Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Integrimi gjinor në përgjigjen ndaj COVID-19 në Kosovë

Tashmë e njohur e pamohueshme, pandemia COVID-19 paraqet rrezik serioz për shëndetin publik në përgjithësi.  Me mbi 480 mijë të vdekur deri më tani nëpër botë, shohim që virusi nuk njeh kufi. Megjithatë, përkundër natyrës globale të tij, dallimet brenda kufijve në pasojat si rezultat i pandemisë janë lehtë të vërejtshme ndër shtete.

Në fakt, vendet në zhvillim dhe ato të nënzhvilluara janë më rëndë të goditura nga kriza shëndetësore – kjo për shkak të mungesës së theksuar të resurseve dhe infrastrukturës sanitare për të parandaluar përhapjen e pandemisë, si dhe sistemeve të dobëta shëndetësore për të ofruar trajtim të duhur mjekësor për rastet e infektimit.

Për më tepër, pandemia COVID-19 vë për së afërti në pah pabarazitë ekzistuese sociale dhe gjinore në shoqëri.  Efektet shëndetësore, ekonomike, politike e sociale të shkaktuara nga kriza shëndetësore ndikojnë dukshëm më rëndë te gratë dhe vajzat.

Hulumtimet tregojnë se gratë dhe vajzat janë kategori skajshmërisht  të cenueshme përgjatë emergjencave të tilla shëndetësore. Me resurset shtetërore të dedikuara në mirëmbajtjen e shëndetit publik dhe menaxhimit të shpërhapjes së rasteve të infektimit, nevojat specifike të grave lihen anash. Grave u pengohet qasja e sigurt në shërbime mjekësore për shëndetin seksual dhe atë riprodhues, u zvogëlohet qasja në punë dhe sigurimin e të ardhurave. Privohen nga këshillimi psiko-social, dhe rrezikojnë abuzimin në ambiente të dhunshme familjare. Në kriza të tilla, grave u rritet barra e përkujdesit ndaj familjes dhe fëmijëve, si dhe u shtohet puna e papaguar në shtëpi.

Marrë parasysh përvojën e vështirë të Kosovës në tejkalimin e krizës humanitare pas luftës së fundit, dhe efektet katastrofale të saj në mirëqenien e grave – efekte të cilat ende po trajtohen, shoqëria civile ishte e shpejtë në adresimin e implikimeve të mundshme gjinore të COVID-19 në Kosovë. Duke e njohur mirë mungesën e drejtësisë shoqërore dhe barazisë familjare në vendin tonë, duke ditur pozitën e rënduar të grave në ekonomi, u dhanë rekomandime konkrete për politika dhe masa lehtësuese të cilat i shërbejnë nevojave të grave gjatë dhe pas tejkalimit të emergjencës shëndetësore.

Qysh në fillim të përhapjes së pandemisë, Qeverisë së Kosovës iu rekomandua analizë e hollë gjithëpërfshirëse dhe me dimension gjinor, në identifikimin e nevojave të grupeve të margjinalizuara, në mënyrë që pabarazia gjinore të mos thellohet si rezultat i pandemisë (shih D4D, Implikimet e mundshme gjinore të COVID-19 në Kosovë, mars 2020).

Mirëpo, sa në fakt patën integrim gjinor disa nga masat e Qeverisë gjatë pandemisë?

Gratë në tregun e punës

Bazuar në pasqyrën ekzistuese socio-ekonomike të grave në Kosovë, u bë thirrje që të hartohet plan emergjent për përballimin e pasojave ekonomike të COVID-19 për gratë, përfshirë ato nga minoritetet etnike.  Megjithëse ende mungojnë të dhëna zyrtare për ndikimin real të pandemisë në tregun e punës, kriza tashmë e ndjerë ekonomike me shumë mundësi do të zvogëlojë mundësitë e punësimit të grave në Kosovë dhe mund të rezultojë me humbje masive të vendeve të punës në sektorin privat, aty ku 50% e grave në fuqi punëtore janë të punësuara.

Me normë tejet të ulët të punësimit të grave (13%), joaktivitet enorm në treg të punës (79%), me një në tri gra të punësuara në sektor privat pa kontratë pune, si dhe me vetëm 11% të bizneseve të grave, mosadresimi i sfidave të grave në fuqinë punëtore tashmë të goditur nga pandemia, mund të shkaktojë dëme të mëdha e vështirë të riparueshme.

Në 15 masat në Pakon Emergjente Fiskale për zbutjen e rreziqeve të papunësisë të prezantuara në fund mars 2020 nga Qeveria e Kosovës, sfidat specifike të nënpërfaqësimit aktual dhe rreziqet strukturore në (mos) punësimin e grave nuk u identifikuan. Përgjigje gjinore nuk mori as çështja e lejes së lehonisë për gratë shtatëzëna dhe ato lehona.

