Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Mësime nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat: Ku qëndron rajoni?

Më 5 qershor, udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të BE-së udhëtuan drejt Tivatit për Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që për herë të parë u organizua në Malin e Zi.

Ishte e pamundur të mos vërehej simbolika. Pë Malin e Zi, mesazhi nga udhëheqësit e BE-së ishte i qartë: vazhdoni të ecni përpara.

Për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, Samiti shenjoi një angazhim të ripërtërirë, ndonëse të pabarabartë, përfshirë për të parën herë një qasje më të strukturuar drejt integrimit gradual në rrugën drejt anëtarësimit të plotë.

Konkretisht, në non-paper-in e hartuar bashkërisht nga Franca dhe Gjermania, si dy forcat udhëheqëse të BE-së, në tryezë janë ofruar masa konkrete si qasja e plotë në Tregun e Përbashkët, statusi i vëzhguesit në institucionet e BE-së dhe pjesëmarrja në agjenci të ndryshme të BE-së.

Mali i Zi: në krye për integrim në BE

Podgorica hyri në Samitin BE-Ballkani Perëndimor pasi paraprakisht kishte përmbyllur 14 nga 33 kapitujt e negociatave, teksa Brukseli tashmë po harton marrëveshjen e anëtarësimit dhe viti 2028 është vendosur si cak ambicioz, por me gjasa reale, për anëtarësim në BE. Me dy kapituj shtesë, që Qeveria e Malit të Zi ka pritshmëri se do të përmbyllen deri në fund të qershorit, qëllimi duket përditë e më i arritshëm.

Njëkohësisht, Podgorica ka kaluar një test të rëndësishëm të sigurisë duke kthyer mbrapsht aeroplanin me mbështetës të presidentit Vuçiq, të cilët potencialisht mund të krijonin tensione në Samit dhe të krijonin përshtypjen se Mali i Zi akoma nuk është i gatshëm t’i bashkohet BE-së.

Gjithçka duket se po shkon mirë për Malin e Zi, teksa ai vazhdon përparimin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në BE me një ritëm relativisht më të shpejtë sesa fqinjët e tij.

Shqipëria: kryesuesja e re

Nëse Mali i Zi është modeli, Shqipëria është befasia. Pasi në tetor 2024 u shkëput nga Maqedonia e Veriut, ajo gradualisht e ka tejkaluar Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke u bërë një nga dy shtetet kryesuese bashkë me Malin e Zi.

Vetëm dhjetë ditë para Samitit në Tivat, Konferenca e tetë e Anëtarësimit BE-Shqipëri konfirmoi përmbushjen nga Shqipëria të kritereve të ndërmjetme për Kapitullin 1 (Bazat) dhe përcaktoi kriteret përmbyllëse për këtë kapitull.

Ky është hap i madh në procesin e anëtarësimit. Shqipëria ka hapur të gjashtë kapitujt për më pak se një vit, ka përfunduar procesin e shqyrtimit të përputhshmërisë (screening) në të 33 kapitujt deri në nëntor 2025 dhe Tirana mëton t’i përfundojë negociatat deri në vitin 2027 dhe të hyjë në BE deri në vitin 2030.

Megjithatë, protestat e fundit në Shqipëri mund ta ndërlikojnë këtë trajektore. “Revolucioni Flamingo” ka tërhequr vëmendjen për akuzat për keqmenaxhim mjedisor, korrupsion dhe qeverisje të dobët të lidhur me një projekt kontrovers të një resorti në ligatinat e mbrojtura të Vjosës-Nartës. Meqenëse anëtarësimi në BE kërkon përputhshmëri me standardet mjedisore dhe sundimin e ligjit, kritikat e vazhdueshme nga Brukseli mund ta ngadalësojnë përparimin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Maqedonia e Veriut: e bllokuar në labirintin bullgar

Kontrasti me Maqedoninë e Veriut është i fortë. Njëzet vjet pasi fitoi statusin e vendit kandidat për BE, rruga e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht ka qenë e bllokuar me veto, së pari nga Greqia, pastaj nga Bullgaria. Më 2026, ajo mbetet e bllokuar për shkak të një kërkese nga Bullgaria që bullgarët etnikë të njihen në kushtetutë, një kusht tashmë i ndërlidhur në kornizën negociuese me BE-në.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka refuzuar të fillojë amendimin kushtetues derisa Shkupi të marrë garanci se nuk do të pasojnë kushte të tjera bullgare, garanci këto që Sofja nuk është e gatshme t’i ofrojë. Komisioni Europian ka përsëritur se ndryshimet kushtetuese mbesin të detyrueshme.

Me pak oreks për reforma në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, vështirë të shihet përparim në të ardhmen e parashikueshme, me vendin që mbetet i bllokuar nga vetoja bullgare.

