Vjosa Osmani e mori detyrën e presidentes më 4 prill 2021, duke u bërë gruaja e dytë që e mban këtë pozitë në historinë e re të Kosovës. Presidenca e saj është karakterizuar me të arritura dhe me ngecje, duke lënë pas një histori të debatueshme, që vazhdon ta ndikojë diskursin politik në Kosovë. Teksa mandati i saj pesëvjeçar po i afrohet fundit, periudha e saj në këtë pozitë nxit reflektim dhe vlerësim kritik.
Spastrimi i shtëpisë: vendime të motivuara politikisht
Një nga vendimet e para të presidentes Osmani pas marrjes së detyrës ishte shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, me arsyetimin se ajo kishte cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Daka ishte shndërruar në cakun kryesor të partisë që sapo kishte fituar zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për shkak se më parë ajo kishte refuzuar t’i certifikojë për të garuar në zgjedhjet e vitit 2021 kryetarin Albin Kurti dhe disa anëtarë të tjerë, si rezultat i problemeve të tyre me ligjin.
Vendimi i presidentes Osmani, e cila garoi si kandidatja kryesore e LVV-së në vitin 2021, për shkarkimin e Dakës, u perceptua në masë të madhe si i motivuar politikisht. Akuzat ndaj Dakës u konsideruan të pabaza, pasi nën drejtimin e saj zgjedhjet në Kosovë ishin vlerësuar për profesionalizëm, ku rezultatet preliminare shpalleshin brenda pak orësh. Pasojat e vendimit të Osmanit u panë qartë në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, në të cilat KQZ-ja u ballafaqua me probleme të shumta dhe shpallja e rezultateve përfundimtare u vonua më shumë se një muaj.
Gjithashtu, Qeveria Kurti nxiti presidenten Osmani t’i shkarkojë 12 ambasadorë politikë, duke u thirrur në nevojën për rritjen e diplomatëve të karrierës, siç kërkohet nga Ligji për Shërbimin e Jashtëm. Megjithatë, u shkarkuan po ashtu edhe disa diplomatë të karrierës, gjë që tregon se ky vendim shërbeu kryesisht për të konsoliduar kontrollin dhe për të emëruar njerëzit e besueshëm. Shkarkimet masive dhe mungesa e një tranzicioni të rregullt e lanë Kosovën, për më shumë se gjashtë muaj, pa përfaqësim të lartë diplomatik në 23 misione, kësisoj duke penguar përpjekjet diplomatike dhe duke minuar reputacionin e Kosovës jashtë vendit. Sot, shumica e ambasadave kryesore akoma udhëhiqen nga të emëruar politikë, përfshirë këtu ambasadat në Bruksel, Lisbonë, Londër, Romë dhe Hagë.
Teksa dyshja Kurti-Osmani ka qenë e pakompromis për stafin diplomatik jashtë vendit, një standard i dyfishtë është parë me ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, njeri i afërt me Kurtin, i cili u akuzua për fshehjen e 1.5 milion eurove, evazion fiskal dhe shpëlarje të parave. Fillimisht, Osmani u rreshtua përkrah Kurtit për ta mbrojtur atë, por kur filluan të përkeqësoheshin marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit, kjo e fundit kërkoi më vonë dorëheqjen e Berishajt. Vitin tjetër, kur e vizitoi Kroacinë në një vizitë zyrtare, Osmani refuzoi praninë e Berishajt, ndonëse është zakon që në vizita të tilla të shoqërohet nga ambasadori. Përkundër akuzave serioze, Berishaj mbetet në pozitën e tij, duke vënë në pah favorizimin politik.
Në linjë të njëjtë me qëndrimin e Qeverisë Kurti mbi komunitetin serb në Kosovë
Qeveria Kurti ka vepruar njëanshëm, duke kufizuar shërbimet sociale për serbët e Kosovës, pa konsultime me komunitetin apo aleatët kyçë dhe ka dështuar të çojë përpara Draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Pavarësisht dakordimit me Marrëveshjen e vitit 2023 në Ohër, duke premtuar vetëmenaxhim për komunat me shumicë serbe, Qeveria nuk ka bërë asnjë përparim lidhur me këto zotime.
Në vend se t’i zbusë qëndrimet e Qeverisë, Osmani e ka përforcuar presionin mbi komunitetin serb në Kosovë. Në vitin 2022, ajo përsëriti qëndrimin e kryeministrit Kurti se Kosova nuk kishte detyrim për krijimin e një “Republika Srpska të re”. Vetëm një vit më pas, ajo ndryshoi qëndrim, duke deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ishte i pashmangshëm dhe detyrim ligjor, madje shprehu gatishmërinë për të bashkëhartuar një statut të ri, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe në linjë me Kushtetutën. Këto deklarata kontradiktore tregojnë se qëndrimet e Osmanit, më pak sesa nga bindja, priren nga ndryshimi i rrethanave politike.
