Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

KFOR-i nuk ishte në alarm, por mbajti trajnim mbi Urën e Ibrit

Dislokimi i trupave shtesë të KFOR-it mbi Urën e Ibrit ishte trajnim dhe jo alarmim, ashtu siç keqinformuan disa mediume në Kosovë dhe Shqipëri. Marrë parasysh interesimin e madh të publikut për zhvillimet rreth urës kryesore në Mitrovicë, të cilën Qeveria ka paralajmëruar ta hapë me gjithë kundërshtimin e fortë ndërkombëtar, media të ndryshme kanë publikuar informacione të paverifikuara.

Më 31 gusht 2024, Top-Channel ka shpërndarë një artikull me titull: “KFOR-i në alarm? Rrit praninë në Urën e Ibrit, çfarë dinë ndërkombëtarët!”.

Në përmbajtje të artikullit shkruan se pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të vendit, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër. Mirëpo, nuk është ofruar ndonjë informatë shtesë në lidhje me pretendimin se KFOR-i mund të jetë në alarm, ashtu theksohet në titull. Në tekst as nuk tregohet se çfarë dinë ndërkombëtarët, ashtu siç pretendohet në titull.

Ndërsa artikulli me përmbajtje të njëjtë u shpërnda edhe nga Thuaje.com, Konica.al, Portali Fiks, Gazeta Tema.

Burimi i fotos: Top-Channel

Pas publikimit të lajmeve ka reaguar misioni i KFOR-it, duke treguar qëllimin pse ka rritur prezencën e trupave mbi urë.

Sipas tyre, mjetet shtesë, që i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të tij, janë vendosur vetëm përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Dislokimet e tilla shtesë janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i bën për t’i testuar procedurat e tij dhe për t’i ruajtur standardet më të larta operacionale”, kanë thënë nga KFOR-i. Më tej, kanë shtuar se për këtë trajnim ka qenë e njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës, KOFR-i është prezent mbi Urën e Ibrit, e cila është e qarkullueshme vetëm për këmbësorë, megjithëqë punimet për rivitalizimin e saj për qarkullim të automjeteve kanë përfunduar prej vitesh. Derisa KFOR-i rikonfirmoi prezencën mbi urë, BE-ja dhe QUINT-i i kanë kërkuar Qeverisë që të mos e hapë tash urën për vetura. Në KFOR e kanë përsëritur këtë thirrje tek kanë shtuar se çështjet e hapura duhet të trajtohen në Dialogun e Brukselit.

 “Ne besojmë se vetëm veprimet e KFOR-it mund të garantojnë paqe dhe siguri në zonat serbe në veri të Kosovës, si dhe të ofrojnë hapësirë për një dialog politik nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, i cili do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.”

Një ditë para dislokimit të trupave të KFOR-it mbi Urën e Ibrit, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë objekte paralele serbe në veri të Kosovës, për të cilat autoritetet thanë se funksiononin me direktiva të Serbisë. Por, edhe ky aksion u dënua gjerësisht nga ndërkombëtarët, duke u cilësuar si veprim i njëanshëm i Qeverisë.

BE thanë se janë të “zhgënjyer” nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ata të sigurisë. Edhe NATO-ja shprehu zhgënjim përmes zëdhënëses Farah Dakhlallah, e cila deklaroi se aksionet nuk ishin të koordinuara, “pavarësisht nga premtimet të përsëritura se do të bëhej një gjë e tillë”.

Në situata të tensionuara, siç është ajo që lidhet me rritjen e prezencës së KFOR-it mbi Urën e Ibrit, është thelbësore që media të verifikojë informacionet para se t’i publikojë ato. Keqinformimi mund të shkaktojë panik të panevojshëm, të përshkallëzojë tensionet dhe të ndikojë në perceptimin e publikut për situatën.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.