Serbia: një përkujtim se anëtarësimi në BE mund të bëjë edhe hapa mbrapa

Për një kohë të gjatë, Serbia është konsideruar si kryesuesja e procesit të zgjerimit të BE-së. Megjithatë, gjatë pesë vjetëve të fundit, nuk janë hapur kapituj të rinj të negociatave dhe raportuesi i Parlamentit Europian, Tonino Picula, e ka cilësuar si jorealist objektivin e shpallur të Serbisë për anëtarësim më 2026.

Në Serbi, regresi në çështje thelbësore, përfshirë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin elektoral, është dokumentuar në raportet e njëpasnjëshme të Komisionit Europian dhe është rikonfirmuar me një rezolutë të Parlamentit Europian në maj 2025, me të cilën u ngritën shqetësime serioze lidhur me problemet sistemike të nxjerra në pah nga protestat e fundit.

Njëkohësisht, protestat e udhëhequra nga studentët janë shfaqur si një forcë e vërtetë politike. Shembja e çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku u vranë gjashtëmbëdhjetë njerëz, nxiti mobilizimin më të madh në historinë moderne të Serbisë dhe tronditi sistemin politik dhe Qeverinë e Vuçiqit.

Në mes të protestave në shkallë të gjerë dhe regresit demokratik, Serbia përherë e më shumë po largohet nga zgjerimi i BE-së.

Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova: akoma duke pritur te dera

Përkundër dështimit t’i përmbushë 14 prioritetet e Komisionit Europian, Bosnjë-Hercegovinës iu dha statusi i kandidatit dhe, më vonë, në mars 2024, miratimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit, lëvizje këto që në masë të madhe u panë si të nxitura më shumë nga momentumi i zgjerimit më të gjerë të BE-së (përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë) sesa nga përparimi i reformave të brendshme.

Megjithatë, ndasitë e vazhdueshme të brendshme, tensionet mbi Marrëveshjen e Dejtonit dhe largimi i paralajmëruar i Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, vazhdojnë t’i kufizojnë perspektivat për reforma domethënëse në një sistem politik thellësisht të përçarë.

Në anën tjetër, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është as kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi i saj për anëtarësim ka mbetur në sirtar nga dhjetori 2022, teksa Prishtina, vitin 2025 dhe 2026 e ka kaluar duke u zhvendosur nga njëra krizë te kriza tjetër politike: parlamenti i shpërndarë, votimi i dështuar për president dhe tri palë zgjedhje të parakohshme parlamentare për 16 muaj.

Gjithashtu, përtej këtyre sfidave të brendshme politike, Kosova përballet me një pengesë të njohur strukturore: pesë shtetete anëtare akoma nuk e njohin pavarësinë e saj dhe ka vullnet të kufizuar politik në mesin e akterëve kryesorë, si Gjermania dhe Franca, për ta vendosur çështjen e saj më lart në agjendë.

Tivati konfirmon një rrugë të ndarë të zgjerimit

Samiti i Tivatit nuk solli ndonjë përfitim të prekshëm për Bosnjën dhe Kosovën. Të dyja mbeten të anashkaluara, akoma larg nga rruga e anëtarësimit dhe me perspektiva të kufizuara për të kapur dritaren aktuale të zgjerimit.

Teksa vëmendja ishte përqendruar te kryesuesit, Mali i Zi dhe Shqipëria, udhëheqësit gjithashtu i dhanë shenjë Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut se progresi është akoma i mundshëm nëse zbatohen reformat. Megjithatë, Bosnja dhe Kosova mbeten kryesisht të përjashtuara nga kjo dinamikë, pa asnjë tregues të qartë për një rrugëdalje për ta mbyllur hendekun.

Përfundimi nga Tivati është i qartë: Mali i Zi dhe Shqipëria tregojnë se zgjerimi ende mund të zbatohet kur ka vullnet të dyanshëm të vërtetë politik. Diku tjetër, shtrohet pyetja nëse BE-ja është e gatshme të shkojë përtej fjalëve dhe të marrë angazhime të qarta, zgjedhjen e ngërçit të vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, përgjigje më të fortë ndaj regresit demokratik të Serbisë, strategji më të qartë për Bosnjën dhe një afat kohor për kandidaturën e Kosovës.

 

 

Author

  • Miloš Pavković

    Miloš Pavković është një shkencëtar politik me specializim në rajonin e Evropës Juglindore, politikën krahasuese, regjimet hibride dhe politikën e BE-së. Studimet bachelor dhe master për shkenca politike i kreu në Universitetin e Beogradit. Ai kaloi një vit në Universitetin e Grazit si student në Erasmus dhe mbrojti tezën e magjistraturës (De)konsolidimi i shtetësisë së Kosovës në kontekstin e negociatave bashkëkohore ndërmjet Qeverive të Kosovës* dhe Serbisë. Ai kreu masterin e dytë në shkencat politike në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU). Ai është bashkëautor i publikimit Elementet kryesore të nevojshme për përparimin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Miloš aktualisht është i punësuar si studiues në Qendrën e Politikave Evropiane (CEP), Beograd dhe shërben si Ambasador i Ri i Evropës në Ballkanin Perëndimor.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.