Ka vite që Rusia ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me Iranin, duke e shfrytëzuar atë si aleat strategjik dhe si levë ndikimi në Lindjen e Mesme. Në janar të vitit 2025, Rusia dhe Irani thelluan raportet duke nënshkruar traktatin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik. Ky dokument shpesh është përdorur si dëshmi për të argumentuar se të dy vendet janë më afër se kurrë më parë.
Tutje, prej fillimit të luftës totale në Ukrainë, Irani ka qenë ndër vendet kryesore që kanë mbështetur Rusinë me pajisje ushtarake, më të njohurat nga to dronët Shahed, të cilët Moska vazhdon t’i përdorë sistematikisht për të goditur objektiva ushtarakë, por edhe civilë, në territorin ukrainas.
Megjithatë, operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit i kanë vënë në sprovë marrëdhëniet Rusi-Iran.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e dënoi ashpër vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke e cilësuar atë si “vrasje cinike”. Nga ana tjetër, diplomacia ruse akuzoi SHBA-në dhe Izraelin se po e shtyjnë rajonin drejt “përshkallëzimit të pakontrolluar.”
Përtej deklaratave politike, pyetja kryesore është: Çfarë mund të bëjë Moska kundrejt këtyre zhvillimeve të reja me synim që të mbështesë aleatin e saj dhe njëkohësisht të ruajë ndikimin në Lindjen e Mesme?
Rusia, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë të luftës, është e përqendruar thellësisht në Ukrainë, si në planin ushtarak e diplomatik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), shpenzimet ushtarake ruse arrijnë vlerën 149 miliardë dollarëve në vitin 2024. Ndërsa për vitin 2025, rreth 32% e buxhetit u destinua për mbrojtjen.
Në të njëjtën kohë, kjo luftë i ka kushtuar Rusisë rreth 1.2 milion humbje në personel ushtarak, këtu përfshihen të paktën 325,000 të vrarë dhe qindra-mijëra të tjerë të plagosur.
Lufta ka transformuar jetën dhe politikën e brendshme në Rusi përmes forcimit të censurës, ndëshkimit të kritikëve anti-luftë dhe dominimit të agjendës publike që përcaktohet gati plotësisht nga objektivat që Kremlini ka në Ukrainë.
Në këtë kontekst, hapja e një angazhimi të ri ushtarak në Lindjen e Mesme do të ishte rrezik i madh për Moskën dhe do të komprometonte frontin që ajo tashmë ka në Ukrainë.
Kjo do të konsumonte burime të konsiderueshme ushtarake, financiare dhe njerëzore, duke e ekspozuar Rusinë ndaj presioneve shtesë dhe një tejshtrirje strategjike që është e vështirë të menaxhohet.
Në këtë kuptim, deklaratat e forta lidhur me luftën në Iran nuk janë domosdoshmërisht shenjë se Rusia po përgatitet të përfshihet në mbështetje të aleatit të saj strategjik.
Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah mangësi serioze të ushtrisë ruse në planifikim, koordinim, logjistikë dhe lidership ushtarak. Mosarritja e objektivave ushtarakë edhe pas pesë vjetësh luftë dhe kostot e larta njerëzore e materiale kanë kufizuar aftësinë e saj për të vepruar me efektivitet si një superfuqi ushtarake edhe në rajone të tjera. Në këtë prizëm, retorika e Moskës shërben më shumë për të ruajtur imazhin e besnikërisë ndaj një aleati si Irani, sesa për të shprehur gatishmëri reale për një përfshirje direkte.
Një element që nuk duhet nënvlerësuar është kalkulimi i Moskës në raport me marrëdhënien me Administratën Amerikane. Nëse Rusia e sheh Uashingtonin si kanal të rëndësishëm për të ndikuar apo për të negociuar në Ukrainë, atëherë Moska ka interes të mos hapë një krizë të re direkte me SHBA-në për shkak të Iranit.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton se Rusia e braktis aleatin e saj kryesor në Lindjen e Mesme. Së fundmi, është reported se Rusia po i ofron Iranit informacione për shënjestrim për të sulmuar trupat amerikanë dhe asetet ushtarake në Lindjen e Mesme. Megjithatë, siç konfirmohet edhe nga gazeta Washington Post, Moska po luan një rol të rëndësishëm, por të tërthortë në këtë konflikt.
Një sjellje e tillë është dëshmi e qartë se për Putinin, prioriteti i parë dhe më i rëndësishëm mbetet ai që e prek drejtpërdrejt sigurinë dhe mbijetesën politike të regjimit të tij dhe që lidhet direkt me Ukrainën.
Prandaj, deklaratat e forta të Moskës duhen lexuar si sinjale politike dhe jo si paralajmërim për përfshirje konkrete. Rusia synon të ruajë rolin dhe interesat e saj në Lindjen e Mesme, por pa paguar çmimin e një konfrontimi të drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe Izraelin dhe pa e shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina.































































