Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Marrëveshja trelaterale e mbrojtjes “Aukus” dhe baraspesha e kërcënimit (II)

Australia në “sandviç gjeopolitik”

Bashkëpunimi dhe interaksioni ekonomik në mes të Australisë dhe Kinës është i konsiderueshëm. Ky raport i ndërvarur filloi të intensifikohet sidomos që nga vitet ‘90 e tutje – periudhë kohore kjo kur edhe vetë Kina e nisi rritjen e saj domethënëse në domenin ekonomik dhe penetrimin agresiv, por pa ndonjë pompozitet për të rënë në sy, në ekonominë dhe tregjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të ofruara nga Qeveria Australiane, respektivisht nga Departamenti për Çështje të Jashtme dhe Tregti, aktualisht Kina është partneri më i madh tregtar i Australisë, në mallra dhe shërbime, me gjithsej 31% të tregtisë që ky vend ka me botën. Sidoqoftë, duket se viteve të fundit ky bashkëpunim ka filluar të zbehet, duke shpërfaqur kështu plasaritjet e para që, në shikim të parë, mund të konsiderohet se u takojnë mospajtimeve në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Në këtë kontekst, krahasuar me vitin 2019, më 2020 tregtia dypalëshe e Australisë me Kinën ra me 3%, kurse eksportet në mallra dhe shërbime në 6%.

Arsyetimi zyrtar i palës australiane për këtë rënie u atribuohet “masave kufizuese që u morën si pasojë e pandemisë COVID-19”. Megjithatë, përkundër logjikës ekonomike dhe interpretimeve zyrtare për të shpjeguar këtë “ftohje bilaterale”, duhet thënë se establishmenti politik australian kishte kohë që e nënvizonte domosdoshmërinë e pasjes së një debati shterues dhe një analize shumëdimensionale për të peshuar siç duhet e në harmoni me interesat nacionalë, rrezikun që shfaqet nga të bazuarit e prosperitetit ekonomik të vendit te tregtia me Kinën autokratike, e aspekteve të sigurisë tek aleanca me ShBA-në. Kur merret në konsideratë raporti i tensionuar i viteve të fundit në mes të ShBA-së dhe Kinës, duket se Australia u gjend në një “sandviç gjeopolitik” dhe e kishte të domosdoshme të merrte vendime jo të lehta me pasoja aspak minore në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Ne fakt, kjo “dilemë strategjike” ishte vënë re me kohë nga Kina dhe, për pasojë, sidomos në dy vjetët e fundit, ajo kishte proklamuar suspendimin e “padefinuar” të “dialogut kyç ekonomik me Australinë”. Thënë ndryshe dhe me gjuhë më pak teknike, kjo nënkupton se në mes të këtyre shteteve tashme kishte filluar një tension domethënës dhe çrregullim i marrëdhënieve ekonomike.

Më saktë, raportet mes tyre kishin filluar të degradonin në momentin kur Australia u ishte bashkuar aleatëve të tjerë perëndimorë në kërkesën për realizimin e një hulumtimi të detajuar ndërkombëtar mbi origjinën e virusit corona dhe gjithashtu kishte marrë vendim që të ndalonte gjigandin teknologjik nga Kina, Huawei, që të ndërtonte në Australi rrjetin 5G. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre veprimeve, zyrtarët kinezë kishin vendosur sanksione ndaj mallrave australiane, siç janë mishi i viçit dhe vera. Në deklaratën zyrtare të Komisionit Kombëtar të Kinës për Zhvillim dhe Reformë, veprimet e Australisë ishin cilësuar si të mbështetura mbi “mentalitetin Luftës së Ftohtë dhe diskriminimit ideologjik”.

Një ftohje e tillë e marrëdhënieve në mes të Kinës dhe Australisë nuk ka ndodhur vetëm në nivel të raporteve të tyre zyrtare, por është reflektuar dukshëm edhe tek opinioni publik australian. Në një hulumtim empirik mbi qëndrimet, besimet dhe sjelljet e opinionit publik, të realizuar në mënyrë sistematike që nga viti 2002 nga Instituti Lowy, konstatohet se besimi, afërsia dhe konfidenca kundrejt Kinës kanë filluar të bien theksueshëm që nga viti 2017 e tutje, duke arritur kulmin më 2021.

