Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Keqinformohet lidhur me njoftimin për vendosjen e barrikadave nga serbët

Disa media në Kosovë kanë keqinformuar duke ngritur pretendime se serbët e Kosovës do t’i rikthejnë barrikadat në veri. Raportimet u bënë pas njoftimeve nga Serbia se më 6 shtator do të vendosen bllokada afër vendkalimeve kufitare me Kosovën, nga pjesa e Serbisë.

Më 3 shtator 2024, portali Infoshqip.com, ka publikuar një artikull me titull: “Tensione në veri të Kosovës, Serbët paralajmërojnë vënien e barrikadave”. Përderisa në titull të artikullit pretendohet se do të ketë tensione në veri edhe në përmbajtje të tekstit thuhet se serbët në veriun e Kosovës do t’i rikthejnë barrikadat këtë fundjavë.

Artikulli me përmbajtje të njëjtë u shpërnda edhe nga: Joq – Albania, Fakte Press, Kape Lajmin.

Burimi i fotos: Joq – Albania

Asnjëri prej këtyre portaleve nuk e ka saktësuar në titujt e artikujve se bllokadat janë paralajmëruar të vendosen në pikat kufitare. Teksti është shoqëruar me fotografi të kamionëve që serbët kishin vendosur para disa viteve barrikada në veri, në rrugët që shpiejnë drejt pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, si dhe fotografinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajmi për bllokim të pikave afër kufirit me Kosovën u transmetua nga mediat në Serbi.

E ashtuquajtura kryetare e Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Kosovës në Mitrovicë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se nga 6 shtatori do të bllokohen të gjitha “vendkalimet administrative në Kosovë”. Sipas saj, bllokada do të ketë afër pikëkalimeve kufitare në Bërnjak, Jarinje, Merdare, Konçul.

“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe M dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin në veri të Kosovës”, tha Rojeviq.

Ajo ka komentuar edhe mundësinë që në barrikada të marrin pjesë serbët e Kosovës. “Serbët që jetojnë në Kosovë dhe M nuk do të marrin pjesë në barrikada në mënyrë që të mos sulmohen nga policia e Kosovës, por marrin pjesë vetëm qytetarët nga territori i Serbisë qendrore, Malit të Zi dhe Republikës Serbe”, tha ajo.

Edhe në qershor të vitit 2023, në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare- Jarinjë dhe Merdare, ishte pamundësuar kalimi për shkak të bllokadës. Mediat serbe patën raportuar se ngasësit e kamionëve me targa të Serbisë, kishin vendosur ta bllokojnë rrugën, Kosovë – Mitrovicë – Rashkë.

“Ata po bllokojnë rrugën për shkak të bllokimit të mallrave nga Serbia nga ana e qeverisë në Prishtinë. Rreth 30 kamionistë nga Kurshumlija kanë bllokuar rrugën kryesore Nish-Prishtinë në fshatin Rudare”, ishte raportuar atëkohë.

Ndërkaq barrikadat e fundit brenda territorit të Kosovës ishin vendosur në shtator të vitit 2021, pasi qeveria nisi aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

 

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.