Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mendimtari i pushtetshëm

Michel Foucault (AFP / Getty Images)
Artikulli origjinal në Aeon

Origjinal, i përpiktë, me raste irritues e shpesh i shkëlqyer. Vepra e Foucault-së mbi pushtetin sot vlen më shumë se kurrë më parë.

Merrni me mend sikur t’ju kërkojnë të përpiloni një histori shumë të shkurtër të filozofisë. Mbase ju kanë sfiduar që ta ngjeshni larminë e paanshme të tërë filozofisë në dy-tre cicërima. Mund t’ia dalësh më keq sesa të kërkosh fjalën e vetme që ngërthen më së miri idetë e çdo filozofi të rëndësishëm. Platoni kishte ‘format’ e tij. (Më vonë, John Stuart Mill-i kishte ‘lirinë’ e tij. Në filozofinë e kohës së fundit, Jacques Derrida kishte fjalën ‘tekst’, John Rawls-i ‘drejtësinë’, dhe Judith Butler-i ‘gjininë’. Fjala e Michel Foucault-së, sipas kësaj loje të pafajshme fjalësh, do të ishte ‘pushtet’.

Foucault-ja mbetet njëri prej mendimtarëve më të cituar të shekullit 20-të dhe sipas disa listave, është figura më e cituar në shkencat sociale. Dy veprat më të përmendura Disiplinë dhe Ndëshkim: Lindja e Burgut [Discipline and Punish: The Birth of the Prison] (1975) dhe Historia e Seksualitetit, Vëllimi i Parë [The History of Sexuality, Volume One] (1976), janë burimet qendrore për analizat e tij të pushtetit. Sidoqoftë, mjaft interesant është fakti se Foucault-ja nuk ishte gjithnjë i njohur për fjalën e tij të veçantë. Ai u bë i njohur së pari më 1966 me botimin e Rendi i Gjërave [The Order of Things]. Titulli origjinal në frëngjisht jep kuptim më të qartë të ambientit intelektual në të cilin u shkrua: Let mots et les chose, apo ‘Fjalët dhe Gjërat’. Filozofia në vitet 60-të ishte e gjitha për fjalët, posaçërisht mes bashkëkohësve të Foucault-së.

Në të tjera pjesë të Parisit, Derrida ishte në hall të pohonte se ‘nuk ka gjë jashtë tekstit’, dhe Jacques Lacan shndërroi psikanalizën në linguistikë duke prentenduar se ‘e pavetëdishmja është e strukturuar si gjuhë’. Kjo nuk ishte veç modë franceze. Më 1967, Richard Rorty, filozofi më i njohur amerikan i brezit të tij, përmblodhi frymën e re në titullin e antologjisë së tij të eseve, Kthesa Linguistike [The Linguistic Turn]. Të njëjtin vit, Jurgen Habermas-i, që shpejt do të bëhej filozofi më i njohur gjerman, botoi sprovën e tij për ‘tokëzimin e shkencave shoqërore në teori të gjuhës’.

Bashkëkohësit e Foucault-së ndoqën fiksimet e tyre me gjuhën për të paktën dy dekada. Magnum opus i Habermas-it, i titulluar Teoria e Veprimit Komunikativ [The Theory of Communicative Action] (1981), mbeti e përkushtuar në eksplorimin e kushteve gjuhësore të racionalitetit. Filozofia angloamerikane ndoqi të njëjtën vijë, ashtu siç bënë shumica e filozofëve francezë (përveç që patën prirje drejt natyrës linguistike të iracionalitetit).

Sa për të, prapëseprapë, Foucault-ja vazhdoi tutje, disi i vetëm mes brezit të tij. Në vend se të kapej pas botës së fjalëve, në të 70-tat, ai e zhvendosi vëmendjen filozofike te pushteti, ide që mëton të shpjegojë si fjalët, a çfarëdo tjetër, vjinë e i japin gjërave rendin që kanë. Por rëndësia e Foucault-së nuk ka të bëjë me gjetjen e një koncepti të ri madhor që të mund të shpjegojë të gjithë të tjerët. Pushteti për Foucault-në nuk është sall një tjetër hyjni. Ngase pretendimi më i rëndësishëm i Foucault-së për pushtetin është se nuk duhet të pranojmë ta trajtojmë ashtu siç kanë trajtuar filozofët konceptet e tyre qendrore, si gjë të bashkuar e homogjene, aq rehat me veten sa të mund të shpjegojë gjithçka tjetër.

