Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Domosdoshmëria për “detoksifikim digjital” në epokën e dominuar nga teknologjia dhe rrjetet sociale

Ilustrimi nga Ngadhnjim Halilaj.

Përdorimi i pajisjeve digjitale dhe kalimi i kohës në rrjete sociale është bërë tashmë përditshmëri në botë. Në fakt, ky fenomen tashmë ka kaluar nga përdorimi normal në përdorim të tepruar, që mund të kalojë në varësi për shumëkënd.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Nielsen Company, konsiderohet se një person i rritur në SHBA kalon rreth 11 orë në ditë duke dëgjuar, shikuar, lexuar, ose bashkëvepruar me pajisje digjitale, ndër të cilat dominon telefoni.

Më specifikisht, sipas raportit DataReportal, një individ kalon mesatarisht rreth 02:23 orë në ditë në rrjete sociale. Diferencat janë të mëdha mes vendeve. Për shembull, në Brazil, përdorimi mesatar është 03:37 orë në ditë, ndërsa Japonia qëndron shumë më poshtë, me vetëm rreth 53 minuta përdorim ditor.

Këto të dhëna nënvizojnë se, megjithëse përdorimi mbetet i lartë, intensiteti i angazhimit ndryshon dukshëm sipas kontekstit kulturor.

Tutje, përdorimi intensiv i pajisjeve teknologjike, veçanërisht para gjumit, mund të ndikojë direkt në cilësinë dhe sasinë e gjumit. Një studim zbuloi se fëmijët që përdornin pajisje digjitale para gjumit kishin gjumë dukshëm më të keq dhe flinin më pak sesa bashkëmoshatarët e tyre.

Edhe pse në Kosovë mungojnë studime mbi këto dukuri, jemi të vetëdijshëm se këto gjetje janë lehtësisht të aplikueshme.

Përderisa pajisjet dhe shërbimet digjitale ofrojnë mundësi, informata, zbavitje e shumë gjëra të tjera, përdorimi i tepërt ka pasoja negative për individin. Koha e gjatë e kaluar në rrjete sociale, më specifikisht konsumimi i tepërt i lajmeve negative, rrit stresin gjatë ditës dhe përkeqëson simptomat ekzistuese të depresionit dhe ankthit.

Ekspozimi i përsëritur ndaj rrjeteve sociale dhe përmbajtjeve shqetësuese mban trupin në gjendje alarmi dhe lodh individin, duke vështirësuar gjumin, përqendrimin, si dhe rimëkëmbjen emocionale.

Përdorimi i tepërt i teknologjisë dhe pajisjeve teknologjike përfaqëson një varësi të sjelljes, që mund të krijojë probleme fizike, psikologjike dhe sociale, sidomos te të rinjtë dhe adoleshentët.

Në një sondazh të kryer nga organizata Common Sense Media, 50% e adoleshentëve raportuan se mendonin se ishin të varur nga pajisjet e tyre digjitale. Po ashtu, rreth 80% e adoleshentëve të anketuar deklaruan se i kontrollojnë pajisjet e tyre digjitale për çdo orë.

Prandaj, është e domosdoshme që individët ta kenë një periudhë të konsiderueshme larg pajisjeve digjitale. Kjo gjë ndryshe njihet si “detoksifikim digjital”, i cili referohet periudhës kohore kur një person përmbahet nga përdorimi i pajisjeve teknologjike, si telefonat, televizorët, kompjuterët dhe tabletët.

Detoksifikimi digjital” mund të jetë i shkurtër, si për shembull disa orë çdo mbrëmje para gjumit, ose më i zgjatur, si një fundjavë ose një javë e tërë pa ekrane, në varësi të nevojave dhe detyrimeve personale të individit.

Po ashtu, zëvendësimi i kohës së ekranit me aktivitete të tjera, si leximi i ndonjë libri, ecja, meditimi, sporti, apo takimet fizike me shoqëri, ndihmojnë në rikthimin e vëmendjes së qëndrueshme dhe në forcimin e marrëdhënieve ndërpersonale.

Në këtë mënyrë, “detoksifikimi digjital” nuk është thjesht heqje dorë nga teknologjia, por një strategji e vetëdijshme për të rikthyer kontrollin mbi kohën, vëmendjen dhe mirëqenien fizike e psikologjike të secilit prej nesh.

Këto strategji shihen si një mënyrë për t’u përqendruar më shumë në ndërveprimet sociale fizikisht, pa u shpërqendruar vazhdimisht nga pajisjet teknologjike dhe rrjetet sociale. Kështu, duke hequr dorë me vetëdije nga pajisjet digjitale, të paktën për një periudhë të shkurtër kohore, njerëzit mund të ulin nivelin e stresit, që është pasojë nga përdorimi i vazhdueshëm dhe intensiv i pajisjeve teknologjike.

Kështu, shkëputja nga pajisjet teknologjike mund të sjellë përfitime të mëdha për mirëqenien mendore.

Kryerja e një “detoksifikimi digjital” nuk do të thotë domosdoshmërisht një ndarje e plotë nga telefoni apo pajisjet e tjera teknologjike. Procesi shpesh ka të bëjë më shumë me vendosjen e kufijve dhe të siguruarit se pajisjet teknologjike po përdoren në mënyrë produktive, në vend që të dëmtojnë shëndetin emocional dhe fizik.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.