Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Debunking

Si u shfrytëzua arrestimi i Maduros për propagandë kundër Kosovës në Telegram?

Manipulimi vizual si armë propagandistike në Telegram
Manipulimi vizual si armë propagandistike në Telegram

Arrestimi i presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga autoritetet amerikane nuk nxiti vetëm reagime diplomatike. Në platformat e informacionit veçanërisht në Telegram, ku operojnë kanale pro-ruse dhe nacionaliste serbe, kjo ngjarje u shndërrua shpejt në material narrativ për manipulim, mobilizim emocional dhe riciklim të armiqve të vjetër. Arrestimi i Maduros u përdor si pretekst për të sulmuar Kosovën, figura politike shqiptare e evropiane, përmes rikrijimit të imazheve me inteligjencë artificiale.

Thirrje për hakmarrje

Një nga shembujt më të drejtpërdrejtë të instrumentalizimit u bë nga kanali “Bunt je Stanje Duha”, i cili publikoi një fotografi të manipuluar. Në vend të fytyrës së Nicolas Maduros në fotografinë e parë të publikuar pas arrestimit të tij, u vendos ajo e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Postimi shoqërohej me mbishkrimin: “Ajo që ishte, do të jetë përsëri. Silleni Albinin përsëri në Nish”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj arrestimit dhe burgosjes së Kurtit nga autoritetet serbe në fund të viteve ’90.

Përmes manipulimit synohet aktivizimi i kujtesës represive dhe normalizimi i idesë së ndëshkimit të liderëve kosovarë. Arrestimi i Maduros shërben këtu vetëm si alibi vizuale, ndërsa narrativa që promovohet është revanshiste: rikthimi i Kosovës nën kontrollin e Serbisë.

I njëjti kanal para disa javësh publikoi edhe video të djegies së flamurit amerikan, duke e shoqëruar narrativën anti-Kosovë me urrejtje të hapur anti-SHBA, çka e pozicionon qartë këtë hapësirë informative në linjë me diskursin pro-Kremlinit dhe anti-Perëndim.

Normalizimi i dhunës përmes analogjive të rreme

Kanali “Bunker Srb” shkoi një hap më tej. Në fotografinë tjetër e manipuluar përmes inteligjencës artificiale, shihen dy ushtarë teksa tërheqin Albin Kurtin. Postimi shoqërohet me mesazhin: “Pra, tani edhe Serbia mund të ndërmarrë veprime kundër narko-terroristëve”.

Këtu, arrestimi i Maduros përdoret për të ndërtuar një analogji të rreme politike dhe morale. Nëse SHBA arreston Maduron si “narko-terrorist”, atëherë Serbia, sipas kësaj logjike, mund të veprojë kundër udhëheqësve të Kosovës. Ky është një shembull klasik i normalizimit të dhunës përmes precedentëve të fabrikuar, ku ngjarjet globale shërbejnë për të justifikuar aspirata represive rajonale.

Rikthimi i narrativës së viktimizimit, glorifikimi i Millosheviqit

Kanali tjetër, “Koridor Srb”, e përdori arrestimin e Maduros për të ringjallur një nga narrativat më të njohura të propagandës serbe, atë  të krahasimit të figurave autoritare me Slobodan Millosheviqin. Në postim shkruan se Millosheviqi “luftoi si luan për 78 ditë”, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s më 1999, ndërsa nënteksti është i qartë: Maduro u rrëzua shpejt, Millosheviqi rezistoi.

Ky krahasim nuk synon analizë historike, por heroizëm selektiv. Krimet e regjimit të Millosheviqit dhe gjenocidi në Kosovë zhduken nga narrativa, duke u zëvendësuar me mitin e qëndresës ndaj Perëndimit, element ky kryesor i diskursit pro-rus në Ballkan.

Shfrytëzimi i “përçarjeve” brenda BE-së

Në një tjetër rast, kanalet “Bunker Srb” dhe “Vestnik Srb” publikuan fotografinë e manipuluar ku në vend të Nicolás Maduros shfaqet shefja e diplomacisë evropiane, Ursula Von Der Leyen. Postimi shoqërohet me mbishkrimin: “Victor Orbán u bashkua në bisedë”. Postimi u shpërnda më pas edhe nga platforma pro-ruse “Pravda Balkan”. Përmes kësaj narrative synohet tu fryhet ndarjeve brenda Bashkimit Evropian, duke marrë parasysh se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i njohur për qëndrimet pro-ruse, së fundi ka hedhur akuza ndaj Von Der Leyn. Ai ka akuzuar Komisionin Evropian, të cilin e udhëheqë Von Der Leyen për “dhunim sistematik të ligjit evropian” pasi Brukseli vendosi të aktivizojë një klauzolë emergjence përmes së cilës ka bllokuar për një kohë të pacaktuar asetet ruse në Evropë. Akuzat erdhën pasi Komisioni e vuri në funksion nenin përmes të cilit asetet ruse bllokohen me shumicë të kualifikuar në vend të unanimitetit të kërkuar nga vendet anëtare të BE-së, ku Hungaria do të paraqitej si pengesë.

Qëllimi përmes postimeve të tilla është minimi i besueshmërisë së BE-së dhe ndërtimi i idesë se liderë si Orban mund arrestojnë politikanë, nën pretekstin e shkeljes së ligjshmërisë.

Arrestimi i Maduros dhe riciklimi i urrejtjes. Narrativat pro-ruse e pro-serbe aktivizohen në kanalet e Telegramit

Arrestimi i Maduros dhe riciklimi i urrejtjes. Narrativat pro-ruse e pro-serbe aktivizohen në kanalet e Telegramit

 

Dezinformata globale: fotografia “e arrestimit” që nuk ekzistoi

Përtej kanaleve serbe dhe pro-ruse, arrestimi i Maduros u shoqërua edhe me një valë dezinformatash globale, përfshirë një fotografi të rreme që pretendohej se shfaqte Maduron të arrestuar nga agjentë të DEA-s amerikane. Fotografia u shpërnda gjerësisht kryesisht në rrjete sociale dhe platforma të ndryshme, por u demaskua nga media ndërkombëtare si e fabrikuar. Fotografia e njëjtë u shpërnda edhe në disa platforma në Kosovë.

Këto raste tregojnë se arrestimi i Maduros u shndërrua në terren ideal për prodhim masiv të informatave të rrejshme përmes shpërndarjes së imazheve të forta emocionale.

Ajo që i bashkon të gjitha këto raste është fakti se arrestimi i Nicolas Maduros nuk u trajtua si ngjarje reale, por si material narrativ për agjenda ekzistuese politike. Në kanalet pro-ruse dhe serbe të Telegramit, ai u përdor për të sulmuar Kosovën dhe udhëheqjen e saj, legjitimuar diskursin e dhunës dhe ndëshkimit, heroizuar të kaluarën autoritare si dhe përmes forcimit të narrativave anti-SHBA dhe anti-BE.

Arrestimi i Maduros nuk ishte vetëm një zhvillim ndërkombëtar, por një pasqyrë e qartë e mënyrës se si hapësirat online të informacionit në Ballkan e shndërrojnë realitetin në propagandë, duke e përdorur çdo ngjarje globale për të riprodhuar konflikte të vjetra dhe për të ushqyer frikë.

 

Author

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.