Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Sfilata groteske e Vjosa Osmanit në shfaqjen e filmit “Melania” në Prishtinë

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Në mbrëmjen e fundit të janarit të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani u bë qendra e vëmendjes mediatike, jo për ndonjë fjalim diplomatik apo një nismë shtetërore, por për shfaqjen e një produksioni filmik: dokumentarit “Melania”, vetëm një ditë pas premierës botërore në Uashington.

Presidentja Osmani e përshkroi këtë shfaqje si një shenjë të thellimit të partneritetit midis Kosovës dhe SHBA-së, duke e konsideruar artin si një urë që lidh kulturat dhe promovon vlerat e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ngjarja e konceptuar si një manifestim kulturor u promovua në mënyrë groteske nga Zyra e Presidentes. Presidentja Osmani përdori resurse zyrtare për të promovuar një dokumentar mbi jetën private dhe rolin e Zonjës së Parë amerikane.

Ky dokumentar filmik nuk ka të bëjë asgjë me thellimin e raporteve SHBA-Kosovë, por është një oportunizëm i radhës nga një presidente e cila tenton ta hiperbolizojë çdo event apo mundësi si arritje diplomatike dhe afërsi me SHBA-në.

Presidentja tashmë ka filluar edhe të promovojë produkte filmike, duke i përzier kompetencat e zyrës më të lartë në vend, pikërisht në kohën kur vendi përballet me krizë institucionale e cila po zgjat përmbi një vit, ndërkaq mandati i saj po vjen drejt fundit.

Reagime ndaj kësaj performance pa shije pati edhe nga jashtë. Një nga reagimet më të forta ndaj kësaj performance erdhi nga gazetari gjerman, Michael Martens, korrespondent i Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Në një postim të shkurtër në platformën X, ai e kritikoi presidenten Osmani, duke thënë se ajo duket se “nuk dallon mes përfaqësimit të interesave legjitimë të një shteti dhe prostitucionit intelektual vetëdegradues.”

Sipas tij, organizimi i një ngjarjeje të tillë nën patronatin e institucionit të Presidencës kalon vijën e ndarjes midis promovimit të interesave shtetërorë dhe një lloj serviliteti kulturor të paskrupullt.

Nevoja personale e presidentes Osmani për ta kënaqur egon e saj personale ka devalvuar institucionin e presidentit, duke hedhur në pah një servilizëm të pakuptimtë.

Qasja e Osmanit mund të ketë krijuar përshtypjen e një diplomacie kosovare që kapet pas projekteve të jashtme për të fituar legjitimitet, në vend që të kultivojë vlera të qarta dhe të pavarura kulturore.

Madje, kjo nismë shkon përtej fushës kulturore dhe bie në një hapësirë të paqartë mes diplomacisë dhe politikës së brendshme. Në realitet, Osmani po përdor mbështetjen ndaj një figure politike amerikane për të rritur profilin e saj publik në kohën kur mandati i saj presidencial po i afrohet fundit, ndërkaq ambiciet e saj për një mandat të dytë tashmë janë bërë publike.

Ajo, duke promovuar një dokumentar të tillë vetëm pak ditë pasi ndau skenën me Donald Trumpin në lansimin e Bordit të Paqes, po synon të krijojë përshtypjen se marrëdhëniet me Uashingtonin zyrtar dhe familjen presidenciale amerikane bëhen vetëm nëpërmjet saj.

Rrjedhimisht, ajo po tenton ta përçojë mesazhin se rizgjedhja e saj për një mandat të dytë si presidente e Republikës është interes nacional për vendin.

“Melania” nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një simptomë e një problemi më të thellë në mënyrën se si Presidenca e Kosovës, nën udhëheqjen e Vjosa Osmanit, po e koncepton dhe po e performon diplomacinë shtetërore.

Në një moment kur figura e Donald Trumpit mbetet thellësisht përçarëse në skenën globale, Kosova nuk ka as nevojë dhe as interes strategjik të shndërrohet në promotore të normalizimit apo rehabilitimit simbolik të tij nëpërmjet bashkëshortes së tij.

Një qasje e tillë e vendos shtetin në një pozitë të panevojshme sikleti dhe degradon institucionin e presidentit përballë partnerëve dhe akterëve ndërkombëtarë. Për më tepër, e bën Kosovën subjekt talljeje nëpër qendrat e vendimmarrjes dhe mediume perëndimore.

You May Also Like

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analysis

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.