Përderisa detyra e një qeverie është të sigurojë stabilitet energjetik, kryeministri Albin Kurti deklaroi së fundmi se “kosovarët gjatë dimrit mbajnë dhomat me temperatura më të larta”.
Këtë deklaratë ai e bëri teksa analizonte rritjen e konsumit të energjisë elektrike.
Përgjatë viteve të fundit, kryeministri Kurti ka bërë një kthesë prej 180 shkallësh. Sa ishte në opozitë, Kurti deklaronte se “rryma është e shtrenjtë” dhe se Kosova “fle në qymyr”.
Ndërsa në pushtet, Kurti akuzon qytetarët se po “ngrohen shumë” dhe se “aq lirë ka qenë çmimi i energjisë, saqë qytetarët nuk e kanë ditur sa e kishin faturën”.
Sot, në vend se ta zgjidhë problemin e mungesës së energjisë elektrike, kryeministri Kurti ka marrë një rol moral të edukimit të qytetarëve në kursimin e energjisë elektrike.
Por, e vërteta është se gjatë qeverisjes Kurti 2, Kosova u përball me reduktime serioze të energjisë elektrike dhe qytetarët e saj po ballafaqohen me fatura më të shtrenjta.
Kosovarët nuk kanë energji të mjaftueshme për ngrohje
Kosovarët nuk mund të ngrohen shumë, sepse nuk kanë as ngrohje e as energji elektrike të mjaftueshme.
Këtë gjë e pohon Raporti i Bankës Botërore, i cili thotë se mbi 40% e popullsisë së Kosovës nuk mund të mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta.
Madje, vetë të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë nxjerrin në pah statistika se konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike janë një pakicë shoqërore që përbën rreth 20% të konsumatorëve.
Në nëntor të vitit 2024, 12% e amvisërive (me konsum mbi 1000 kWh) kanë konsumuar 39% të energjisë elektrike. Më janar 2025, 9% e konsumatorëve (me konsum mbi 2000 kWh) kanë konsumuar 29% të energjisë elektrike.
Këto dy kategori shpenzojnë më shumë se të gjithë konsumatorët e tjerë bashkë, që kanë konsumuar nën 800 kWh.
Prandaj, deklarata e kryeministrit Kurti se qytetarët po “ngrohen shumë” nuk është e vërtetë.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike
Fillimisht, më 9 shkurt të vitit 2022, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), përmes klasifikimeve të konsumatorëve, kishte bërë ndryshim tarifash për konsumatorët që shpenzojnë mbi 850 kWh për muaj, të cilët do të paguanin 5% më shumë, ata që shpenzojnë 1000 kWh do të paguanin 17% më shumë, ndërsa konsumi i 1200 kWh do të kushtonte 29% më shumë.
Një vit më pas, më 30 mars të vitit 2023, ZRRE-ja vendosi që çmimi i energjisë elektrike të rritet për 15.4%.
Më 11 prill të vitit 2025, ZRRE-ja njoftoi se energjia elektrike do të shtrenjtohej përsëri për 16.1%.
Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, rryma është shtrenjtuar tri herë në Kosovën që banorët e saj “flenë mbi qymyr”, siç thoshte Kurti si opozitar.
Kundërthënie të tilla nuk flasin vetëm për moskonsistencën e Kurtit si politikan, por për një mendësi në raport me sektorin e energjisë, që është shndërruar në problem zinxhiror për ekonomitë familjare dhe bizneset.
Mungesa e lidershipit dhe humbja e mundësive
Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, duke argumentuar se projekti do të shkaktonte rritje prej 45% deri në mbi 80% të tarifave të energjisë elektrike.
Pos termocentralit, Albin Kurti nuk ishte optimist as për gazin amerikan, projekt i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga SHBA-ja.
Ndonëse Kurti në vitin 2021 kishte thënë se nuk e kanë refuzuar kategorikisht gazin amerikan, ai projektin e ka pezulluar me kërkesë për më shumë informacione. Në vitin 2026, ky projekt nuk shihet në horizont.
Qeveria Kurti, lëre që nuk ka rritur kapacitetet prodhuese, por ka humbur mundësi pas mundësie për projekte të reja, që do t’i siguronin Kosovës kapacitete të mjaftueshme.
Importi, zgjidhja e preferuar e qeverisë
Sot, Kosova siguron energjinë elektrike nga prodhimi në KEK, pjesën tjetër e merr nga importi dhe vetëm 11% nga burime të ripërtëritshme, si: uji, era e dielli.
Gjatë periudhës 2021-2025, importi i energjisë elektrike ka qenë opsion më i preferuar.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kërkoi sakrificë, duke paralajmëruar import të lartë, me justifikimin se blloqet e KEK-ut do të ndalen për një kohë për shkak të “renovimeve”, arsyetim ky që bëhet vazhdimisht në dimër kur ka reduktime.
Problemi me importin e energjisë elektrike është kostoja dhe ajo se është zgjidhje e përkohshme.
In the latest dhjetor të vitit 2024, 75% e rrymës që është marrë nga KEK-u ka kushtuar 13.1 milionë euro, ndërkaq vetëm 18% e rrymës në të njëjtin muaj ka kushtuar 21.9 milionë euro.
Mafia energjetike
Kur Kosova importon rrymë, me shifra milionëshe, këtë e bën edhe përmes familjarëve të pushtetarëve, si rasti kur ZRRE-ja licencoi kompaninë e Driton Dalipit, vëllait të Luan Dalipit ish-shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.
Opozita në Kosovë ka akuzuar vazhdimisht Qeverinë Kurti për lidhje me mafinë energjetike, për të përmendur kompaninë NOA Energy Trade nga Shqipëria si më e preferuara për të importuar rrymë në Kosovë.
Kjo kompani e filloi punën në Kosovë në vitin 2021, po atë vit kur Kurti erdhi në pushtet, dhe është kompania e tetë në Kosovo me më së shumti qarkullim.
Gjithashtu, figurë kyçe që ndërlidhet me mafinë energjetike në Kosovë është ambasadori I Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Berishaj e kishte pranuar bashkëpunimin me kompaninë GEN Beograd, ndërkaq ndaj tij ka edhe hetime nga drejtësia e Kosovës.
I njëjti pushtet nuk është distancuar as nga personazhi tjetër i dyshimtë me sektorin e energjisë, Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi i KEK-ut. Ndaj tij veç është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Këto hetime ndaj figurave të lidhura me pushtetin kanë shndërruar energjinë në fushën më problematike për ngecjen e zhvillimit të Kosovës dhe korrupsionit potencial qeveritar.




























































