi i vjetër monetar është kafsha e hapësirave të rrethojës, por gjarpri është ai i shoqërive të kontrollit. Kemi kaluar nga një kafshë në tjetrën, nga urithi te gjarpri, në sistemin në të cilin jetojmë, por edhe në mënyrën e jetesës dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Njeriu disiplinar ishte prodhues i pavazhdueshëm i energjisë, por njeriu i kontrollit është valëzor, në orbitë, në rrjet të vazhdueshëm. Çdoku surfimi ka zëvendësuar sportet më të vjetra.

Tipet e makinave përshtaten lehtë me secilin tip të shoqërisë – jo se makinat janë faktorë vendimtarë, por se shprehin ato forma shoqërore që janë të zonja t’i gjenerojnë dhe t’i përdorin ato. Shoqëritë e vjetra të sovranitetit përdorën makina të thjeshta – leva, makara, orë; por shoqëritë disiplinare të kohës së fundit u pajisën me makina me energji, me rrezikun pasiv të entropisë dhe rrezikun aktiv të sabotimit; shoqëritë e kontrollit operojnë me makina të tipit të tretë, kompjuterë, rreziku pasiv i të cilëve është bllokimi, ndërsa ai aktiv pirateria dhe viruset. Ky evolucion teknologjik duhet të jetë në mënyrë edhe më të thellë, mutacion i kapitalizmit, një mutacion tashmë i njohur që do të mund të përmblidhej kështu: kapitalizmi i shekullit të nëntëmbëdhjetë është kapitalizëm i përqëndrimit, për prodhimin dhe për pronën. Prandaj edhe ngre fabrika si hapësira të rrethojës, ku kapitalisti është pornari i mjeteve të prodhimit por gjithashtu, gjithnjë e më shumë, pronar i hapësirave tjera të konceptuara përmes analogjisë (shtëpia e punëtorit, shkolla).

Sa për tregjet, ndonjëherë ato janë të pushtuara nga specializimi, ndonjëherë nga kolonizimi, ndonjëherë nga ulja e kostove të prodhimit. Megjithatë, në situatën që jemi kapitalizmi nuk është më i përfshirë në prodhim, të cilin shpesh e degdis në Botën e Tretë, madje edhe për format e ndërlikuara të tekstilit, metalurgjisë dhe prodhimit të naftës. Nuk blen më lëndë të parë dhe nuk shet produkte të përfunduara: i blen produktet e pëfunduara ose pjesët e montuara. Ajo çfarë do që të shesë janë shërbimet dhe do që të blejë aksione. Ky nuk është më kapitalizëm për prodhim por për produkt, d.m.th., për t’u shitur ose tregtuar. Prandaj është në thelb shpërndarës, dhe fabrika i ka hapur rrugën korporatës. Familja, shkolla, ushtria, fabrika nuk janë më hapësira të dallueshme analogjike që përqendrohen tek një pronar – pushteti shtetëror ose privat – por figura të koduara – të deformueshme e të transformueshme – të një korporate të vetme që tash ka vetëm aksionarë.

Edhe arti madje ka lënë hapësirën e rrethojës në mënyrë që të hyjë në qarqet e hapura të bankës. Pushtimet e tregut bëhen duke kapur kontrollin dhe jo më përmes trajnimit disiplinar, duke manipuluar kursin e këmbimit më shumë se uljen e kostos, duke transformuar produktin më shumë se duke specializuar prodhimin. Prandaj korrupsioni fiton pushtet të ri. Marketingu është bërë qendra e “shpirtit” të korporatës. Na mësojnë se korporatat kanë shpirt, që është edhe lajmi më i tmerrshëm në botë. Operimi i tregjeve tash është instrument i kontrollit shoqëror dhe formon sojin e pacipë të padronëve tanë. Kontrolli është afatshkurtër dhe me ritme të shpejta të qarkullimit, por gjithashtu i vazhdushëm dhe pa limit, ndërkohë që disiplina ishte afatgjate, e pakufi dhe e pavazhdueshme. Njeriu nuk është më i rrethuar, por në borxh. Është e vërtetë që kapitalizmi ka mbajtur varfërinë e skajshme të treçerekut të njerëzimit si konstante, shumë të varfër për të pasur borxhe, shumë të numërt për t’u burgosur: kontrollit do t’i duhet të merret jo vetëm me erozionin e kufijve por me eksplodimet përbrenda qyteteve të varfra e getove.