Foucault-ja nuk u orvat të ndërtonte fortesë filozofike rreth konceptit të tij qendror. Ai qe dëshmitar sesi argumentet e filozofëve të kthesës linguistike u brishtuan sapo u caktuan që të analizojnë gjithnjë e më shumë përmes fjalëve. Kështu që shprehimisht Foucault-ja nuk pranoi që të zhvillonte një teori gjithëpërfshirëse të pushtetit. Me raste, intervistuesit do ta shtynin që t’u jepte një teori përgjithësuese, po ai ngurronte gjithnjë. Thoshte se një teori e tillë thjesht nuk qe qëllim i veprës së tij. Foucault-ja mbetet më i mirënjohur për analizat e tij të pushtetit. Ç’është e vërteta emri i tij, për shumicën e intelektualëve, është gati sinonim me fjalën ‘pushtet’. Prapëseprapë, ai nuk ofroi dot një filozofi të pushtetit. Si është e mundur kjo?

Këtu shtrihet pasuria dhe sfida e veprës së Foucault-së. Qasja e tij filozofike ndaj pushtetit karakterizohet nga përpjekje inovative, të përpikta, me raste irrituese, e shpesh të shkëlqyera për të politizuar vetë pushtetin. Në vend se ta përdorë filozofinë për ta ngrirë pushtetin në një thelb të pakohë, dhe pastaj ta përdorë atë thelb për të kuptuar aq shumë prej manifestimeve të pushtetit në botë, Foucault-ja u përpoq ta shkarkonte filozofinë prej vështrimit të akullt të thelbeve kapluese. Ai donte të çlironte filozofinë që të gjurmonte lëvizjet e pushtetit, nxehtësinë dhe tërbimin e saj, duke u përpjekur që të përkufizojë rendin e gjërave.

Të çmosh origjinalitetin e qasjes së Foucault-së, ia vlen ta krahasosh me filozofinë politike pararendëse. Para Foucault-së, filozofët politikë kishin pandehur se pushteti kishte një thelb [essence]: o sovraniteti, o zotërimi, o kontrolli i bashkuar. Teoricieni social gjerman Max Weber (1864-1920) argumentoi bindshëm se pushteti shtetëror do të thoshte ‘monopol i përdorimit të ligjshëm të forcës fizike’. Thomas Hobbes-i (1588-1679), filozofi anglez dhe teoricieni origjinal i pushtetit shtetëror, pa thelbin e pushtetit si sovranitet shtetëror. Hobbes-i mendonte se mënyra më e mirë dhe e pastër e pushtetit shpërfaqet në të ushtruarit e saj prej pozitës njëjëse të sovranitetit. E quajti ‘Leviatan’.

Foucault-ja kurrë nuk e mohoi realitetin e pushtetit shtetëror në kuptimin hobsian. Por filozofia e tij politike rrjedh nga skepticizmi i tij rreth hamendjes (dhe kishte qenë vetëm hamendje derisa Foucault-ja e mori në pyetje) se i vetmi pushtet i vërtetë është pushteti sovran. Foucalt-i pranon se kishte forca të vërteta të dhunës në botë, dhe jo vetëm dhunë shtetërore. Kishte poashtu dhunë korporatash për shkak të kondensimit të stërmadh të kapitalit, dhunë gjinore në formën e patriarkatit, dhe dhunë – si të hapur dhe të fshehtë – të supremacisë së bardhë në forma të tilla si skllavëria, mohimi i pronës së paluajtshme, dhe tash burgosja në masë. Vepra e Foucault-së tregon se ushtrimet e tilla të forcës qenë shfaqje të pushtetit sovran, përngjasime të Leviatanit. Çfarë dyshonte ai ishte hamendja se nga ky vëzhgim i thjeshtë mund të deduktojmë mendimin më të ndërlikuar se pushteti shfaqet vetëm në formë leviataneske.

