Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Dhuna ndaj fëmijëve dhe ndikimi në mirëqenien psikologjike të tyre

Ilustrimi nga: BigEye

Aty ku mendojmë se fëmijët janë më të sigurt se çdokund tjetër, pra në çerdhe apo kopshte, shpeshherë ndodh krejtësisht e kundërta. Disa institucione parashkollore shndërrohen në ambient dhune për fëmijët.

Rastet e fundit të dhunës ndaj fëmijëve në institucionet parashkollore në Kosovë e kanë nxjerrë në pah një gjë të tillë. Së fundmi është raportuar se një edukatore ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije dyvjeçar.

Dhuna ndaj fëmijëve në institucione parashkollore në Kosovë vazhdon të jetë fenomen shqetësues, megjithëse statistikat për rastet e dhunës brenda këtyre institucioneve mungojnë.

Kjo ndodh kryesisht për shkak se rastet nuk raportohen, duke kaluar në heshtje dhe duke mos u adresuar në institucionet përkatëse. Prindërit shpeshherë ndihen të pafuqishëm dhe detyrohen ta kalojnë ngjarjen pa arritur që ta “zgjidhin” atë.

Dhuna ndaj fëmijëve, sidomos ajo që ndodh në institucionet parashkollore, është një problem shumëdimensional, me pasoja në rrafshin individual, familjar dhe të komunitetit.

Me fjalë të tjera, ndikimi i dhunës shtrihet përtej individëve të përfshirë dhe mund të ketë pasoja të gjata dhe të ndërlikuara edhe për shoqërinë si një tërësi. Dhuna, në çdo formë të saj, mund të dëmtojë marrëdhëniet, besimin, si dhe ndjenjën e sigurisë në komunitet për një kohë të gjatë.

Në shoqërinë kosovare, dhuna ndaj fëmijëve akoma konsiderohet si diçka shumë private dhe personale. Pra, ajo çka ndodh brenda mureve të një shtëpie i takon vetëm familjes. Mendësia e njëjtë përdoret edhe në institucione.

Modelet e disiplinimit të fëmijëve brenda institucioneve parashkollore shpeshherë orientohen nga format e dhunës fizike, duke e konsideruar atë si një model të duhur, apo një formë që çdoherë dhe në çdo kohë prodhon rezultat pozitiv.

Por, në fakt, dhuna e cilësdo formë është mjet i gabuar. Dhuna ndaj fëmijëve ka pasoja të mëdha në shëndetin dhe mirëqenien psikologjike të fëmijëve. Në mënyrë të veçantë, abuzimi emocional dhe neglizhenca shoqërohen me një gamë të gjerë rezultatesh afatgjata negative shëndetësore dhe zhvillimore.

Për më tepër, trauma e abuzimit ndaj fëmijëve bën që fëmijët të humbasin ndjenjën e sigurisë dhe besimit, duke dëmtuar kështu marrëdhëniet e tyre me bashkëmoshatarët dhe anëtarët e familjes.

Nëse nuk trajtohet me kohë, trauma e abuzimit ndaj fëmijëve mund të shkaktojë probleme të tjera të shëndetit mendor, si depresioni, ankthi dhe simptomat e çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD).

Në këtë drejtim, studimet kanë treguar se fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës kanë më shumë gjasa të braktisin shkollën, të kenë vështirësi në gjetjen dhe mbajtjen e një pune dhe janë në rrezik më të lartë të përfshihen në aktivitete të dhunshme.

Të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve kanë pasoja edhe të karakterit socio-ekonomik. Është evidentuar që fëmijët që vijnë nga ambiente të dhunshme kanë rezultate më të dobëta mësimore.

Është e rëndësisë së veçantë që të ndërmerren masa të nevojshme në mbrojtjen e fëmijëve, si dhe të investohet në promovimin e të drejtave të tyre. Jetike mbetet sensibilizimi i popullatës, në veçanti i prindërve, e pashmangshmërisht edhe institucioneve që punojnë në mënyre direkte me fëmijët.

Për më tepër, institucionet përkatëse, në veçanti Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duhet të ndihmojnë në fuqizimin dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të kornizës legjislative, si dhe të avokojnë për zbatimin e ligjeve në fuqi, sidomos të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.

Po ashtu, hartimi i mekanizmave të duhur për t’i mbikëqyrur institucionet edukative është i domosdoshëm, sa është i rëndësishëm edhe fuqizimi i raportimit të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve.

Në vendet e zhvilluara, praktikat e disiplinimit të fëmijëve janë kryesisht të fokusuara në metoda jo të dhunshme dhe edukative. Prindërit dhe edukatorët trajnohen për të përdorur disiplinë pozitive, që nënkupton komunikim të qetë me fëmijët, vendosje të kufijve të qartë dhe shpjegim të pasojave të sjelljes, në vend të ndëshkimit fizik apo verbal.

Kjo realizohet përmes mekanizmave si diskutim reflektues me fëmijën, gjë që i ndihmon fëmijës të kuptojë ndikimin e veprimeve të tij, apo shpërblimi i sjelljeve pozitive përmes lavdërimeve dhe përforcimeve pozitive. Në shumë vende, këto praktika mbështeten edhe nga programe të posaçme dhe politika arsimore që ndalojnë çdo formë të ndëshkimit fizik në institucione parashkollore.

Është shumë e rëndësishme që të mësohen dhe aplikohen praktikat ndërkombëtare, në mënyrë që të krijohet një ambient i sigurt për të gjithë fëmijët.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.