Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Presidentja thërret në rezistencë!

Në të Drejtën Ndërkombëtare, shtetet mbahen përgjegjëse për shkeljen e detyrimeve të tyre.

Sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, “modeli i Asociacionit, i nënshkruar nga kryeministrat e kaluar,  nuk do të zbatohet”, duke thirrur kështu në rezistencë kundër zbatimit të obligimeve ndërkombëtare të shtetit të cilin e drejton…

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk resht së kritikuari ish-kryeministrat (Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, ky i fundit pararendës në postin presidencial) për “nënshkrim të marrëveshjeve të dëmshme” dhe tërthorazi stigmatizon edhe Gjykatën Kushtetuese për legjitimimin e atyre vendimeve. Duke u shfaqur anash patriotizmit kushtetues dhe mënjanë raison d’Etat dhe duke u shmangur nga roli i mbrojtëses së imazhit dhe prestigjit të shtetit, presidentja po bën thirrje për moszbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Për më tepër, ajo tha se “problemi i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit të Komunave Serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. […] Si përfaqësues të Republikës së Kosovës, ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë, që është ndërtuar me shumë sakrificë, modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional”.

Tendenca e presidentes për ‘penalizimin e ish-kryeministrave, si pretekst për shpalljen nul të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare është në kundërshtim të hapur me Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve 1969, (më tutje në shkrim si KVDT) që në Nenin 12  sanksionon pëlqimin për t’u lidhur me një traktat të shprehur me nënshkrim: 1. Pëlqimi i një shteti për t’u lidhur me një traktat shprehet me nënshkrimin e përfaqësuesit të tij kur: c) synimi i shtetit për t’i dhënë këtë efekt nënshkrimit del nga kompetencat e plota të përfaqësuesit të tij ose është shprehur gjatë negocimit.

Ashiqare, në akuzën e saj, së pari ka pasaktësi dhe kritikë agresive që vë në dyshim karakterin unifikues – si prerogativë kushtetuese – të postit që ajo mbanNeni 83 [Statusi i Presidentit]. Kjo paraqitje e saj, së dyti, është qëndrim mohues ndaj KVDT, përderisa Kosova me aktin e saj themeltar – Kushtetutën – merr përsipër zotimin për zbatimin e Marrëveshjeve/Traktateve Ndërkombëtare, (Neni 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare]) të cilat bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik. Presidentja e di se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit, të prillit 2013 dhe konform Nenit 19 të Kushtetutës, pika 2, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.

Kosova me Deklaratën e Pavarësisë në pikën 9 merr obligimet ndërkombëtare, përfshirë obligimet e traktateve dhe obligimet e tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ish-pjesë konstituive e saj.

Kosova ka negociuar (“shtet negociues” sipas KVDT nënkupton një shtet që ka marrë pjesë në hartimin dhe miratimin e tekstit të traktatit) dhe lidhur (Neni 6: Çdo shtet ka kapacitet për të lidhur traktate) nënshkruar (Neni 7: Kompetencat e plota: 1. Një person konsiderohet se përfaqëson një shtet me qëllim të miratimit ose vërtetimit të tekstit të një traktati ose për qëllimin e shprehjes së pëlqimit të shtetit për t’u lidhur nga një traktat nëse: (a) ai prodhon kompetencat e duhura të plota) Marrëveshjen me Serbinë në Bruksel për themelimin e Asociacionit.

Së këndejmi, sipas Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve (më poshtë KVDT) “traktat” do të thotë një marrëveshje ndërkombëtare e lidhur ndërmjet shteteve në formë të shkruar dhe e rregulluar nga e drejta ndërkombëtare, qoftë e mishëruar në një instrument të vetëm ose në dy ose më shumë instrumente të lidhura dhe pavarësisht nga përcaktimi i saj i veçantë.

Të drejtat që u akordohen shteteve sipas ligjit ndërkombëtar nënkuptojnë përgjegjësi. (Shih:  https://www.britannica.com/topic/international-law/The-responsibility-of-states )

Shtetet janë përgjegjëse për shkeljet e detyrimeve të tyre, me kusht që shkelja t’i atribuohet vetë shtetit. Një shtet është përgjegjës për shkeljet e drejtpërdrejta të së drejtës ndërkombëtare – p.sh. shkeljen e një traktati dhe e tillë është marrëveshja e parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, pra Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk përmend askund mbivendosjen e një pushteti të tretë me kompetenca ekzekutive. Prandaj, secila qeveri pasuese është e obliguar që të zbatojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. KVDT në Nenin 39 konkludon se një traktat mund të ndryshohet vetëm me marrëveshje ndërmjet palëve. Kurse Neni 60 i KVDT thotë se shkelja e marrëveshjes ndërkombëtare nga njëra palë i jep të drejtë palës tjetër.

Pse presidentja e ka gabim?

E para, Asociacioni nuk ishte vullnet as arbitraritet i kryeministrave (të kaluar) kosovarë, porse zotim nga Pako Ahtisaari qe e ka çuar vendin në pavarësi kombëtare (17 shkurt 2008) dhe e ka derivuar Kushtetutën e Kosovës; pra, Asociacioni buron nga Aneksi III Decentralizimi: 9.1.2, që sistemon një partneritet të komunave ne shumicë serbe, bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, (9.2).

