Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Respektimi i pavarësisë së nivelit komunal: një domosdoshmëri për qeverinë në ardhje

Ilustracija: BigEye.

Kosova përfundoi me sukses zgjedhjet komunale më 9 nëntor 2025, duke e përfunduar raundin final (balotazhin). Së shpejti, 38 kryetarët dhe anëtarët e rinj të kuvendeve komunale do të marrin mandatet e tyre për t’i përfaqësuar qytetarët në komunat përkatëse.

Megjithatë, qeverisja e re komunale do të vazhdojë të përballet me probleme të cilat cenojnë pavarësinë e tyre. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se autonomia e komunave shpesh është kufizuar nga ndërhyrjet e nivelit qendror dhe nga mungesa e koordinimit të institucioneve.

Ky fenomen ka ndodhur vazhdimisht sepse qeveritë qendrore kanë parë komunat, sidomos ato që udhëhiqen nga kryetarë të partive kundërshtare, jo si partnere, por si kundërshtare. Për më tepër, edhe shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror ka reflektuar vazhdimisht ndikim politik, duke krijuar diferenca të mëdha mes komunave.

Mbi gjysma e investimeve të reja kapitale të nivelit qendror për vitin 2024 ishin orientuar kryesisht në katër komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime), edhe pse ato përbëjnë një pjesë të vogël të territorit dhe popullsisë.

Gjatë pesë viteve të fundit, janë tri raste në veçanti që kanë shfaqur ndërhyrje direkte nga niveli qendror në nivelin komunal, duke ndikuar negativisht në punën, funksionimin dhe pavarësinë e vetëqeverisjes lokale. Këto raste duhet të shërbejnë si mësime për qeverinë e ardhshme që të mos i tejkalojë kompetencat dhe t’i respektojë ligjet dhe vendimet e Gjyqësorit.

1. Ndërhyrja në kompetencat e Komunës së Kamenicës

Një nga ndërhyrjet me eklatante nga Qeveria ka ndodhur në Komunën e Kamenicës, gjatë periudhës 2019-2021. Atëkohë, Komuna e Kamenicës kishte për synim ta reformonte mënyrën e organizimit të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, për t’i bërë ato më efikase.

Problemi ishte se në shumë fshatra numri i nxënësve po ulej drastikisht dhe nuk kishte numër të mjaftueshëm të nxënësve dhe mësimdhënësve. Për ta përmirësuar gjendjen, disa prej reformave të propozuara ishin mbyllja dhe ndryshimi i disa objekteve shkollore, transferimi i nxënësve dhe rritja e numrit mesatar të nxënësve për klasë.

Por, këto reforma u bllokuan nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), e cila bllokoi punën e Komunës përmes një udhëzimi administrativ, duke bërë shkelje flagrante në kompetencat e Komunës. Veprimet e MASHTI-t u cilësuan si cenim i autonomisë nga Gjykata Kushtetuese, e cila nxori dy aktgjykime, të cilat i dhanë të drejtë Komunës.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në këtë rast përforcuan parimin e pavarësisë lokale dhe dhanë mesazh të qartë se qeveria qendrore duhet të respektojë kufijtë e kompetencave të përcaktuara në Kushtetutë.

2. Tentimi për t’i kufizuar liritë financiare të komunave

Qeveria e Kosovës, përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, tentoi të menaxhojë vetë një pjesë të të hyrave të komunave, duke e kufizuar lirinë financiare të tyre.

Gjatë vitit 2022, Qeveria e Kosovës, përmes Projektligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, tentoi të përfshijë një dispozitë që do t’i lejonte asaj të menaxhonte vetë bilancet e pashpenzuara të komunave nga vitet paraprake.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte arsyetuar se sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, komunat mund t’i bartin të hyrat e pashpenzuara vetëm nga viti aktual në vitin pasues, por jo pafundësisht. Murati kishte theksuar se mjetet e vitit 2022 mund të kalonin në vitin 2023, por jo ato të mbetura nga 2021 e më herët.

Vetëm pas reagimit të opozitës dhe presionit të organizatave të shoqërisë civile, kjo dispozitë u hoq. Më pastaj, me insistimin e Kuvendit dhe shoqërisë civile, në versionin e ri të Ligjit u përfshi ndryshimi që garantonte se bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetanake nga viti 2022 dhe vitet paraprake duhet t’u rikthehen komunave, e jo të mbesin në nivelin qendror.

Ky rast është një shembull konkret se si opozitarizmi i mirëfilltë dhe aktivizmi nga shoqëria civile i shërben pozitivisht demokracisë në vend. Liria e komunave për të menaxhuar mjetet e veta është po aq esenciale sa pavarësia në vendimmarrje. Sipas ligjit të përditësuar, Qeveria tanimë e ka për obligim t’ua kalojë komunave përkatëse të gjitha mjetet e pashpenzuara të tyre.

3. Moszbatimi i kontratave kolektive dhe planifikimi i dobët qeveritar në dëm të komunave

Një tjetër problem që doli në pah gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2 kishte të bënte me marrjen e detyruar të parave nga buxhetet e komunave për të paguar vendimet gjyqësore që rridhnin nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi.

Këto kontrata ishin nënshkruar nga ministrat e Arsimit dhe Shëndetësisë me sindikatat që nga viti 2015, por mjetet për zbatimin e tyre nuk ishin planifikuar në buxhetin qendror. Për pasojë, komunat, si punëdhënës të drejtpërdrejtë në arsim dhe shëndetësi, u përballën me kërkesa për pagesa përmes përmbaruesve.

Komunat pësuan një dëm financiar që vlerësohet rreth 230 milionë euro, para që janë marrë nga të hyrat e tyre vetanake dhe që duhej të ishin përdorur për rrugë, shkolla e projekte të tjera lokale.

Në thelb, kjo është pasojë e një planifikimi të dobët të institucioneve që vetë kishin marrë përsipër obligimet financiare. Ministritë kanë marrë vendime dhe obligime, pa i planifikuar në buxhet, ndërsa faturën e kanë paguar komunat.

Një fillim i ri?

Rastet e lartcekura tregojnë shumë qartë se problemi kryesor nuk është mungesa e ligjeve, por fakti që ato nuk zbatohen dhe, në rastet kur zbatohen, interpretohen në mënyrë të shtrembër.

Kushtetuta dhe ligjet ekzistuese përcaktojnë qartë kompetencat e komunave, por ndërhyrjet politike dhe administrative nga niveli qendror kanë prishur ekuilibrin e këtij sistemi, duke i dëmtuar direkt komunat dhe qytetarët.

Çdo ndërhyrje e panevojshme nga niveli qendror në punët e komunave e dobëson besimin e qytetarëve dhe e bën sistemin më pak funksional.

Për të ndërtuar një sistem funksional e demokratik, është e domosdoshme që qeveria e ardhshme të garantojë respektimin e plotë të kompetencave komunale, pavarësinë financiare dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes pushtetit qendror dhe atij lokal.

Përtej kësaj, është e domosdoshme të ketë bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes nivelit qendror dhe atij komunal. Qeveria duhet të krijojë mekanizma të përhershëm komunikimi e konsultimi me kryetarët e komunave, jo vetëm përmes Asociacionit të Komunave, por edhe në tryeza të përbashkëta ku diskutohen ligjet dhe politikat para se ato të miratohen.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.