Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Sulm kibernetik nga hakerë rusë, pasi Kosova i ofroi mbështetje ushtarake Ukrainës

Getty Images/iStockphoto

Institucionet e Kosovës janë përballur me një sulm kibernetik pas njoftimit që dhanë zyrtarë qeveritarë se do t’i ofrohet mbështetje ushtarake Ukrainës, e cila që nga shkurti i vitit 2022 është në luftë me Rusinë. Sipas asaj që deklaruan zyrtarët qeveritarë, sulmi hibrid u krye nga Rusia më 7 maj.  

Si pasojë e sulmit të hakerëve rusë, faqja zyrtare Presidencës dhe ajo e Kryeministrisë për pak kohë kanë qenë jashtë funksionit. Duke iu referuar një deklarate të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, hakerët rusë vendosën mbishkrimin se Kosova duhet të mendojë mirë nëse është e gatshme t’i ndihmojë Ukrainës. 

“Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojnë më shumë për këtë…”, ishte përshkrimi në rusisht, i cili pas një kohe u largua dhe faqet zyrtare të institucioneve u kthyen në funksion. 

 

Mesazhi i hakerëve rusë

 

Ministri Maqedonci tha se sulmi ka ardhur pas deklaratave që i bëri në kuadër të një konference në Poloni, “Defense 24”, ku u fol për ndihmën që mund t’i ofrohet Ukrainës në përballje me agresionin rus.

“Ky grup i hakerëve rusë ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës, si hakmarrje ndaj deklaratës sime në mbështetje të Ukrainës”, tha Maqedonci. 

Megjithëse nuk ofroi shumë hollësi lidhur me sulmin, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, shkroi në Platformën “X” se shteti rus shkaktoi sulm hibrid. 

“Rusia po sulmon Republikën e Kosovës në një sulm hibrid sot, pas njoftimit tonë për mbështetje në pajisje ushtarake për Ukrainën, në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus. Ne e dimë nga gjenocidi i Serbisë kundër Republikës së Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”, ka shkruar Gërvalla. 

Edhe pse ajo nuk ia njeh shtetësinë, Kosova ishte solidarizuar me Ukrainën duke u rreshtuar krah vendeve të Perëndimit në vendosjen e sanksioneve Rusisë. Në kuadër të mbështetjes, Kosova strehoi edhe disa gazetarë nga Ukraina. 

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin e panikut mes popullatës. 

Sipas hulumtimit të Sbunkerit, shumica e sulmeve ndodhën në periudhën e pranverës 2022, ku u targetuan disa nga vendet më të frekuentuara publike, si shkollat publike, Universiteti i Prishtinës dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Kërcënimet ndodhën në një momentum të vështirë për vendin, në kohën kur tensionet në veri ishin të larta. 

Sistemet qeveritare u ballafaquan me sulme kibernetike të llojit “DdoS”, duke shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve dhe mungesë të qasjes në disa shërbime qeveritare. Faqja e Kryeministrisë, ato të disa ministrive, ajo e Policisë së Kosovës, Platforma e-Kosova dhe disa media, kanë qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike.

Veç sulmeve kibernetike, zyrtarët rusë në disa raste e kanë përmendur Kosovën në kontekst negativ, duke pretenduar se mercenarë shqiptarë po luftojnë krah ukrainasve. Po ashtu, në përpjekjen për të justifikuar aneksimin e rajoneve në Ukrainën Lindore, rusët kanë përmendur rastin e Kosovës, duke akuzuar NATO-n për shkëputje të dhunshme të Kosovës nga Serbia. 

Përpjekjet e Rusisë për ta shpërndarë konfliktin në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë denoncuar në disa raste. Vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti akuzoi “aleatët e Rusisë” se, përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.  

“Gjatë kohës së ndjeshme, kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçmas përcaktuese”, kishte deklaruar Kurti. 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.