Duket se mosmarrëveshjet ekonomike dhe politike në mes të këtyre vendeve kanë lënë gjurmë evidente. Kështu, bazuar në të dhëna të këtij hulumtimi, aktualisht shumica e australianëve (63%) e shohin Kinën si “kërcënim për sigurinë e Australisë”. Krahasuar me vitin 2020, kjo është një rritje prej 22%. Kurse, 34% e respondentëve deklaruan se Kina është më shumë “partner ekonomik për Australinë” sesa është kërcënim për sigurinë. Nëse këto të dhëna, për pyetjen e njëjtë, krahasohen me ato të një viti më parë (2020), i bie që kjo vlerë është 21% me e ulët. Diferenca domethënëse në ndryshimin e qëndrimeve evidentohet qartë nëse të dhënat e këtij viti (2021) vendosen në raport me ato të vitit 2018. Në atë periudhë kohore, 82% të australianëve e shihnin Kinën si partner ekonomik, kurse përqindja e atyre që e perceptonin si kërcenim të sigurisë ishte pa ndonjë domethënie të madhe statistikore.

Ka të ngjarë që zhvillimet e fundit kanë ndryshuar edhe nivelin e besimit që opinion publik australian ka kundrejt shteteve të tjera partnere. Rezultatet tregojnë se respondentët kanë nivelin me të lartë të besimit te shtetet që qeverisen nga sisteme politike bazuar në vlera të demokracisë liberale. Shumica dërrmuese e tyre (87%) deklaruan se besojnë që Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar janë shtete të përgjegjshme dhe të besueshme në raport me Australinë, por edhe sa i përket përfshirjes në çështje globale gjithashtu.

Besimi në ShBA-në është rritur në mënyrë domethënëse në vitin 2021 – edhe pse mbetet më i ulët në raport me atë të Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Konkretisht, gjashtë nga dhjetë australianë (61%) u shprehën se i besojnë ShBA-së si partner i përgjegjshëm. Në anën tjetër, për të dytin vit me radhë, Kina del të jetë vendi kundrejt të cilit australianët kanë më së paku besim. Vetëm 16% e respondentëve pjesëmarrës në hulumtim deklaruan të jenë besimplotë se Kina është partner i përgjegjshëm, një shifër kjo shumë e ulët kur krahasohet me atë të vitit 2018 ku 52% shprehnin besimin në këtë shtet.

Aleancat si përgjigje ndaj kërcënimeve

Në pamje të parë duket se nuk ka ndonjë lidhje domethënëse në mes të tërheqjes përfundimtare të trupave amerikanë nga Afganistani dhe arritjes së këtij pakti trelateral të mbrojtjes. Mirëpo, nëse këto zhvillime venerohen kujdesshëm, duke i marrë në konsideratë efektet që kanë ndryshimet strukturore në sistemin ndërkombëtar, lehtë mund të konstatohet se këto dy ngjarje – përveçqë kanë të ngjashëm faktin se kanë ndodhur brenda muajt shtator të të njëjtit vit – janë në korrelacion të drejtë me perceptimin për kërcënimin që shfaq për ShBA-në rritja e fuqisë dhe ndikimit të Kinës. Prandaj, mund të konkludohet se lidhja e kësaj aleance trelaterale të sigurisë është ilustrim shkollor i baraspeshës së fuqisë/kërcënimit në arenën ndërkombëtare.

Në thelb të kësaj qasjeje teorike dhe politike praktike, ekziston supozimi se “shtetet do të bashkohen në aleancë në mënyrë që të shmangin dominimin nga një shtet më i fuqishëm”. Mbështetur mbi këtë postulat teorik, kjo iniciativë trepalëshe, tërheqja e ShBA-së nga Afganistani dhe shumë lëvizje të tjera që pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt, janë rezultat i marrjes së masave të domosdoshme për të balancuar perceptimin në rritje për kërcënimin që vjen nga ngritja e Kinës.

Ky perceptim nuk është thjesht pjellë e imagjinatës së begatë të politikëbërësve në ShBA-së dhe jo vetëm, por bazohet në aspekte të matshme që lidhen me rritjen e aftësisë së Kinës për ta projektuar fuqinë detare në rajonin e Azi-Paqësorit dhe në qëllimet revizioniste të Pekinit të shtrira në shumë rajone të botës. Së këndejmi, pajisja e Australisë me nëndetëse me energji bërthamore me rreze veprimi të gjatë, në gjendje të zhyten lehtësisht në thellësi të mëdha të oqeaneve, do t’ia mundësojë kësaj të fundit të luajë një rol më aktiv në rajon, bashkërisht apo në harmoni me shtetet e tjera aleate të ShBA-së si Japonia, India apo edhe Koreja e Jugut.

