Dokumenti i Strategjisë Kombëtare së Sigurisë të SHBA-së, i publikuar në dhjetor të vitit 2025, paraqitet si një doktrinë e re strategjike që synon të riformësojë në mënyrë thelbësore rolin e SHBA-së në botë dhe të sfidojë drejtpërdrejt paradigmën e politikës së jashtme, që ka definuar rendin ndërkombëtar që nga fundi Luftës së Ftohtë e tutje.
Në tri dekadat pas Luftës së Ftohtë, rendi ndërkombëtar u karakterizua nga epërsia amerikane dhe nga një rend liberal i cili bazohej në rregulla, multilateralizëm dhe globalizim ekonomik.
Mirëpo, pas krizës ekonomike globale të vitit 2008 – dhe sidomos pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 – gjithnjë e më shumë u identifikuan plasaritje në themelet e këtij rendi, ku optimizmi për integrim e bashkëpunim u zëvendësua nga logjika e rivalitetit dhe garës strategjike.
Strategjia e re më shumë i ngjason një filozofie të re politike që synon të rishpërndajë peshën e fuqisë amerikane, sesa një strategjie të sigurisë kombëtare. Në një mjedis të ri ndërkombëtar, strategjia prezanton një SHBA që e sheh veten gjithnjë e më pak si garantuese të rendit global dhe më shumë si një akter që kërkon të ridimensionojë ekuilibrat përmes fuqisë së fortë, diplomacisë presidenciale dhe rishikimit të interesave strategjikë.
Dokumenti strategjik artikulon një vizion të botës ku SHBA-ja nuk kërkon më të mbizotërojë globalisht përmes rregullave, institucioneve dhe normave, por të ushtrojë epërsi të fokusuar përmes fuqisë së fortë, kontrollit ekonomik dhe diplomacisë së personalizuar.
Prioritet gëzojnë vetëm çështjet të cilat prekin direkt interesat e SHBA-së
Strategjia shpall fundin e një epoke në të cilën SHBA-ja aspironte të ushtronte dominim permanent anembanë botës, duke e konsideruar atë si “iluzion strategjik” të periudhës së pas Luftës së Ftohtë.
Megjithatë, pavarësisht distancimit retorik, dokumenti thekson se SHBA-ja nuk i braktis ambiciet e veta, por vetëm i përzgjedh ato në përputhje me interesat e vet primarë. Në veçanti, Dokumenti thekson se do të prioritizohen vetëm çështjet të cilat prekin interesat e drejtpërdrejtë të SHBA-së.
Hemisfera perëndimore paraqitet si prioritet kyç i strategjisë kombëtare. SHBA-ja synon të “ndalojë çdo fuqi jashtë-hemisferike të pozicionojë kapacitete ose të zotërojë asete strategjike” në rajon. Ky është një definicion tipik i një sfere ndikimi dhe i hegjemonisë selektive.
Në Azi, fokusi është kryesisht në ruajtjen e epërsisë ushtarake dhe ekonomike ndaj Kinës, dhe jo domosdoshmërisht për të mbrojtur një rend global. Në anën tjetër, Europa shihet si interes strategjik, mirëpo me një rëndësi më të zvogëluar. SHBA-ja, megjithatë, synon të parandalojë dominimin e çdo fuqie tjetër rivale në kontinentin e vjetër, sidomos atë të Kinës.
Europa si zonë sekondare e interesit
Në Dokument, Europa përshkruhet si tejet e dobësuar, në rënie të vazhdueshme demografike, ekonomike dhe me mungesë të theksuar të vetëbesimit në “qytetërimin” e saj.
Kjo qasje është radikalisht e ndryshme nga modelet liberale dhe historike të politikës transatlantike. Europa nuk paraqitet si aleate e pashmangshme, por si një rajon që ka nevojë për “korrigjim të trajektores” së zhvillimit. Ky pozicionim i ri përplaset me traditën e gjatë të SHBA-së për të mbështetur integrimin europian si mjet stabilizues për rajonin dhe si mekanizëm të qëndrueshmërisë trans-atlantike.
Këtu shfaqet edhe paradoksi më i pazakontë i dokumentit. Teksa në pjesët e tjera theksohet se prioritet do të kenë vetëm çështjet që prekin direkt interesat amerikanë, në kapitullin për Europën, Dokumenti rrëshqet nga identifikimi i “rënies” së kontinentit në një rol normativ, duke ofruar udhëzime se si Europa duhet të rikthejë vetëbesimin e “qytetërimit” të saj dhe të korrigjojë orientimin politik e shoqëror.
Me fjalë të tjera, Europa trajtohet jo vetëm si aleat që duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtjen e vet, por edhe si projekt social që SHBA-ja synon ta reformojë me qëllim që ta “shpëtojë” nga rënia vështirë e shmangshme. Kjo e bën këtë pjesë konceptualisht të çuditshme në raport me logjikën “Amerika e Para”, që e karakterizon këtë strategji.
Për më tepër, fakti që Dokumenti e rendit Europën pas Azisë në hierarkinë e rajoneve me rëndësi strategjike, përfaqëson një moment të rëndësishëm në ripërkufizimin e prioriteteve amerikane.
Kjo është veçanërisht domethënëse në kontekstin e luftës në Ukrainë, ku Dokumenti i jep vëmendje më shumë “stabilitetit strategjik me Rusinë”, sesa një triumfi eventual të Ukrainës.
“Diplomacia presidenciale” dhe personalizimi i politikës së jashtme amerikane
Një karakteristikë domethënëse e strategjisë së re është nënvizimi i “diplomacisë presidenciale” si motor kryesor i politikës së jashtme të SHBA-së.
Në këtë kontekst, dokumenti e përshkruan presidentin Trump si negociatorin kryesor të paqes, duke renditur marrëveshjet e tij si prova të një modeli të ri, më efikas dhe më të personalizuar të diplomacisë amerikane.
Kjo qasje e zhvendos procesin e politikës së jashtme nga korniza burokratike dhe e konsoliduar ndërinstitucionale, drejt një forme të politikëbërjes që bazohet në karizmën e liderit, marrëdhëniet personale dhe negociatat e individualizuara.
Prema studiuesve, ky model krijon një rend ndërkombëtar të strukturuar jo rreth aleancave, por rreth marrëdhënieve ndërpersonale të liderëve të fuqishëm. Në këtë rast, Dokumenti strategjik nuk përshkruan një botë të udhëhequr nga Amerika, por fokusohet më shumë në një botë që përbëhet nga rrjete komplekse të ndikimit personal të presidentëve dhe liderëve të tjerë shtetërorë.
Kjo formë diplomacie përshpejton marrjen e vendimeve, por njëkohësisht ul parashikueshmërinë dhe zbeh rolin e diplomacisë klasike. Studimet theksojnë se personalizimi i tepruar i politikës së jashtme e rrit rrezikun e vendimmarrjes impulsive dhe zvogëlon koherencën institucionale.




























