Programi

Konceptimi i mekanizmit të kontrollit, që i cakton vendin çdo elementi përbrenda një ambienti të hapur në çdo moment të dhënë (kafsha në rezervat ose njeriu në korporatë, si me një rrip elektronik), nuk është domosdo fantashkencë. Felix Guattari ka parafytyruar një qytet ku dikush do të qe në gjendje të dalë nga banesa, nga rruga, nga lagjja, falë kartës elektronike që kalon çfarëdo pengese; por karta mund të refuzohet lehtë në ditë apo në orë të caktuara; ajo që vlen nuk është pengesa por kompjuteri që gjurmon pozicionin e secilit person – të ligjshëm a të paligjshëm – dhe shkakton modulim universal.

Studimi socioteknologjik i mekanizmave të kontrollit, të kuptuar në ngjizjen e tyre, do të duhej të qe kategorik dhe të përshkuajë atë çfarë tashmë është në proces të zëvendësimit të hapësirave disiplinare të rrethojës, kriza e së cilave po shpallet kudo. Mund të ngjajë që metodat më të vjetra, të huazuara prej shoqërive të kaluara të sovranitetit, do të dalin në plan të parë, por megjithatë jo pa modifikimet e nevojshme. Me rëndësi është që jemi në fillim të diçkahes. Në sistemin e burgut: përpjekja për të gjetur ndëshkime të “zëvendësimit”, të paktën për krime të vogla, dhe përdorimi i rripave elektronikë që detyrojnë të burgosurin të rrijë në shtëpi gjatë orëve të caktuara. Për sistemin e shkollës: forma të vazhdueshme të kontrollit, dhe efekti i trajnimit të pandërprerë në shkolla, braktisja e tërë hulumtimit universitar, futja në përdorim e “korporatës” në të gjitha nivelet e shkollimit. Për sistemin spitalor: mjekësia e re “pa doktor ose pacient” që veçon të sëmurët potencialë dhe subjektet në rrezik, që në asnjë mënyrë nuk vërteton individuimin – siç thonë – por zëvendëson individin ose trupin numerik me kodin e materialit “dividual” që do të kontrollohet. Në sistemin e korporatës: mënyra të reja të përdorimit të parasë, profitit, dhe njerëzit që nuk kalojnë më nëpër formën e vjetër të fabrikës.

Këta janë disa shembuj, por të tillë që mundësojnë të kuptuarit më mirë se çfarë nënkuptohet me krizë të institucioneve, d.m.th., instalimi progresiv dhe shpërndarës i një sistemi të ri të dominimit. Një prej pyetjeve më të rëndësishme ka të bëjë me paaftësinë e sindikatave: të lidhur tërësisht me historinë e tyre të betejës kundër disiplinave ose përbrenda hapësirave të rrethojës, a do të jenë në gjendje të adaptohen apo do t’i hapin rrugë formave të reja të rezistencës kundrejt shoqërive të kontrollit? A mund t’i kuptojmë skicat e përafërta të këtyre formave në ardhje, në gjendje të prishin lumturinë e marketingut? Çuditërisht, shumë të rinj mburren se janë “të motivuar”; vazhdojnë të kërkojnë punë praktike e trajnim të pandërprerë. U takon atyre të zbulojnë se kujt po u shërbejnë, siç zbuluan pleqtë e tyre, jo pa vështirësi, telosin e disiplinave. Përdredhjet e gjarprit janë edhe më të ndërlikuara se strofullat e një pirgu dheu.

—-

Përktheu: Bardhi Bakija

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.