Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Spekulohet se ka “vdekur” Procesi i Berlinit

Click-bait

Më 16 shtator 2024, portali online NTV.al ka publikuar një artikull me titullin “Nuk presim pafund Kosovën/Rikthehet ‘Open Balkan’, vdes ‘Procesi Berlinit’”. Brenda artikullit është cituar emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, lidhur me Procesin e Berlinit, por askund nuk thuhet se iniciativa e themeluar me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka vdekur, ashtu siç pretendohet në titull.

Duke mos ofruar të dhëna që mbështesin pretendimin në titull, artikujt e tillë kategorizohen si “clickbait” me përmbajtje keqinformuese. Aty nuk ofrohen të dhëna për vendin dhe datën se kur janë dhënë deklaratat nga Sarrazini, elemente këto të cilat konsiderohen bazë në gazetari. Këtë artikull, portali nga Shqipëria e ka publikuar në faqen online, si dhe në faqen e tyre në Facebook.

Manuel Sarrazini pati dy vizita brenda pak ditësh në Kosovë. Vizitat u bënë në kuadër të përgatitjeve për 10-vjetorin e nisjes së Procesit të Berlinit. Sarrazini ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosarritjen e një dakordimi rreth Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Europës Qendrore – CEFTA. Emisari gjerman ka kërkuar nga Kosova që ta zhbllokojë futjen e mallrave serbe, mirëpo ka theksuar se në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë, ka marrë përgjigje negative nga kryeministri Albin Kurti në kërkesën për një kompromis. “Tash ne kemi parimin kryesor në Bashkimin Europian dhe tash veç mund ta bllokosh veten, dhe më duhet t’ia shpjegoj këtu Qeverisë së Kosovës se do të vazhdojmë me marrëveshje për këto çështje, lidhur me tregun e lirë të përbashkët, edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme. Ky është mesazhi im”, ka thënë ai.

Në qershor të 2023-tës, Qeveria e Kosovës i ka ndaluar importet nga Serbia, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe se, përmes tyre, mund të hyjnë edhe armë. Këtë e kishte bërë pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës në kufi me Serbinë. Veç Sarrazinit, edhe zyrtarë të tjerë gjermanë kanë paralajmëruar se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia. Kosova është bërë pjesë e CEFTA-s që nga viti 2007. Marrëveshjen e CEFTA-s në emër të Kosovës atë kohë e nënshkroi UNMIK-u. Vendet e Europës Qendrore, Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, më 1992 formuan Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Europën Qendrore (CEFTA), me qëllim të lehtësimit të procedurave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian (BE). Marrëveshja e CEFTA-s u bazua në konceptin e ekonomisë së tregut, pasi shtetet anëtare mendonin se zhvillimi i mëtutjeshëm ekonomik mund të arrihet vetëm përmes promovimit të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së shëndoshë.

“Ballkani i Hapur”, për të cilin portali nga Shqipëria pretendoi rrejshëm se po rikthehet, duke e ndërlidhur me gjoja vdekjen e Procesit të Berlinit, u iniciua në vitin 2019 nga udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Asaj nuk iu bashkuan tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Sipas iniciatorëve, Ballkani i Hapur synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve pjesëmarrëse, rritjen e shkëmbimit tregtar dhe lirinë e lëvizjes. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se kjo nismë më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal. Sarrazini, tek foli për “Ballkanin e Hapur”, tha se nëse bllokohet CEFTA, atëherë do t “Ballkani i Hapur”, do të jetë një mundim i radhës për Ballkanin”.

Procesi i Berlinit dhe “Ballkani i Hapur” janë dy nisma që përfshijnë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lirinë e lëvizjes. Ekspertë të politikave të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë theksuar se ndonëse mbulojnë çështje të ngjashme, këto dy nisma dallojnë në strukturë dhe mund të bien ndesh me njëra-tjetrën. I dallon numri i shteteve të përfshira në to, por gjithashtu disa ekspertë tërheqin se vërejtjen se Procesi i Berlinit ka standarde të vendosura nga ‘acquis communautaire’, i njohur si legjislacioni i BE-së, ndërsa “Ballkani i Hapur” nuk është i lidhur me asnjë standard të BE-së.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.