Duke parë mespërmes veçorisë imagjinare të pushtetit, Foucault-ja qe në gjendje ta përfytyronte kundrejt vetvetes. Qe në gjendje të supozonte e të studionte mundësinë se pushteti nuk mvesh gjithnjë veç një formë dhe se, në këtë kuptim, një formë e dhënë e pushtetit mund të bashkëjetojë, apo madje edhe të jetë në kundërshti me format e tjera të pushtetit. Bashkëjetesat dhe konfliktet e tilla, natyrisht, janë veçse mistere spekulative, por janë gjëra të tilla që, për t’u kuptuar, do të duhej të analizoheshin empirikisht.

Supozimi skeptik i Foucault-së pra, i dha mundësi të përpilonte hetime të kujdesshme të funksioneve reale të pushtetit. Çfarë zbulojnë këto studime është se pushteti, që na frikëson, del të jetë shumë më tinëzar sepse format e tij themelore të veprimit mund të ndryshojnë në raport me përpjekjet tona të vazhdueshme për t’u çliruar prej tij. Sa për ta marrë një shembull, Foucault-ja foli për mënyrën sesi hapësirat klasikisht sovrane, sikurse gjyqi, do të pranonte në mënyrën e vet të veprimit dëshmi të ekspertëve mjekësorë e psikiatrikë, autoriteti dhe pushteti i të cilëve ushtroheshin pa ushtrimin e dhunës sovrane. Një diagnozë eksperte e ‘çmendisë” sot, apo e ‘perversitetit’ para 100 vitesh, mund të lehtësojë apo rëndojë një vendim gjyqësor.

Foucault-ja tregoi si në 200 vitet e fundit pushteti sovran i Leviatanit (mendo kurorat, kongreset dhe kapitalin) është ballafaquar me dy forma të reja të pushtetit: pushtetin disiplinar (të cilin e quajti gjithashtu anatomopolitikë, për shkak të vëmendjes së posaçme ndaj trajnimit të trupit njerëzor) dhe biopolitikës. Biopushteti qe lënda e Foucault-së te Historia e Seksualitetit, Vëllimi i Parë. Ndërkohë që pushteti i disiplinës, anatomopolitika e trupit, që përqendrimi i Foucault-së te Disiplinë dhe Ndëshkim.

Më shumë se në çdo libër tjetër, te Disiplinë dhe Ndëshkim Foucault-ja ndërton stilin e tij unik e shumë të përpiktë të hulumtimit të mekanizmave aktualë të pushtetit. Botimi më i fundit i një grumbulli ligjëratash, tashmë gati të plota të College de France në Paris (mbase institucioni akademik më prestigjoz në botë, dhe ku Foucault-ja ligjëroi prej 1970 deri më 1984) tregon se Disiplinë dhe Ndëshkim qe fryt i hulumtimit intensiv arkivor për së paku 5 vite. Ndërkohë që Foucault-ja punonte këtë libër, ishte i zhytur krejtësisht në materialin e veprës, udhëhiqte seminare hulumtimi dhe jepte ligjërata të mëdha publike që tash po botohen nën titujt si Shoqëria Ndëshkimore [The Punitive Society] and Pushteti Psikiatrik [Psychiatric Power]. Materiali me të cilin u mor ka shtrirje mjaft të gjerë, që prej lindjes së krimonologjisë moderne te konstruksioni psikiatrik i histerisë, i bazuar në gjini. Ligjëratat shfaqin mendimin e Foucault-së në zhvillim, dhe kështu na japin një vështrim në filozofinë e tij gjatë transformimit. Kur më në fund arriti të organizonte materialin arkivor në libër, fryti qe argumentimi i konsoliduar e i efektshëm i Disiplinë dhe Ndëshkim.

Sipas analizave historike e filozofike të Foucault-së, disiplina është formë e pushtetit që u tregon njerëzve si të veprojnë duke i kandisur që t’i përshtaten asaj çfarë është ‘normale’. Ky është pushteti në formën e trajnimit të duhur. Disiplina nuk e nënshtron subjektin të cilit i drejtohet, ashtu siç bën sovraniteti. Disiplina vepron me më shumë finesë, madje me një kujdes të veçantë, në mënyrë që të prodhojë njerëz të bindur. Produktet e bindura dhe normale të disiplinës Foucault-ja i quajti ‘subjekte të dëgjueshme’ [docile subjects].

