Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndarjet e partive politike në Ballkan (2): Rastet e tjera të ndarjeve në skenën politike kosovare

Ilustrimi nga: BigEye

Kjo trajtesë e ndarë në pesë pjesë do ta shtjellojë historikun e ndarjes së partive politike në rajonin e Ballkanit. Pjesa e parë dhe e dytë do të analizojnë historikun e ndarjeve në Kosovë, me ç’rast pjesa e parë do të merret vetëm me ndarjen e Vetëvendosjes, duke qenë rasti më i freskët, gjersa pjesa e dytë me ndarjen e partive të tjera në Kosovë. Pjesa e tretë do t’i shqyrtojë ndarjet e partive politike në Shqipëri, e katërta ndarjet e partive në Maqedoni, ndërkohë që pjesa e pestë dhe e fundit do ta përmbledhë ndarjen e partive në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Fatin e ndarjes nuk e pati vetëm VV-ja. Ndarjet ndodhën edhe tek partitë e tjera politike në Kosovë. Çarja e parë serioze në një parti politike të skenës politike kosovare të pasluftës ndodhi në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Pas vdekjes së liderit të saj historik dhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, në janarin e vitit 2006, në parti dolën në pah dy grupe kryesore rivale. Njëri grup udhëheqej nga Fatmir Sejdiu, ish sekretari i partisë dhe pasuesi i Rugovës si President i Kosovës. Grupi tjetër udhëheqej nga Nexhat Daci, kryetari i dy legjislaturave të para të Parlamentit të Kosovës. Ndarjet në LDK kishin natyrë më pak ideologjike dhe argumenti kryesor, për të mos thënë i vetëm, i të grupeve ishte se cili grup ishte më “rugovist” se tjetri.

I tërë viti 2006 u karakterizua nga fushata intensive mes dy kandidatëve për kreun e LDK-së. Përpos që ishte përçarja e parë serioze në skenën politike kosovare, ky njëherazi ishte edhe shembulli i parë që një parti do ta zgjedhte kryetarin e saj në mënyrë demokratike, me fushatë normale parazgjedhore, me garë korrekte dhe me zgjedhje të rregullta e të lira. Njashtu, ky ishte rast i rrallë kur një lider me reputacion gati religjioz në mesin e militantëve të tij, siç ishte Rugova, nuk emëroi ndonjë pasardhës ta paracaktuar. Kjo bëri që gara në LDK të eskalonte.

Kur në nëntor 2006 Kuvendi i LDK-së e zgjodhi me një diferencë të ngushtë votash Fatmir Sejdiun si kryetar të partisë, krahu tjetër reagoi dhunshëm duke aluduar se procesi ka pasur probleme. Përplasja e tyre precipitoi në dhunë fizike dhe rrahja e delegatëve të kuvendit me karrige u kthye në sinonim të ndarjes së asaj që për 17 vite kishte qenë partia më e madhë në Kosovë. Kuvendi në fjalë akoma sot njihet si “Kuvendi i karrigeve”.

Ajo që pasoi ishte që kryeparlamentari Nexhat Daci, së bashku me figura të tjera si zëvendëskryemnistri Adem Salihaj, disa ministra, deputetë, kryetarë komunash dhe anëtarë kryesie u larguan nga LDK-ja dhe e themeluan Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD). Dardania është territori ku mendohet të kenë jetuar fisi i vjetër ilir i dardanëve që shtrihet pak a shumë në Kosovën e sotme. Nacionalizmi shqiptar e ka si shtyllë të tij mëtimin se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve të lashtë (rrjedhimisht, shqiptarët e Kosovës si pasardhës të dardanëve).

E, Rugova e kishte futur në semantikën e tij romantike nacionale idenë që Kosova është shteti modern i dardanëve. Kësisoj, partia e re – e cila e shihte veten si pasuese të Rugovës dhe asaj që ata e quanin “rugovizëm” – vendosi që si emër ta mbante këtë toponim karakteristik të ligjërimit politik rugovian.

Ndarja e LDK-së i kushtoi asaj me humbje të vendit të parë pas 16 vitesh zgjedhje pluraliste dhe pas 7 vitesh që nga përfundimi i luftës. Në zgjedhjet e radhës, ato të vitit 2007, për herë të parë në Kosovë doli si parti e parë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Hashim Thaçit, rivalja historike e LDK-së. LDK-ja, nga rreth 313 mijë vota sa pati më 2004 (ose rreth 45 përqind), tri vitë më vonë ra në rreth 196 mijë vota ose rreth 22%. LDD-ja i mori 57 mijë vota ose 10%, kurse më vonë s’do ta kalonte pragun zgjedhor asnjëherë dhe shumica prej figurave të saj, përjashto kryetarin Daci, u rikthyen më pas në LDK.

Por, që pas mandatit të parë në krye të qeverisë së Kosovës, simptoma e ndarjes u duk që e preku edhe PDK-në. Ndarja e partisë që veten e shihte si pasuese të UÇK-së u krijua mes dy ish-figurave kryesore të UÇK-së – Hashim Thaçit, kryetarit të partisë, kryeministrit të vendit dhe ish-Drejtorit Politik të UÇK-së dhe Fatmir Limajt, nënkryetarit të partisë, ministrit të Transportit dhe një prej ish-komandantëve më në zë të UÇK-së. Grupi i Limajt – ku hynte edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe sekretari i partisë – e akuzuan Thaçin për korrupsion dhe keqqeverisje. Njerëzit e Thaçit pretendonin se arsyet e vërteta të grupit rival ishin pakënaqësitë e tyre me ndarjen e posteve në qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2010.

Ndarja faktike u dallua në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur Limaj dhe Krasniqi nuk i përkrahën kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash, por përkrahën një të ashtuquajtur “Iniciativë Qytetare” në disa komuna prej nga vinin eksponentët kryesorë të grupit rebel brenda PDK-së, sidomos në Malishevë, Drenas dhe Prizren.

Në shkurt 2014, ata dalin nga PDK-ja dhe e themelojnë partinë e tyre “Nisma për Kosovën”. Në zgjedhjet nacionale të po atij viti, Nisma mori mbi 37 mijë vota ose pak më shumë se 5 përqind. Por, kjo nuk u vërejt në rezultatin e PDK-së, ndonëse shumëkush mendonte se ndarja do ta largonte PDK-në nga vendi i parë. PDK mori rreth 222 mijë vota, vetëm 2 mijë më pak se në zgjedhjet paraprake parlamentare, duke vazhduar kësisoj të ishte partia e parë në Kosovë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, PDK dhe Nisma do të ishin pjesë e koalicionit qeveritar gjer në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.