Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri bujë të madhe në media vendore dhe ndërkombëtare me emërimin e ministres virtuale Diella në kabinetin e tij. Diella nuk është person fizik, por e krijuar nga Inteligjenca Artificiale (IA).
Diella është krijuar si mjet për të ulur ndikimin e korrupsionit në tenderët publikë dhe për të vendosur më shumë drejtësi dhe rend ligjor në shpërndarjen e fondeve. Ajo është menduar të marrë rolin e një asistenteje digjitale që, duke mos u ndikuar nga interesa politikë, synon të garantojë transparencë dhe shpërndarje më të drejtë të kontratave publike.
Kjo është hera e parë në histori që një shtet emëron një figurë digjitale në një post të rëndësishëm qeveritar.
Ky vendim shënon një hap jo të zakonshëm në qeverisjen digjitale dhe në pamje të parë duket mjaft inovativ. Por, çfarë nënkupton kjo dhe a ka Shqipëria bazë ligjore për këtë vendim?
Kushtetuta e Shqipërisë ofron disa parakushte specifike se kush mund të mbajë poste qeveritare në Shqipëri.
Neni 6/1 i Kushtetutës e ndalon emërimin në poste shtetërore nëse mungon “integriteti i funksionarit”, gjë që nënkupton se bartësit e funksioneve politike duhet të jenë persona fizikë të identifikueshëm.
Tutje, Neni 103 i Kushtetutës specifikon se në rolin e ministrit mund të caktohet vetëm dikush që ka cilësitë për deputet, që nënkupton së paku një shtetas shqiptar, me të drejtë zgjedhjeje dhe pa pengesa ligjore për t’u zgjedhur deputet.
Thënë shkurt, IA-ja nuk përmbush asnjë nga këto kritere bazike kushtetuese për t’u emëruar në poste ministrore. Edhe nëse një ministre virtuale sikurse Diella do të ishte e aftë për të ushtruar funksione ekzekutive, mungesa e kapacitetit juridik e bën të pamundur emërimin e saj në këtë post.
Tutje, Ligji mbi organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave e përforcon këtë pikë, duke përcaktuar në Nenin 7 se ministria është një person juridik publik, që drejtohet nga një ministër/re, e që me këtë nënkuptohet një individ me personalitet juridik.
Ligji për nëpunësin civil përcakton kritere të integritetit dhe paanësisë që vlejnë si parim edhe për postet më të larta të qeverisjes. Këto kërkesa lidhen ngushtë me personin fizik, i cili mund të verifikohet dhe të mbahet ligjërisht përgjegjës. Një entitet artificial, pa personalitet juridik, nuk mund të përmbushë këto kushte dhe për rrjedhojë nuk mund të ushtrojë funksione shtetërore.
Kuadri aktual ligjor në Shqipëri nuk njeh entitete jonjerëzore si bartës të funksioneve politike. Përtej mungesës së bazës kushtetuese, ky vendim ngre një shqetësim më të madh: çfarë ndodh me demokracinë kur kryeministri merr vendime të tilla jashtë çdo kornize ligjore?
Një praktikë e tillë krijon precedent që minon rendin kushtetues dhe hap rrugën për vendime të tjera arbitrare në të ardhmen. Nëse rregullat themelore anashkalohen, ekziston rreziku që institucionet të mos drejtohen më nga ligji, por nga vendime të njëanshme të ekzekutivit.
Nuk është rastësi që lajmi për “ministren artificiale” ka bërë jehonë ndërkombëtare. Ky është një veprim i llogaritur i kryeministrit Rama për të tërhequr vëmendjen botërore dhe për ta paraqitur Shqipërinë si vend inovativ.
Megjithatë, jo çdo lloj promovimi është pozitiv. Përdorimi i IA-së si fasadë politike, ndërkohë që bie ndesh me parimet themelore të shtetit ligjor, rrezikon të dëmtojë imazhin e vendit më shumë sesa ta përforcojë atë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me mënyrën si funksionon Inteligjenca Artificiale. Shpesh, algoritmet marrin vendime që nuk janë të shpjegueshme për qytetarët, duke krijuar atë që njihet si efekti i “black box-it”. Pa transparencë dhe pa shpjegueshmëri, qytetarët nuk mund të kuptojnë mbi çfarë bazash janë marrë vendimet që prekin fondet publike. Në këtë mënyrë rrezikohen jo vetëm të drejtat individuale, por edhe parimi i llogaridhënies.
Përfundimisht, pa bazë të qartë ligjore dhe mekanizma të llogaridhënies, ky vendim mund të rezultojë në një eksperiment të paqëndrueshëm dhe të rrezikshëm për demokracinë shqiptare.




























