Në korrik të vitit 2025, presidentja Osmani e tërhoqi kërkesën e saj për Gjykatën Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi mësoi se gjyqtari serb, Radomir Llaban, ishte caktuar si gjyqtar raportues për këtë rast, duke e cilësuar atë si kërcënim të sigurisë kombëtare, duke iu referuar konkretisht aktiviteteve të tij nga viti 2021 e tutje. Ndërsa shqetësimet e Osmanit mund të jenë të bazuara, pretendimi u bë pa asnjë dëshmi publike dhe ngriti pyetjen se pse më parë nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim, nëse Llabani përbënte vërtet kërcënim për sigurinë kombëtare. Duke paraqitur një gjyqtar në detyrë serb të Kosovës si kërcënim për sigurinë, ajo minoi besueshmërinë e sistemit gjyqësor, Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë.
Së fundmi, kryetari i zgjedhur rishtazi i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha nga LVV-ja, e shpalli Kuvendin të konstituuar, pavarësisht se me Rregulloren e Punës së Kuvendit kërkohen pesë nënkryetarë, përfshirë një nga komuniteti serb. Në këtë rast, ishin zgjedhur vetëm katër nënkryetarë dhe asnjëri nga ta nuk ishte nga komuniteti serb. Pavarësisht kësaj shkeljeje të qartë, presidentja Osmani mbështeti qasjen e Qeverisë. Më vonë, Gjykata Kushtetuese konfirmoi se Kuvendi nuk ishte konstituuar në mënyrë të rregullt, sepse mungonte nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Roli i presidentit është thelbësor në Kushtetutën e Kosovës, në të cilën thuhet se Presidenti “përfaqëson unitetin e popullit”. Marrë parasysh se Kosova është e përkufizuar si shtet multi-etnik, kjo përfshin edhe të gjitha komunitetet joshumicë. Megjithatë, Osmani ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme ta përmbushë këtë detyrë, veçanërisht kur kohezioni kombëtar dhe përfshirja e komuniteteve joshumicë ishin më së shumti të nevojshme.
Një politikë e jashtme në kaos
Politika e jashtme e Kosovës ka lënguar nga mungesa e koordinimit dhe e një strategjie koherente. Mungesa e unitetit është vërejtur më së shumti në moskoordinimin ndërmjet Presidencës, Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Veçanërisht kjo ishte e dukshme kur Kosova dështoi të siguronte anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe më rishtazi gjatë vizitës në SHBA në shtator 2025, ku presidentja, kryeministri dhe ministrja e Punëve të Jashtme udhëtuan veçmas me agjenda individuale.
Përveç mungesës së një strategjie të unfikuar, marrëdhëniet me aleatët kyçë janë përkeqësuar në një shkallë shqetësuese. Sanksionet e vëna nga BE-ja vazhdojnë të mbesin në fuqi, teksa lidhjet me SHBA-në kanë prekur pikën më të ulët. Në përpjekje për t’i përmirësuar këto marrëdhënie, presidentja Osmani, qëkur e mori detyrën, ka vizituar SHBA-në 20 herë. Por, ndonëse vizitat e saj ishin mjaft të shpeshta, ajo është përballur me vështirësi për të siguruar takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë.
Vizita e vetme bilaterale e Osmanit në SHBA ishte në korrik të vitit 2022, kur u takua me sekretarin e Departamentit të Shtetit, Antony Blinken. Gjatë kësaj vizite, Kosova nënshkroi marrëveshjen për grantin prej 200 milionë dollarëve me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në mbështetje të sektorit të energjisë në Kosovë. Që nga ajo kohë, Kosova akoma nuk është takuar me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.
Udhëtimet kaq të shpeshta do të mund të justifikoheshin vetëm nëse do të jepnin rezultate të prekshme, por ato përherë e më tepër duket se synojnë rritjen e prezencës mediatike dhe projektimin e një imazhi presidencial jashtë vendit, më shumë sesa fuqizimin e pozitës diplomatike të Kosovës. Për më shumë, Osmani shpesh shoqërohet nga një delegacion i madh, përfshirë fotografin dhe videografin personal, duke u siguruar kështu se çdo takim dhe paraqitje të transmetohet.
Kur ajo takohet me zyrtarë të SHBA-së, këto takime duken më shumë si takime simbolike, sesa vizita përmbajtjesore. Për shembull, më 9 korrik 2025, presidentja Osmani u takua me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Zyrën për Çështje të Europës dhe Euroazisë. Po atë ditë, Hanrahan njoftoi për planet e tij për t’i vizituar Bosnjë-Hercevoginën, Serbinë dhe Kosovën, gjë që e bëri takimin e Osmanit të duket i pasinkronizuar me planet e SHBA-së.
Gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së kanë përjetuar një varg krizash. Goditja më serioze erdhi më 12 shtator 2025, kur Ambasada e SHBA-së në Kosovë pezulloi Dialogun Strategjik, duke u thirrur në “veprimet e qeverisë kujdestare që rritën tensionet dhe paqëndrueshmërinë”. Dialogu Strategjik i SHBA-së është një nismë e nivelit të lartë, që promovon interesat e përbashkët në fusha si: mbrojtja, energjia dhe tregtia, me qëllim të avancimit të integrimit Euroatlantik të Kosovës dhe përforcimit të partneritetit më të madh strategjik me SHBA-në.