Prandaj, duket se kjo nuk do të jetë lëvizja e fundit që ShBA-ja do ta bëjë në këtë dhe rajone të tjera të botës. Presidenti Biden do të vazhdojë të ndërtojë aleanca të reja balancuese dhe t’i përforcojë ato ekzistuese kundrejt Kinës dhe fuqisë së saj. Por, nuk është se do të shohim vetëm pozicionimin e ShBA-së kundër Kinës, si dy shtete të vetme dhe të vetmuara, kurse pjesa tjetër e vendeve të botës – sidomos e atyre shteteve që kanë relevancë strategjike në këtë drejtim – të rrinë anash dhe të vështrojnë si spektatorë “gladiatorët gjeopolitikë” derisa përleshen me njëri-tjetrin në arenën ndërkombëtare. Në këtë garë të fortë konkurruese të sigurisë ShBA-ja do të përfshijë, me apo pa hir, edhe aleatët e tjerë të fuqishëm dhe me peshë të rajonit.

Nën dritën e këtyre lëvizjeve strukturore, shteteve kudo në botë, por sidomos atyre në pjesën e Azisë, do t’u duhet që t’i rivlerësojnë prioritetet dhe interesat e tyre nacionalë dhe t’i kalibrojnë ato në përputhje me këto ndryshime. Kam përshtypjen se qëndrimi neutral vis-à-vis këtyre zhvillimeve transformuese do të jetë luks që shumë shtete nuk do të mund t’ia lejojnë vetes. Marrja anë do të jetë imperativ strategjik. Edhe Australia, në një farë mënyre, u detyrua të bëjë këtë zgjedhje.

Duke qenë se Kina është partneri më i ngushtë tregtar i Australisë, kjo e fundit me vite preferonte që të mbante një raport të balancuar në mes të ShBA-së dhe Kinës, duke u fokusuar thjesht në avancimin e bashkëpunimit me të dyja këto vende njëherazi. Ishte pikërisht kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ai i cili ra dakord për marrëveshjen trelaterale të mbrojtjes, që në vitin 2018 deklaronte se “Australia nuk ka përse të zgjedhë dhe nuk do të zgjedhë” në mes të ShBA-së dhe Kinës. Ai, me një finesë diplomatike, konsideronte se raportet në mes të këtyre dy shteteve ishin të ndryshme dhe të mjaft të suksesshme. “Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive me të dy partnerët bazuar në thelbin e asaj që janë ato marrëdhënie”, deklaroi ai, duke vazhduar se “ne [Australia] nuk zgjedhim midis çështjeve – nuk zgjedhim midis partnerëve – por vazhdojmë me marrëdhënien”.

Por, përse vetëm pak vite më vonë situata ndryshoi: raporti i ngushtë ekonomik me Kinën filloi të tensionohej dukshëm deri në akuza të ndërsjella dhe, në anën tjetër, Australisë iu desh të merrte anë, duke nënshkruar një marrëveshje të mbrojtjes me një vend tjetër që është konkurrent i drejtpërdrejtë i partnerit kryesor tregtar të shtetit tënd? Apo, thënë ndryshe, pse shtetet zgjedhin të sakrifikojnë prosperitetin ekonomik në këmbim të garantimit të sigurisë? Sepse, siç shpjegohet edhe në njërin nga postulatet kryesore të “realizmit ofenziv”, mbijetesa është qëllimi themelor i shteteve. Mbijetesa i predominon motivet e tjera të shteteve. Së pari duhet të garantosh sigurinë e vendit, pastaj të preokupohesh për aspekte të kooperimit eventual dhe prosperitetit ekonomik. Natyrisht, shtetet mund dhe ndjekin edhe qëllime dhe objektiva të tjerë njëherazi, por në secilin rast dhe kurdoherë siguria është më e rëndësishmja.

Jo vetëm pakt për ndërtim nëndetësesh

Nuk ka asnjë dyshim se marrëveshja trelaterale AUKUS ka edhe rëndësi ekonomike për vendet e përfshira: ndërtimi i së paku tetë nëndetëseve me energji nukleare nuk do mend që nënkupton edhe nënshkrimin e kontratave të majme me vlerë dhjetëra-miliarda dollarësh. Gjithashtu, kjo ujdi nuk përfshin vetëm thjesht ndërtim e disa nëndetëseve, por inkorporon edhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale apo edhe teknologjive kuantike.

Konsiderohet se vlera e këtyre kapaciteteve dhe dijeve teknologjike është jetike për shtetet që dëshirojnë të jenë aktorë kyç në sistemin ndërkombëtar në të tashmen dhe të ardhmen. Por, pesha kryesore e këtij pakti është ajo strategjike. Kjo marrëveshje është lëvizja më domethënëse, e hapur, e lexueshme dhe e vendosur që ShBA-ja ka ndërmarrë për të balancuar atë që ajo dhe vende të tjera aleate në rajonin e Indo-Paqësorit e perceptojnë si një kërcënim në rritje nga Kina.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.