E dyta, në Parimet e Përgjithshme të dakorduara në Bruksel (2015) ka qenë shqetësues togfjalëshi ‘kuvend kushtetutdhënës’ në versionin anglisht (si gjuhë e marrëveshjes), porse dokumenti i Parimeve e përmban klauzolën se Statuti i AKShS do t’i nënshtrohet ‘shqyrtimit’ të gjykatave kushtetuese të Kosovës dhe Serbisë, e këtë e ka pranuar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq (duke u pajtuar kështu me aspektin e mëvetësishëm të gjyqësisë  kushtetuese të Kosovës).

E treta, Gjykata Kushtetuese e Kosovës me aktgjykimin  Rasti Nr. KO130/15, ka konstatuar se Parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me Nenin 3, i cili ka të bëjë me barazinë para ligjit, me Kapitullin II që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore, si dhe me Kapitullin III për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, porse Gjykata konkludon se nuk është brenda juridiksionit të saj Ratione Materiae të vlerësojë kushtetutshmëninë e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare, por ka saktësuar decidivisht se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së Parë, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor 2013, me 84 vota për, 3 kundër dhe një abstenim. KVDT në Neni 11 thotë: pëlqimi i një shteti për t’u lidhur nga një traktat mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë një traktat, ratifikimi, pranimi, miratimi ose aderimi, ose me çdo mjet tjetër nëse është rënë dakord. Dhe në Nenin 14 saktësohen instrumentet e traktatit.

Pëlqimi për ta lidhur një traktat shprehet me ratifikim, pranim ose miratim.

Së këndejmi, presidentja po thërret në rezistencë kundër zbatimit të marrëveshjeve të arritura e të validuara nga  qeveritë paraprake, Kuvendi apo Gjykata Kushtetuese, precendet ky i rrezikshëm dhe shkatërrues për vendin. Minimalja e normativës për qëndrueshmërinë e demokracisë është “vetëpërmbajtja institucionale” e presidentes, e kjo d.m.th. vetëkufizim në detyrë. Një shtet është gjithashtu përgjegjës ndërkombëtarisht për shkeljet e kryera nga institucionet e tij të brendshme, megjithatë ato përcaktohen nga legjislacioni i tij i brendshëm, nga subjektet dhe personat që ushtrojnë autoritet shtetëror, si dhe nga persona që veprojnë nën drejtimin ose kontrollin e shtetit. Prandaj, në këtë ‘mbajtje përgjegjëse’ bie edhe moszbatimi (eventual) i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për themelimin e AKShS.

Shtetet që nuk respektojnë detyrimet ndërkombëtare minojnë sundimin e ligjit, konkludojnë së fundi delegatët e Komitetit të Gjashtë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ky komitet është një nga gjashtë komitetet kryesore të Asamblesë. Ai merret kryesisht me çështje juridike dhe është forumi kryesor për shqyrtimin e së drejtës ndërkombëtare dhe çështjeve të tjera ligjore në lidhje me Kombet e Bashkuara. Ata bëjnë thirrje që të mbizotërojë diplomacia, tradita e konsensusit që mbështet zbatimin e parimit të sundimit të ligjit në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e zgjidhjes së konflikteve, që po minohet nga shtetet që nuk respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare, së bashku me zbatimin dhe shfrytëzimin selektiv të kornizave dhe mekanizmave ekzistues. Neni 26 i KVDT thotë: “Çdo traktat në fuqi është i detyrueshëm për palët në të dhe duhet të zbatohet prej tyre në mirëbesim”. Kurse Neni 27 saktëson se një palë nuk mund të përdorë dispozitat e ligjit të saj të brendshëm si justifikim për dështimin e saj për të përmbushur një traktat.

Natyrisht se ky obligim ndërkombëtar i Kosovës është riaktualizuar së fundi edhe nga Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, por edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata janë shprehur (shkurt, 2022) për Asociacionin – për këtë “elefant në dhomë” – se “në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë” dhe si modus i përbashkët i tyre – lajm i mirë për Kosovën – del të jetë se “askush nuk është i interesuar për një tjetër Republika Sërpska”.

Afërmendsh, Qeveria e Kosovës duhet ta akomodojë këtë kërkesë ndërkombëtare në kornizën e saj kushtetuese duke: a) rimodeluar Parimet e Përgjithshme dhe Statutin e AKShS përmes rinegociimit ndërmjet palëve me shërbime të mira (propozime) të palës së tretë, ShBA dhe BE;

b) me mundësinë që kjo të inkorporohet në marrëveshjen finale, ligjërisht obligative, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që presupozon njohjen e Kosovës nga shteti serb, si aneks; ose c) duke marrë zotimin në fusnotë se Kosova me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje merr përsipër edhe themelimin e një modeli të asociacionit që ruan karakterin unitar të shtetit, një bashkësi që ushtron të drejta të deleguara shtesë por që nuk prodhon një kuvend kushtetutdhënës.

Asociacioni sipas Marrëveshjes së Parë (2013) është detyrim ndërkombëtar i shtetit si zgjidhje kushtetuese dhe çdo ide për zgjidhje kreative (jokushtetuese) është fatale për Republikën e Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.