Manifestimi shembullor i pushtetit disiplinar është burgu. Për Foucault-në, gjëja më e rëndësishme për këtë institucion, si hapësira më e përhapur e ndëshkimit në botën moderne (por praktikisht joekzistente si formë e ndëshkimit para shekullit 18-të), nuk është mënyra se si i mbyll kriminelët me forcë. Ky është elementi sovran që mbizotëron në burgjet moderne, dhe në thelb nuk është i ndryshëm prej formave më arkaike të pushtetit sovran që ushtrojnë dhunë mbi kriminelin, të përjashtuarin, skllavin dhe robin. Foucault-ja shikoi përtej këtij elementi të qartë, në mënyrë që të shihte më thellë brenda institucionit të elaboruar të burgut. Pse teknikat relativisht të pakushtueshme të torturës dhe vdekjes i lëshuan rrugë gjatë modernitetit kompleksit të kushtueshëm të burgut? A ngjau kjo thjesht, ashtu siç duam të besojmë, se në shekullin 18-të filluam të bëheshim më humanitarë? Foucault-ja mendonte se një shpjegim i tillë nuk do ta përfshinte mënyrën qenësore në të cilën pushteti ndryshon kur spektakli i torturës u lëshon rrugë burgjeve labirintine.

Foucault-ja argumentonte se nëse shohim si operojnë burgjet, d.m.th. mekanikën e tyre, bëhet e qartë se ato janë të dizajnuara jo edhe aq për të mbyllur kriminelët, sa për t’i nënshtruar ndaj trajnimit që do t’i bëjë të dëgjueshëm. Pikë së pari, burgjet nuk janë shtëpi burgu, por departamente të riedukimit. Gjëja qendrore e këtij institucioni nuk është kafazi i qelisë së burgut, por rutina e orareve që qeverisin jetët e përditshme të të burgosurve. Çfarë i disiplinon të burgosurit janë inspektimet e mbikëqyrura të mëngjesit, koha e monitoruar e drekës, turnet e punës, madje edhe ‘koha e lirë’ mbikëqyret nga një armaturë rojesh dhe psikologësh.

Është me rëndësi të theksohet se të gjithë elementët e mbikëqyrjes së burgut janë në vazhdimësi të dukshme. Kjo është arsyeja pse është i rëndësishëm titulli i librit në frëngjisht Surveiller et punir, fjalë për fjalë ‘Mbikëqyrje dhe Ndëshkim’. Qëllimi i mbikëqyrjes së pandërprerë nuk është që të frikësojë të burgosurit që mendojnë të ikin, por t’i detyrojë të shohin veten si subjekte të riedukimit. Që prej momentit të lindjes së diellit e deri kur ndalen dritat mbrëmjëve, të burgosurit janë subjekte të inspektimit të pandërprerë të sjelljeve.

Lëvizja kyçe e burgosjes është që të kandisë të burgosurit të mësojnë si të inspektojnë, menaxhojnë dhe riedukojnë vetveten. Po u dizajnua si duhet, mbikëqyrja i bën të burgosurit të mos kenë nëvojë më për mbikëqyrësit e tyre. Meqë do të jenë bërë roje të veteve të tyrë. Kjo është dëgjueshmëria.

Për të ilustruar këtë formë të dallueshme moderne të pushtetit, Foucault-ja përdori një figurë te Disiplinë dhe Ndëshkim që me drejtë ka fituar nam. Nga arkivat e historisë, Foucault-ja gjeti një skemë gati të harruar të filozofit moral anglez Jeremy Bentham (1784-1832). Bentham-i propozoi një burg me mbikëqyrje të plotë që i vuri emrin ‘Panoptikon’. Qendrore për propozimin e tij është një arkitekturë e dizajnuar për riedukim. Në Panoptikon, materialiteti i imponuar i gurëve të rëndë dhe shufrat e metalit të burgosjes fizike janë më pak të rëndësishme se elementët e papeshë të dritës dhe ajrit, përmes së cilëve çdo veprim i të burgosurit do të kontrollohej imtësisht nga mbikëqyrja.

