Viti 2025 nuk solli zhvillime të rëndësishme në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, përveç emërimit të Peter Sorensenit si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar po nga BE-ja. Gjatë këtij viti nuk pati asnjë takim të nivelit të lartë, kur po bëhen dy vjet që nga takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Kosova dhe Serbia, gjatë këtij viti, patën një përvojë të përbashkët. Në të dy vendet pati dinamika të brendshme politike intensive, që shënuan një varg të krizave institucionale, me zhvillimet e brendshme që në masë të madhe formësuan dhe kufizuan agjendat përkatëse politike të tyre.
Ndonëse në shikim të parë duket se viti 2025 u humb pa pasur ndonjë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë këtij viti ndodhën disa procese të rëndësishme. Këto, bashkë me rolin më proaktiv të BE-së, sigurojnë një bazë të mirë për rezultate më pozitive dhe konkrete në vitin 2026.
Gjendje e vazhdueshme stagnimi
Kosova e kaloi pjesën më të madhe të vitit në ngërç politik, pasi zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të vitit 2025 nuk ia dolën të prodhojnë një shumicë qeverisëse. Për këtë arsye, Kosova tani po përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor, një datë e pazakontë zgjedhjesh që qëllon të jetë gjatë periudhës së pushimeve dimërore.
Kuvendi i Kosovës nuk ia doli për disa herë radhazi ta zgjedhë kryetarin, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, e nominoi Albulena Haxhiun 54 herë, e në asnjërin tentim nuk e mori shumicën e votave të nevojshme. Ndonëse kishte vetëm 42% të ulësve në Kuvend, partia fituese refuzoi të bënte kompromis, kësisoj duke e bllokuar në mënyrë efektive formimin e qeverisë së re dhe duke e zgjatur ngërçin institucional.
Në anën tjetër, Serbia nuk mbajti zgjedhje, përkundër thirrjeve dhe kërkesave të vazhdueshme për mbajtjen e tyre nga lëvizja e protestave studentore, pas shembjes së çatisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Përgjatë vitit 2025, vendi u paralizua masivisht nga një valë protestash popullore që nxitën trazira publike, në nivele të papara për dekada.
Megjithëse kryeministri Vuçeviq dha dorëheqje në janar të vitit 2025 dhe u formua një qeveri e re pa u shpallur zgjedhjet e parakoshme, autoritetet udhëheqëse mbetën në një gjendje të vazhdueshme mbrojtëse, teksa protestat studentore u rritën mjaft shpejt dhe fituan mbështetje të gjerë publike.
Kjo e nxori çështjen e Kosovës jashtë diskursit publik dhe politik në Serbi, teksa dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk ishte prioritet i Qeverisë së Serbisë. Njëkohësisht, mungesa e një qeverie funksionale në Kosovë pamundësoi angazhimin e plotë në negociata, duke e lënë dialogun në një gjendje të zgjatur të stagnimit.
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi prapa perdeve
Ndonëse dialogu Kosovë-Serbi ishte pothuajse joekzistent, disa zhvillime të rëndësishme ndodhën pas perdeve. Megjithëse për publikun e preokupuar me politikën e brendshme mund të duken si të vogla, këto zhvillime mund të jenë kyçe për vazhdimin e procesit të normalizimit.
Së pari, emërimi i Peter Sorensenit si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi mund të lexohet si përpjekje e BE-së për ta mbajtur dialogun gjallë dhe për të ruajtur stabilitetin në terren. Ndonëse nuk ndodhi asnjë zhvillim i madh në dialog, mungesa e përparimit nuk mund t’i atribuohet atij, marrë parasysh krizat politike në Kosovë dhe Serbi. Sorenseni është një diplomat me shumë përvojë dhe me njohuri të thella për Ballkanin Perëndimor.
Së dyti, pas më shumë se tre vjetësh jashtë pushtetit për shkak të dorëheqjes në vitin 2022, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës u kthyen në institucionet e Kosovës. Lista Serbe fitoi 9 nga 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në zgjedhjet paralementare të shkurtit dhe 10 komuna me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, dhe kësisoj e riafirmoi dominimin e saj politik. Gjithashtu, kjo parti njoftoi se do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
Së treti, u shënua përparim në punën e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Edhe pse mbi 1,600 njerëz mbesin të zhdukur dhe, në vitin 2023, u nënshkrua një deklaratë, Komisioni nuk u takua deri në vitin 2025. Pas një takimi të dështuar në janar, më në fund Komisioni u mblodh në dhjetor dhe zyrtarisht filloi punën. Ky është një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së një çështjeje të rëndësishme humanitare dhe, nëse gjithçka shkon në drejtimin e duhur, do të shërbejë si bazë për normalizimin e marrëdhënieve.
Në fund, gjendja e sigurisë në vitin 2025 ishte relativisht stabile. Ky vit, përkundër disa incidenteve të izoluara, ishte më i qetë sesa vitet paraprake. Ky stabilitet i brishtë u nënvizua nga Strategjia e fundit e Sigurisë e SHBA-së, e cila theksoi se sa e pasigurt mbetet paqja midis Kosovës dhe Serbisë.
A ka vend për optimizëm në vitin 2026?
Marrë parasysh ngjarjet kaotike të vitit 2024 dhe mungesën e përparimit në dialog në vitin 2025, një vëzhgues i arsyeshëm i zhvillimeve do të hezitonte të priste ndonjë përmirësim të madh në vitin 2026. Megjithatë, ka vend për optimizëm të kujdesshëm.
Kthimi i serbëve në jetën politike të Kosovës është shenja e parë e lëvizjes në një drejtim pozitiv. Përtej përfaqësimit politik, riintegrimi i plotë i serbëve në polici dhe sistemin gjyqësor duket se do të jetë mjaft me prioritet në agjendën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Sorensen, mandati i të cilit pritet të vazhdohet në shkurt të vitit 2026.
Për më tepër, vendimi i BE-së për të hequr sanksionet e vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023, është një hap pozitiv që mund të shtyjë angazhim më të fuqishëm në dialog. Teksa BE-ja shfrytëzon momentumin gjeopolitik për të avancuar procesin e zgjerimit dhe është përforcuar nga përparimi i shpejtë i Malit të Zi në mbylljen e kapitujve, në vitin 2026 ajo ka një mundësi për ta drejtuar procesin e normalizimit më me vendosmëri, duke e futur aplikimin e Kosovës në agjendën e Këshillit dhe duke kërkuar një opinion nga Komisioni. Hapa të këtillë mund ta motivojnë elitën politike në Prishtinë për ta inkurajuar riintegrimin e plotë të serbëve dhe për të avancuar krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.
Në vitin 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, Kosova pritet ta formojë qeverinë e re, teksa ka shumë mundësi që edhe në Serbi të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje, nëse mbahen, mund të sjellin stabilitet më të madh politik dhe social në vend. Me qeveri dhe udhëheqje të reja në Prishtinë dhe Beograd, mjedisi për avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mund të bëhet më i përshtatshëm.
Në konkludimet e dhjetorit, Këshilli Europian bëri thirrje për një takim të nivelit të lartë, “pasi të jenë krijuar kushtet e përshtatshme”. Fakti që institucione të ndryshme të BE-së po ndërmarrin hapa konkretë në lidhje me Ballkanin Perëndimor ndihmon në përgatitjen e terrenit për një përparim të mundshëm në procesin e normalizimit në vitin 2026. BE-ja ka lejuar që procesi të ngecë për një kohë shumë të gjatë dhe, vitin e ardhshëm, duket se do të kemi një ndryshim të qasjes.






























