Për një shtet pjesërisht të njohur si Kosova, rreziqet janë veçanërisht të larta. Megjithatë, në vend se të merrte veprime për ta trajtuar situatën, Osmani publikoi një deklaratë, në të cilën shprehu shqetësim dhe keqardhje.
Arritje të rëndësishme në politikën e jashtme
Përkundër pengesave në politikën e jashtme të Kosovës, presidentja Osmani ka arritur suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfaqësuar Kosovën me profesionalizëm dhe elokuencë në samite, konferenca dhe takime zyrtare. Kombinimi i përvojës politike, arsimimit dhe rrjedhshmërisë në gjuhën angleze, i ka mundësuar asaj të komunikojë efektivisht me udhëheqësit botërorë, duke shtuar dukshmërinë dhe besueshmërinë e Kosovës jashtë vendit, si dhe duke projektuar imazhin e një udhëheqjeje të aftë.
Mund të thuhet se arritjet më të mëdha diplomatike të presidentes ndodhën në prill dhe tetor të vitit 2025, kur Sudani i Jugut dhe Siria njohën pavarësinë e Kosovës. Këto arritje shënuan përparim në përpjekjet për të siguruar njohje, që kishin ngecur në kohën e Qeverisë Kurti, e cila kishte dështuar që, përgjatë mandatit të saj katërvjeçar, të siguronte ndonjë njohje të re.
Gjithashtu, në vitin 2021, presidentja Osmani tregoi gatishmëri dhe vullnet të mirë ndërkombëtar, kur me kërkesë të presidentit Biden ofroi strehim për refugjatët afganë, veprim ky kuptimplotë, duke pasur parasysh mundësitë e kufizuara të Kosovës.
Përveç kësaj, turneu i saj diplomatik në Amerikën Latine, përfshirë hapjen e Ambasadës së Kosovës në Kolumbi, pasqyroi po ashtu një qasje proaktive për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale në një rajon me të cilin Kosova ndërvepron rrallë.
E heshtur kur nuk duhet: mungesë e lidershipit në çështje të rëndësishme
Nën qeverisjen e kryeministrit Kurti, Kosova ka përjetuar përkeqësim të konsiderueshëm të demokracisë, me mediat e pavarura dhe shoqërinë civile, që ballafaqohen me presionin në rritje. Sulmet mbi sistemin gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese dhe prokurorin e Shtetit, janë përherë e më të shpeshta. Përtej sfidave të brendshme, Kosova është më e izoluar se kurrë, raportet me aleatët kyçë janë dobësuar dhe sanksionet e BE-së mbesin në fuqi.
Ndërsa retorika dhe sulmet e Albin Kurtit dhe LVV-së kundrejt institucioneve të pavarura janë intensifikuar, presidentja Osmani ka qëndruar kryesisht e heshtur. Në Kosovë, kush e kritikon qeverinë dhe veprimet e saj, shpesh përballet me reagime të ashpra, e zërat mospajtues shpesh portretizohen si kundërshtarë të qeverisë, apo si shërbyes të interesave të Serbisë.
Në vend se ta mbrojë lirinë e shtypit, presidentja Osmani ka akuzuar gazetarë të caktuar në Kosovë për lidhje me Milan Radoiçiqin, kriminelin prapa sulmit të vitit 2023 në Banjskë. Kjo formë e kritikave ndaj mediave ka qenë e dukshme edhe në deklaratat e mëparshme të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, i cili i kishte etiketuar gazetarët si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Gjuha armiqësore ndaj mediave ka përkuar me një rënie të ndjeshme në lirinë e shtypit. Kosova, ndërmjet viteve 2022 dhe 2024, ra 43 vende më poshtë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, duke pasqyruar edhe përkeqësimin e mjedisit demokratik, edhe degradimin e demokracisë në shkallë më të gjerë.
Përgjithësisht, Osmani arriti disa suksese diplomatike dhe mori vizibilitet ndërkombëtar, por periudha e saj në detyrë u minua nga dështimi për ta mbajtur Qeverinë Kurti përgjegjëse dhe, kur është nevoja, për ta mbrojtur autoritetin e Presidencës. Pamundësia e saj për të shërbyer si figurë unifikuese dhe për të mbrojtur parimet e demokracisë e ka dobësuar vetë Presidencën.
Teksa mandati i presidentes Osmani po i afrohet fundit, pyetja kryesore që shtrohet është nëse Presidenca e Kosovës mund ta fitojë sërish rolin e saj si gardiane e unitetit kombëtar dhe demokracisë, apo nëse do të vazhdojë të ndikohet nga interesat partiakë. Për një demokraci të re që ballafaqohet me fragmentim të brendshëm dhe përkeqësim të standardeve demokratike, rreziqet janë më të larta se asnjëherë më parë.





























































