Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Mitet dhe keqkuptimet e bisedimeve të Brukselit – Ku na “on procesi”

Ilustrime nga Big Eye.

Një prej miteve themelore në lidhje me dialogun e Brukselit është miti për jotransparencën e tij.  Duke mos dashur ta mohoj faktin e hatashëm që opinioni publik e sidomos qytetarët të cilët janë të prekur drejtpërdrejt nga “marrëveshjet” dinë shumë pak apo aspak për këto bisedime, dëshiroj ta vë në pah një dimension tjetër të këtij procesi. Sikur jotransparenca e këtij procesi të ishte problemi më i madh, mbase ai edhe do të kishte ndonjë perspektivë në kontekstin e arritjes së zgjidhjes e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

Sa është e vërtetë sintagma: “marrëveshja e Brukselit nuk është e keqe për shkak se është jotransparente por është jotransparente për shkak se është e keqe”, këtë më së miri e di vetëm ajo pjesë e vogël e njerëzve të cilët janë pjesë e atij procesi, derisa opinioni vetëm mund të hamendësojë e qytetarët mund t’i presin pasojat në terren. Parashtrohet pyetja: pse është kështu? Përgjigjen mund ta gjejmë gjithashtu me një pyetje tjetër e cila është: ku çon ky proces dhe çfarë janë perceptimet dhe qëllimet e pjesëmarrësve në bisedime?

Për pyetjen se ku çon ky proces, sigurisht mund të marrim tri e potencialisht edhe më shumë përgjigje. Për Prishtinën, procesi shkon drejt një qëllimi dhe një gjëje të vetme e kjo është njohja e pavarësisë dhe e sovranitetit në krejt territorin nga ana e Beogradit zyrtar, ata të paktën dinë çka dëshirojnë. Për Brukselin, për të cilin menjëherë do të them se është edhe më i ndërlikuar dhe më jokonstruktiv se Beogradi dhe Prishtina së bashku, ky proces shkon drejt të ashtuquajturit “normalizm të marrëdhënieve”. Ky është togfjalëshi i imponuar dhe ambivalent i aparatit burokratik të Brukselit, i cili është i detyruar të shpikë këso shprehjesh “duke e respektuar të drejtën dhe parimet e veta”, dhe paraqet bazë për konstatimin tim për ndërlikueshmërinë. Sepse, secili që pak a shumë e njeh sistemin politik të BE-së dhe të drejtën e saj, e di se edhe BE-ja edhe Beogradi zyrtar, në mos më shumë, formalisht nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës. Disa do të thonin deri në momentin kur Beogradi e bën një gjë të tillë, e unë them që as atëherë, sepse kjo nuk varet as nga Brukseli, as nga Beogradi dhe Prishtina, por nga ato shtete anëtare të cilat Kosovën nuk e shohin si bashkësi politike të pavarur dhe sovrane.

Pyetja tjetër është se a do ta ndryshojnë ato shtete qëndrimin e tyre nëse qëndrimi i Beogradit ndryshon ndonjëherë. Kësisoj, marrëveshja e Brukselit sa i përket pyetjet paraprake: “normalizimi i marrëdhënieve”, e në fakt kjo është shpresë e vazhdueshme se të gjithë do ta karakterizojnë atë “normalizim” si njohje të ndërsjellë, në rend të parë është njohja nga ana e Beogradit zyrtar. Kur jemi te Beogradi, deri më tash askush nuk e ka ditur përgjigjen e saktë se ku çon krejt kjo punë. Dhe mbase për këtë arsye iniciohet i ashtuquajturi dialog i brendshëm për Kosovën dhe Metohinë, i cili do të duhej të rezultonte me një përgjigje. Me sa i njoh rrethanat politike në Beograd dhe shoqërinë në përgjithësi, nëse do të ketë diçka nga ai dialog, përveç letrave të hapura dhe kryposjeve në televizion, do të kemi të paktën tri përgjigje. Një përgjigje për njohje, e dyta sovraneske për mosnjohje, dhe e treta pak a shumë pragmatike për pritje dhe ngrirje, gati identike me përgjigjen e dytë, por se cila prej këtyre do të jetë zyrtare këtë nuk e di as elita politike në Beograd.

Që gjërat të jenë edhe më të mjegullta në raport me Beogradin, Prishtinën dhe Brukselin, tash kemi momente të reja, në samitin në Trieste të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas defincionit politikisht korrekt, në vend të integrimit në BE i është ofruar bashkësia ekonomike eksperimentale. Për ta përkthyer këtë në gjuhën të cilën do ta kuptojë secili, na është ofruar Jugosllavia pa Kroacinë dhe Slloveninë, por me Shqipërinë. Siç mund të shohim, kjo është plotësisht në përputhje me atë propozim gjerman për BE-në me më shumë qarqe/nivele, dhe kështu bëhemi eksperimenti politik, social dhe ekonomik i Brukselit (lexo Berlinit) zyrtar.

Në dialogun e Brukselit kanë hyrë tri palë: Beogradi, Prishtina dhe Brukseli; aty Brukseli nuk është vetëm ndërmjetës, e kjo është më se e qartë. Brukseli i ka të qarta qëllimet, shumë të rëndësishme për ta, duke filluar nga ato themelore siç është stabiliteti i këtij rajoni në aspektin e sigurisë dhe atë socio-ekonomik, e deri te krizat gjeopolitike (të migrantëve) dhe te kjo arsye, të cilën do ta quaja “eksperimentale”. Dhe të trija palët kanë motive të ndryshme dhe pak a shumë qëllime të ndryshme (përveç të përbashkëtave të caktuara të Brukselit dhe Prishtinës të cilat megjithatë kanë baza të ndryshme), e ky është dimensioni i dytë i këtij procesi për të cilin elitat dinë shumë mirë dhe prandaj e fshehin. Prandaj fokusi duhet jenë shkaqet e jo pasojat, sepse insistimi në transparencë është pikërisht kjo, trajtimi i pasojave.

A do të ndihmonte transparenca në një proces të këtillë të dialogut në Bruksel ndërmjet Beogradit-Brukselit-Prishtinës, a do ta bënte transparenca këtë proces më cilësor dhe më të dobishëm për të gjithë qytetarët? Natyrisht se jo. Ne nuk na duhet transparenca e një procesi të këtillë, ne (lexo qytetarëve) na duhet procesi i cili do të zgjidhte probleme të përditshme jetësore dhe procesi në të cilin sinqerisht do të parashtoheshin pyetjet të cilat janë të domosdoshme, siç është pajtimi i qëndrueshëm dhe integrimi në mënyrë që të jetojmë njëri me tjetrin, e jo njëri pranë tjetrit. Është fat që qytetarët e thjeshtë nuk kanë besim në elitat politike, sepse në të kundërtën do të kishim shumë më shumë pasoja negative të këtij procesi. Për këtë arsye, elitat politike janë të detyruara të përdorin manipulime mediale dhe fushata për të na bindur se kjo është për të mirën tonë, dhe përderisa është kështu, e di se nuk është mirë.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.