Barra e përkujdesit ndaj familjes dhe fëmijëve

Masat e Qeverisë për mbyllje dhe vetizolim të qytetarëve, megjithëse të menduara në të mirë të shëndetit publik, ndikojnë ndryshe te gratë. Qëndrimi i mbyllur në shtëpi zakonisht nënkupton më shumë obligime familjare për gratë në përkujdesin ndaj familjes e sidomos fëmijëve, si dhe rritje e punës së papaguar në shtëpi. Impakti i barrës së tillë, ndikon negativisht në shëndetin fizik, emocional, dhe mendor të grave.

Për të zbutur pikërisht pabarazinë dhe hendekun gjinor në obligimet e shtëpisë brenda familjeve kosovare (kujtojmë që burrat në Kosovë kalojnë vetëm 1 orë e 10 minuta në ditë në punë të shtëpisë dhe përkujdesje ndaj fëmijëve, krahas 7 orëve që gratë kalojnë në këto aktivitete, [MCC, 2018]), u mor vendim që prindërit punëtorë të sektorëve esencialë të vendosin vet se cili mund të dalë në punë e cili të rrijë në shtëpi.

Pasiqë nuk kemi të dhëna për të parë sa në fakt është realizuar kjo – nuk kemi të dhëna sa dënime janë shqiptuar për bizneset të cilat nuk kanë respektuar këtë masë, është e vështirë të kuptojmë nësë kjo ka gjetur zbatim. Këtu edhe qëndron problemi. Integrimi gjinor në politika nuk përfundon me përpilimin e tyre. Integrimi gjinor duhet të jetë qëndror gjatë tërë procesit të politikëbërjes, përfshirë edhe monitorimin dhe sigurimin e zbatimit të tyre.

Dhuna në familje

Pandemia COVID-19 në Kosovë u shoqërua edhe me epidemi të dhunës familjare në bazë gjinore. Rëndom në kriza të tilla emergjente, rritja e tensionit brenda familjes për shkak të stresit ekonomik dhe panikut nga frika e virusit, shton edhe rastet e dhunës në familje. Si pasojë e mostrajtimit të shpejtë dhe të duhur të kësaj problematike, grave dhe vajzave në ambiente të mbyllura dhe abuzive, u cenohet shëndeti fizik dhe mendor, e në raste më të rënda, edhe jeta.

Vetëm gjatë muajit mars 2020, në Policinë e Kosovës (PK) janë raportuar 169 raste të dhunës në familje – 36% më shumë krahasuar me muajin mars të vitit paraprak. 167 raste të tilla u raportuan në muajin prill (Policia e Kosovës).

Adresimi institucional nuk mungoi. Kishte kuptueshmëri dhe ndjeshmëri gjinore për ndikimin e pandemisë në rritjen e këtij fenomeni në masat e ndërmara. U bënë fushata sensibilizuese për të parandaluar dhunën, dhe për të kërkuar ndihmë. U hapën linja të reja emergjente, kurse ato ekzistuese u mirëbajtën e iu adaptuan situatës, kjo për të mos u penguar raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje. Nevojat dhe mirëqenia e grave ishin qendrore në përgjigjen institucionale në këtë rast, edhe pse problemi nuk mbaron këtu.

Pandemia COVID-19 ende nuk ka përfunduar. Me gjithë nivelin e pakënaqshëm të trajtimit të çështjeve specifike të grave në masat emergjente të ndërmara deri më tani, ato nuk duhet të shihen të përfunduara,  të papërmirësueshme ose të panegociushme. Trajtimi i pasojave te thella ndër gra si rezultat i kësaj pandemie duhet të jenë prioritet qeveritar për vitet që vijnë.

Të dhënat (e munguara) për efektshmërinë e masave të Pakos Emergjente Fiskale duhet të prezantohen, dhe duhet të jenë të ndara për gjini. Rivlerësimi i efektshmërisë së pakos së parë për gratë në ekonomi, duhet të jetë thelbësor në dizajnimin e masave përcjellëse të cilat marrin parasysh adresimin e nevojave të tyre dhe zbusin pabarazitë ekzistuese.

Prioritet duhet të mbetet analiza e thuktë gjinore dhe gjithëpërfshirëse në pakot e rimëkëmbjes ekonomike në Kosovë. Në mënyrë që ato të jenë efektive dhe eficiente për nevojat e grave, planifikimi, politikëbërja dhe buxhetimi i rimëkëmbjes duhet të kenë integrim gjinor. Barrierat e grave në tregun e punës, mbrojtja e vobektë sociale për gratë në fuqinë punëtore, duhet të adresohen me prioritet në mënyrë që hendeku i thellë ekzistues gjinor në dëm të grave të mos rritet si pasojë e pandemisë.

Sado që thuhet shpesh, asnjëherë nuk mund të thuhet mjaftueshëm, që gratë duhet të përfshihen në çdo proces politikbërës në mënyrë qe t’u realizohen të drejtat dhe interesat e tyre.

—–

Ky editorial është pjesë e projektit “Përgjigje e shpejtë ndaj pandemisë COVID-19 – mbështetja e grupeve më të cenueshme te grave” i iniciuar dhe financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, që implementohet nga Forumi Ekonomik i Grave.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.