Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Kosova po humb zërat e saj në Uashington, një qasje e re diplomatike është e domosdoshme

Vdekja e ish-kongresistit amerikan Eliot Engel në prill nuk duhet parë vetëm si humbje e një miku të madh të Kosovës, por si një sinjal serioz drejt shuarjes së figurave kyçe që mbështesin Kosovën në institucione amerikane.

Trashëgimia politike e Eliot Engel-it lidhet ngushtë me Kosovën. Që nga vitet ‘90 ai ishte ndër zërat më të hershëm në Kongresin amerikan që kërkonte ndërhyrje ndaj represionit serb dhe mbrojtje për shqiptarët e Kosovës. Gjatë luftës së vitit 1999, Engel-i ushtroi presion politik mbi Administratën amerikane për veprim më të vendosur kundër regjimit të Slobodan Milosheviqit.

Mbështetja e tij vazhdoi edhe pas luftës. Engel-i ishte një nga figurat kryesore në Kongres që punoi për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe konsolidimin të shtetësisë së saj, sidomos në marrëdhëniet me SHBA-në. Përmes rolit të tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ai vazhdimisht mbrojti interesat e Kosovës dhe kontribuoi në ruajtjen e vëmendjes amerikane ndaj zhvillimeve në rajon.

Engel-i i përkiste një gjenerate politikanësh amerikanë, ku hyjnë edhe shumë të tjerë, si: Bob Dole, Joseph DioGuardi, John McCain, të cilët e shihnin çështjen e Kosovën nga perspektiva e sigurisë europiane, e shpërndarjes së vlerave demokratike dhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Vetë DioGuardi, qysh në vitin 1989, themeloi Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (ang. Albanian American Civic League), organizatë kjo që për dekada loboi në Uashington për çështjen shqiptare në Ballkan.

Gjithashtu, Bob Dole e kishte ngritur çështjen e Kosovës në vëmendjen amerikane në fillim të viteve ‘90, kur represioni serb dhe spastrimi etnik po rëndoheshin. Në fjalimin e vitit 1998 në Kongresin amerikan përmendet edhe deklarata e tij pas kthimit nga Kosova, ku paralajmëronte se krimet që Perëndimi ishte zotuar t’i ndalte në Bosnjë tashmë po ndodhnin në Kosovë.

Gjenerata e politikanëve si Engel, Dole, DioGuardi dhe McCain, kishin përvojë politike të drejtpërdrejtë me Kosovën. Ata personalisht kishin parë represionin e viteve ‘90, ishin takuar me diasporën shqiptare dhe kishin marrë pjesë në formësimin e qëndrimit amerikan ndaj Kosovës.

Mirëpo, sot, gjeneratat e reja të politikëbërësve në Uashington nuk e kanë domosdoshmërisht këtë përvojë, as këtë kujtesë historike. Kosova nuk është më në qendër të vëmendjes amerikane, ndërsa shumë prej tyre janë pensionuar apo kanë ndërruar jetë.

Serbia po e thellon lobimin e saj në SHBA, ndërsa Kosova ende mbetet pa kontrata lobimi

Shqetësimi rritet kur kemi parasysh faktin se Kosova aktualisht nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi në SHBA. Sipas raportimitRadios Evropa e Lirë (REL), Kosova që nga viti 1992 ka pasur të angazhuara pothuajse vazhdimisht kompani lobimi për të shtyrë përpara interesat e saj në Uashington.

Aktualisht, asnjë kontratë e tillë nuk figuron si aktive në regjistrin e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Ndërkohë, Serbia nuk po e lë këtë boshllëk diplomatik pa e shfrytëzuar. REL-i raporton se institucionet shtetërore të Serbisë kanë pesë kontrata aktive lobimi në SHBA.

Serbia paguan rreth 65 mijë dollarë në muaj për kompaninë lobuese Valcour, 60 mijë dollarë në muaj për kompaninë KARV Communications dhe 50 mijë dollarë në muaj për BGR Group.