Dizajni i Panoptikonit qe i thjeshtë. Një rreth qelish rrezatojnë jashtë prej një kulle qendrore vëzhgimi. Secila qeli është e pozicionuar karshi kullës dhe e ndriçuar nga një dritare e madhe nga prapa, ashtu që çdokush brenda kullës të mund të shohë tejpërtej qelisë në mënyrë që të kapë aktivitetet e të burgosurit që është brenda. Kulla e vëzhgimit është shumë e dukshme për të burgosurit, por, për shkak të dritareve të errëta të ndërtuara me kujdes, të burgosurit nuk mund të shohin përbrenda kullës që të dinë se a po vëzhgohen. Ky është një dizajn i mbikëqyrjes së pandërprerë. Kjo është jo aq një arkitekturë e një shtëpie ndalimi se sa, sipas fjalëve të Bentham-it, ‘mulli që bluan batakçinjtë në të ndershëm’.

Panoptikoni mund të duket se ka mbetur vetëm ëndërr. Asnjë burg nuk është ndërtuar sipas përcaktimeve të sakta të Bentham-it, edhe pse disa prej tyre iu afruan. Një përafrim, Stateville ‘F’ House në Illinois, u hap më 1922 dhe më në fund u mbyll në nëntor 2016. Por gjëja e rëndësishme për Panoptikonin qe se ishte një ëndërr e përgjithshme. Nuk është e nevojshme që të të mbyllin në qeli burgu për t’iu nënshtruar dizajneve të tij të stërvitjeve [dressage] disiplinare. Rreshti më trishtues në Disiplinë dhe Ndëshkim, është fjalia e fundit në pjesën e titulluar ‘Panopticizmi’, ku Foucault-ja pyet me zor: “A është befasuese që burgjet i ngjasojnë fabrikave, shkollave, barakave, spitaleve, ku të gjitha i ngjasojnë burgjeve?’ Nëse Foucault ka të drejtë, ne jemi të nënshtruar ndaj pushtetit të trajnimit të riedukimit kurdo që jemi të ngjeshur pas bankave të shkollës, pozicionet tona në rreshtat e punëtorëve në fabrikë apo, mbase në të shumtën e kohës, dhomëzat e kuruara me aq përpikmëri dhe zyret e hapura si hapësira pune, aq popullore sot.

Me thënë të drejtën, trajnimi disiplinar nuk është dhunë sovrane. Megjithatë është pushtet. Historikisht, pushteti mori formën e forcës ose shtrëngimit dhe konsiderohej si më i pastri në akte të dhunës fizike. Disiplina vepron tjetërqysh. Ajo na kontrollon ndryshe. Nuk na mbërthen trupat për t’i shkatërruar, siç kërcënonte gjithmonë Leviatani. Disiplina i trajnon ata, i stërvit dhe (për ta përdorur fjalën e preferuar të Foucault-së) i ‘normalizon’ ato. E gjithë kjo, sipas Foucault-së, sjell një formë të fshehtë e të pandërprerë pushteti. Të mos pranosh të njohësh disiplinimin e tillë si formë të pushtetit është mohim i asaj sesi është formësuar dhe jetuar jeta njerëzore. Nëse e vetmja formë e pushtetit që jemi të gatshëm të njohim është dhuna sovrane, jemi në pozitë të dobët për të kuptuar rreziqet e pushtetit sot. Nëse nuk jemi në gjendje të shohim pushtetin në format e tij të tjera, bëhemi të paaftë të rezistojmë të gjitha format tjera në të cilat pushteti përpiqet të na formojë.

Vepra e Foucault-së tregon se pushtetit disiplinar ishte vetëm një prej formave të shumta që pushteti ka marrë përgjatë dyqind viteve të fundit. Anatomopolitika disiplinare vazhdon si përkrah pushtetit sovran ashtu edhe pushtetit të biopolitikës. Në librin e tij të radhës, Historia e Seksualitetit, Foucault-ja argumentonte se biopolitika na ndihmon të kuptojmë si gjallëria tejet e madhe seksuale këmbëngul në një kulturë që i thotë vetes rregullisht se seksualiteti i saj i vërtetë po shtypet. Biopushteti nuk e ndalon seksualitetin, por e rregullon sipas interesave maksimale të kuptimësive shumë të posaçme të riprodhimit, familjes dhe shëndetit. Qe një biopushtet i ushtruar nga psikiatrët dhe doktorët që, në shekullin e 19-të, e ktheu homoseksualitetin në ‘perversion’ për shkak të dështimit që ta përqëndrojë aktivitetin seksual rreth familjës së shëndoshë riprodhuese. Nuk do të kishte pasur shumë gjasë, për të mos thënë do të ishte e pamundur, të arrihej kjo përmes akteve sovrane të shtrëngimit të drejtpërdrejtë fizik. Shumë më të efektshme qenë ushtritë e burrave mjekësorë të cilët ndihmuan t’i kthejnë pacientët e tyre në rrugën e duhur për hir të vetinteresit të tyre të pretenduar.

