Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Kalimi në tregun e hapur energjetik, rrezik serioz për bizneset në Kosovë

Ilustrimi nga: BigEye

Zbatimi i liberalizimit të tregut energjetik për bizneset hyri në fuqi më 1 qershor. Vendimi prek bizneset që kanë mbi 50 punëtorë, apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Këto biznese shpenzojnë rreth 37% të energjisë elektrike në vend. 

Me vendimin e ri, këto biznese dalin në treg të hapur energjetik, gjë që nënkupton se nuk mund të furnizohen më me tarifat e rregulluara nga ZRRE-ja, por do të obligohen të furnizohen me energji elektrike nga kompanitë private të licencuara. Me fjalë të tjera, këto biznese do të paguajnë tarifa më larta dhe jo si ato të konsumit familjar.

Qëllimi i liberalizimit të tregut është segmentimi, ku familjet nuk e ndajnë barrën e njëjtë me bizneset që konsumojnë më shumë energji. Bizneset kanë fatura të tjera për dallim nga një familje që shpenzon për nevoja personale. Kjo e ndihmon edhe uljen e ngarkesës gjatë dimrit, kur kërkesa për konsum të energjisë është më e lartë.

Procesi synon të stimulojë konkurrencën në tregtim të energjisë. Rrjedhimisht, çmime më të favorshme dhe përmirësim të përgjithshëm të sektorit të energjisë.

Por, liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është duke prodhuar efekte të kundërta. Me liberalizimin e tregut, KEDS-it iu mundësua që të shkyçë nga rrjeti energjetik 450 biznese.

Bizneset po ankohen se po marrin oferta me çmime mbi 200% më të shtrenjta nga kompanitë e licencuara. Një situatë e tillë ka ngritur shqetësime për çrregullim të ekonomisë kosovare, që do nënkuptonte humbjen e shumë vendeve të punës dhe potencialisht krizë ekonomike. 

Bizneset kundërshtojnë vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike

Përmes protestave dhe ballafaqimeve ligjore, bizneset vendore të organizuara nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë kundërshtuar fuqishëm këtë vendim, duke kërkuar që vendimi të pezullohet për së paku një vit, në mënyrë që të fillojë komunikimi mes ZRRE-së dhe bizneseve për të kaluar në tregun e hapur energjetik pa u dëmtuar ekonomia e vendit.

Më 29 maj 2025, bizneset dhe punëtorët bllokuan rrugët e Prishtinës, duke kërkuar shtyrjen e vendimit të ZRRE-së për liberalizimin e tregut energjetik. 

Po atë ditë, Qeveria në detyrë mbajti mbledhje, me ç’rast kryeministri Albin Kurti e barazoi protestën e bizneseve me barrikadat e grupeve paralele serbe në veri.

Çështja tashmë ka rënë në duart e drejtësisë. Fillimisht Gjykata Komerciale në shkallë të parë pezulloi vendimin me arsyetim se ZRRE-ja ka interpretuar gabim Ligjin për Energji, duke i vendosur të gjithë konsumatorët në treg të hapur pa përjashtim. Në këtë mënyrë, Gjykata, sipas vendimit, vlerësoi se ZRRE-ja i kishte trajtuar në mënyrë të padrejtë një pjesë të bizneseve.

Por, shkalla e dytë vendosi në favor të ZRRE-së, duke e cilësuar të ligjshme mënyrën se si ZRRE-ja ka vendosur konsumatorët jofamiljarë në tregun e hapur energjetik. Ndërsa, OEK-u ka vazhduar rrugën ligjore duke dorëzuar padi në Gjykatën Supreme, me kërkesën e njëjtë që vendimi i ZRRE-së të pezullohet. 

Gjithashtu, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vendimin e ZRRE-së e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

Si duhet të liberalizohet tregu i energjisë elektrike? 

Liberalizimi i tregut të energjisë është i domosdoshëm dhe detyrim ligjor, si dhe aspiratë e Kosovës drejt BE-së. Megjithatë, ky proces duhet zbatuar gradualisht, në mënyrë që të minimizojë rreziqet ekonomike. 

Është e domosdoshme që bizneset të cilat i nënshtrohen procesit të liberalizimit të tregut të klasifikohen sipas nivelit të konsumit të energjisë. Si fillim, duhet të ketë një fazë testuese, ku rreth 10% të bizneseve hyjnë në tregun e hapur energjetik. 

Ky testim do të mundësonte krijimin e një mostre empirike, të cilën ZRRE-ja do të mund ta përdorte për t’i parë mangësitë e sfidat e procesit.

ZRRE-ja do ta kishte një raport me të dhëna primtare nga përvojat e bizneseve në fazën testuese, ku përfshihen ofertat e tregtuesve energjetikë, përshtatja e punës së brendshme me sistemin e ri energjetik dhe kostoja mujore e rrymës krahasuar me çmimet e tregut të mbyllur.

Kjo fazë testuese do të mundësonte evitimin e problemeve të mundshme, si dhe kalimin më gradual në fazën finale.

Pas testimit, OEK-u dhe ZRRE-ja duhet të vendosin bashkërisht për një afat kohor kur bizneset do të duhej të kalonin në treg të hapur. Kjo fazë do të shërbente si parapërgatitje për të kërkuar ofertues, nënshkrimin e kontratave me kompanitë private dhe kalimin në treg të hapur. Kjo do të mundësonte një proces më efikas, pa ndodhur shkyçja. 

Më pas, duhet të sigurohet një konkurrencë reale mes furnizuesve. Prokuroria do të duhej ta vëzhgonte nga afër nëse ka ndonjë shkelje ligjore në favorizim të disa furnizuesve të energjisë kundrejt të tjerëve apo manipulime të tjera.

Në këtë drejtim, ZRRE-ja do të duhej të siguronte që ka pavarësi në vendimmarrje nga Qeveria e Kosovës. Po ashtu, transparenca në publikimin e kontratave në formë të detajuar do të forconte besimin e publikut dhe tregut.

Në të kundërtën, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përshtatshme për bizneset, problemi mund të shkaktojë pasoja serioze për ekonominë vendore. Bizneset me kosto apo humbje të mëdha nuk mund të funksionojnë si duhet. Për pasojë, shumë punëtorë rrezikojnë të humbin vendet e tyre të punës, gjë që do të kishte efekte negative për shumë familje.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.