Ndërsa, Oda Ekonomike e Serbisë paguan 840 mijë dollarë në vit për kompaninë Yorktown Solutions. Pra, ndërsa Kosova mbështetet ende në kapitalin historik e nostalgjik të viteve ‘90, Serbia po investon seriozisht në një infrastrukturë të organizuar ndikimi në Uashington.

Lobimi nuk e zëvendëson diplomacinë, por diplomacia pa lobim mbetet joefektive

Në rastin e Kosovës, kjo dobësi është reflektuar në mungesën e një përfaqësimi dinjitoz dhe në një politikë të jashtme që shpesh ka vepruar pa strategji të qartë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme, nën udhëheqjen e ministres Donika Gërvalla-Schwarz, nuk ka arritur të konsolidojë standardet minimale për të operuar.

Në këtë kontekst, presidentja Vjosa Osmani ka qenë e vetmja lidere politike që ka shërbyer si faktor stabilizues në ruajtjen e kursit diplomatik dhe shmangien e përshkallëzimeve të panevojshme dhe parandalimin e rrëshqitjes së Kosovës drejt një krize më të thellë diplomatike.

Përvoja e Kosovës tregon se vetëm nënshkrimi i kontratave lobuese pa një strategji të qartë nuk funksionon. Kjo është reflektuar në qasjen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e cila në vitet 2022–2023 nënshkroi dy kontrata lobimi në SHBA me kompani të themeluara rishtazi dhe pa përvojë të dëshmuar paraprake në këtë fushë.

Secila prej tyre do të paguhej nga 147 mijë euro për një vit angazhim. Fillimisht, këto marrëveshje nuk u bënë transparente për publikun në Kosovë, por u publikuan përmes regjistrave të FARA-s në SHBA.

Për më tepër, raportimet publike treguan se, në gjashtë muajt e parë, një pjesë e madhe e shpenzimeve ishte realizuar në Kosovë, përfshirë shpenzimet për dreka e darka dhe bileta fluturimi, ndonëse qëllimi i kontratave dhe mandati i tyre parashihte këshillim, përfaqësim dhe lobim brenda territorit të Shteteve të Bashkuara.

Kjo ngre pikëpyetje serioze për efikasitetin lobues të këtyre kompanive, për mënyrën e përdorimit të fondeve publike dhe për aftësinë e Qeverisë për ta kthyer lobimin në instrument konkret të politikës së jashtme.

Nevoja për një qasje të re

Kosova ka nevojë për një qasje të re, që mbështetet në një strategji gjithëpërfshirëse të ndikimit në SHBA. Kjo nënkupton rikthim të pranisë ndikuese të Kosovës në Kongresin amerikan, komunikim të rregullt me Administratën amerikane, angazhim me qendrat kërkimore dhe mediat në Uashington, koordinim më të mirë me diasporën dhe ndërtim të një narrative të qartë për atë që Kosova ofron si shtet aleat.

Nuk mjafton vetëm të thuhet se Kosova është proamerikane. Duhet të shpjegohet pse stabiliteti i Kosovës është interes edhe amerikan, pse dobësimi i saj u shërben akterëve destabilizues në rajon dhe pse mbështetja për Kosovën mbetet investim në sigurinë, interesat, por edhe vlerat euroatlantike.

Kongresisti Eliot Engel dhe brezi i tij e mbështetën Kosovën në momentin kur ajo kishte nevojë për zë në qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare. Sot, në një botë gjithnjë e më të pasigurt, përgjegjësia i takon shtetit të Kosovës që të mos mbetet pa zë në ato qendra.

Miqtë historik duhet të nderohen, por aleancat e së ardhmes duhet të ndërtohen dhe të mirëmbahen. Ato nuk mbahen gjallë vetëm me kujtime dhe falënderime, por me strategji të qartë, prani institucionale dhe punë të vazhdueshme në mbrojtje të interesave shtetërorë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.