Format e tjera të pushtetit poashtu vazhdojnë në mesin tonë. Disa e konsiderojnë pushtetin e të dhënave – që është infopushteti i mediave sociale, analiza e të dhënave dhe vlerësimi i pandërprerë algoritmik – si formën më të rëndësishme të pushtetit që është shfaqur që prej vdekjes së Foucault-së më 1984.

Për shkak të të identifikuarit dhe të analizuarit me aq shkathtësi të mekanizmave të pushtetit modern, duke mos pranuar ndërkohë që t’i zhvillojë ato në një teori të vetme e të përbashkuar të thelbit të pushtetit, Foucault-ja mbetet filozofikisht i rëndësishëm. Skepticizmi i mprehtë filozofik në të cilin është i rrënjosur mendimi i tij, nuk është i drejtuar kundër përdorimit të filozofisë për analizë të pushtetit. Në vend të kësaj, është skeptike ndaj kapadaillëkut prapa idesë se filozofia mundet dhe duhet të zbulojë thelbin e fshehur të gjërave. Çfarë do të thotë kjo është se fjala më e njohur e Foucault-së – ‘pushteti’ – nuk është emër i ndonjë thelbi të distiluar, por më shumë një indeks i një fushe të tërë analizash ku filozofia duhet të punojë vazhdimisht.

Ata që mendojnë se filozofisë i duhet ende të identifikojë esencat e brendshme, do ta gjejnë perspektivën e Foucault-së tërësisht jobindëse. Por ata që mendojnë se ajo çfarë secilit prej nesh na duket si e përjetshme ka për të ndryshuar ndër breza dhe gjeografi, kanë më shumë gjasë të gjejnë frymëzim në qasjen e Foucault-së. Për sa i përket koncepteve qendrore të filozofisë politike, pra çiftin konceptual të pushtetit dhe lirisë, basti i Foucault-së qe se njerëzit kanë më shumë gjasë të fitojnë më shumë për lirinë duke refuzuar të përkufizojnë paraprakisht të gjitha format që s’mund të marrë dot liria. Kjo do të thotë gjithashtu të refuzosh të kapesh pas përkufuzimeve statike të pushtetit. Vetëm nëse ndjek pushtetin kudo që ai operon, liria do të ketë shansin e mirë të lulëzojë. Vetëm duke analizuar pushtetin në shumësinë e tij, siç bëri Fucault-i, do të kemi shansin të ngremë një shumësi lirish që do t’i bënte ball të gjitha mënyrave të ndryshme, në të cilat pushteti përpiqet të përcaktojë kufijtë e asaj se kush mund të jemi.

Ironia e një filozofie që do ta përkufizonte pushtetin njëherë e përgjithmonë është se ashtu do t’i caktonte kufijtë e vet thelbit të lirisë. Një filozofi e tillë do ta bënte lirinë absolutisht jo të lirë. Ata që i frikësohen paparashikueshmërisë së lirisë, e marrin Foucault-në si me rrezik të madh. Por ata që nuk janë të gatshëm të vendosin sot se çfarë mund të fillojë të njihet si liri nesër, e marrin Foucault-në, të paktën sa i përket perspektivave tona filozofike, çlirues. Qasja e Foucault-së ndaj pushtetit dhe lirisë pra, ka vlerë jo vetëm për filozofinë, por edhe më shumë për atë çfarë filozofia mund të kontribuojë ndaj rendeve ndryshuese të gjërave në të cilat e gjejmë veten.

—-

Përktheu: Bardhi Bakija

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.