Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndarjet e partive politike në Ballkan (3): Ndarjet e partive politike në Shqipëri

Ilustrimi nga: BigEye

Kjo trajtesë e ndarë në pesë pjesë do ta shtjellojë historikun e ndarjes së partive politike në rajonin e Ballkanit. Pjesa e parë dhe e dytë do të analizojnë historikun e ndarjeve në Kosovë, me ç’rast pjesa e parë do të merret vetëm me ndarjen e Vetëvendosjes, duke qenë rasti më i freskët, gjersa pjesa e dytë me ndarjen e partive të tjera në Kosovë. Pjesa e tretë do t’i shqyrtojë ndarjet e partive politike në Shqipëri, e katërta ndarjet e partive në Maqedoni, ndërkohë që pjesa e pestë dhe e fundit do ta përmbledhë ndarjen e partive në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Rajoni nuk i shpëtoi sindromit të ndarjes së vazhdueshme të partive politike. Gushti i vitit 1992. Shqipëria po e jeton muajin e pestë si një shtet me presidentin e parë jokomunist pas gati pesë dekadash të regjimit të Partisë së Punës. Në mars të atij viti Sali Berisha u zgjodh President i vendit, duke e pasuar ish-trashëgimtarin e diktatorit Enver Hoxha, Ramiz Alinë. Berisha ishte kryetar i PD-së – të parës parti opozitare në vend.

Por, edhe brenda kësaj partie u ngjallën zëra rebelë. Një grup themeluesish e deputetësh po pretendonin që Berisha ishte kthyer në një President shteti dhe kryetar partie autoritarist. Në gusht 1992, në konferencën e Këshillit Kombëtar të PD-së, ky grup i deputetëve të pakënaqur përmes një mocioni e akuzuan klanin e Berishës poashtu edhe për humbjen në zgjedhjet lokale të muajit korrik. Berisha reagoi duke i etiketuar si “mocionistë”, “puçistë”, “komunistë”, etj. Këshilli Kombëtar, nën presionin e presidentit Berisha, vendosi që t’i përjashtonte deputetët rebelë, në stilin që dikur Partia e Punës përjashtonte “grupet armiqësore”.

Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Preç Zogaj, Arben Imami e Arben Demeti ishin vetëm disa nga themeluesit e PD-së që u përjashtuan atë ditë. Në tetor, ata e themeluan Partinë Aleanca Demokratike (PAD). Në zgjedhjet e radhës të vitit 1996 opozita – Partia Socialiste (PS), Partia Socialdemokrate, PAD-ja, etj. – deklaruan se PD kishte manipuluar zgjedhjet. Me këtë vlerësim asokohe u pajtua edhe OSBE-ja. Por, në zgjedhjet e radhës, ato të vitit 1997, ndonëse PAD-ja mori vetëm 36 mijë vota dhe asnjë deputet, PD-ja i humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë, për të mos u kthyer në pushtet për tetë vitet e radhës. PAD-ja, në anën tjetër, do të vazhdonte të ishte pjesë e jetës politike duke fituar më pas gjashtë deputetë më 2001 dhe tre syresh më 2005. Madje, pas zgjedhjeve të vitit 2005 PAD-ja u pajtua me PD-në e Berishës dhe bashkëqeverisi me të në vitet 2005-2009.

Edhe vitet në opozitë u shkaktua një tjetër çarje në PD. Në dhjetor të vitit 1999, nënkryetari i kësaj partie, Genc Pollo u përjashtua nga partia dhe krijoi Partinë Demokratike të Re (PDR), ndonëse nuk pati shumë impakt dhe pas vitit 2005 u rikthye në PD, fillimisht si pjesë e koalicionit qeverisës e më pas duke u shkrirë në “folenë e vjetër” më 2008.

Por, rikthimi i PD-së në pushtet më 2005 solli sërish ndarje në këtë parti. Në vitin 2012, tekqë po i skadonte mandati si President i Shqipërisë, Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD-së, vendosi të largohej nga kjo parti mes shumë kritikash ndaj qeverisjes së Sali Berishës dhe ta krijonte një parti të re, Forca e Re Demokratike (FRD). Ndonëse së bashku me të doli edhe Gazmend Oketa, ish-zëvendëskryeministri i Berishës, kjo parti nuk ia doli të futej në Parlament në zgjedhjet e vitit 2013 dhe humbja e PD-së në ato zgjedhje vështirë se mund t’i atribuohet krijimit të FRD-së.

Përçarje dhe ndarje ka pasur edhe tek partia tjetër e madhe politike në Shqipëri – Partia Socialiste (PS). Në fakt, PS-ja ia doli ta ruante një farë uniteti në kohën sa ishte opozitë e Berishës në vitet 1992-97, por pas ardhjes në pushtet më 1997 gjërat filluan të ndryshonin. Ndonëse gara e ngushtë elektorale për kreun e partisë mes Fatos Nanos (kryetarit të partisë) dhe Pandeli Majkos (kryeministrit të vendit) në muajin tetor të 1999-s nuk solli ndarje të partisë, Majkoja dha dorëheqje dhe në vend të tij si kryeministër u vu Ilir Meta, asokohe aleat i Nanos.

Qeverisja e Metës pastaj solli edhe divergjencat e para me kryetarin e partisë, Nanon. Në shkurt 2002 Meta dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, por vazhdoi si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm gjer në korrik 2003, përkundër përplasjeve me kryetarin e partisë e më pas kryeministrin Nano. Si pasojë e akuzave të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit – me Nanon që e akuzonte për keqqeverisje dhe Metën që e akuzonte atë për autokraci – në shtator 2004, Meta u nda nga PS-ja për ta krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).

Në fakt, për shumë analistë, ndarja e LSI-së ishte një prej arsyeve kryesore përse PS-ja e Nanos humbi zgjedhjet e verës 2005 dhe mundësoi rikthimin në pushtet të Berishës për tetë vitet e radhës. LSI-ja që nga atëherë e luan rolin e kingmaker-it në skenën politike shqiptare, duke u dëshmuar si determinante në formimin e dy qeverive të koalicionit – më 2009 me PD-në dhe më 2013 me PS-në.

Pas humbjes së vitit 2005, Nanoja dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë dhe në vend të tij u zgjodh Edi Rama, kryebashkiaku karizmatik i kryeqytetit i cili shquhej për stilin e tij ekstravagant të qeverisjes në kryeqytet dhe që më 2004 ishte zgjedhur si krybashkiaku më i mirë në botë.

Por, edhe gjatë udhëheqjes nga Rama, PS-ja nuk i shpëtoi ndarjeve të tjera, ndonëse jo aq traumatike sa ajo e vitit 2004. Më 2007 PS-ja vendosi t’i përjashtonte gjashtë deputetë që kishin votuar për kandidatin e PD-së për President, Bamir Topin. PS-ja pretendonte se grupi nxitej nga ish-kryetari Nano. Grupi në fjalë më pas doli nga PS-ja për ta formuar “Partinë Socialiste të Vërtetë ‘91” me në krye ish-ministrin e Brendshëm, Petro Koçi, por nuk patën asnjë fuqi reale në skenën politike.

Fuqi reale nuk krijoi as Lista e Barabartë, “Libra”, partia e krijuar nga një prej deputetëve më popullorë të PS-së, ish-gazetari dhe shkrimtari Ben Blushi, i cili, në mesin e akuzave për korruptimin e qeverisë së Ramës dhe autokracinë brendapartiake, në nëntorin e vitit 2016 doli nga PS-ja dhe e krijoi partinë e re, por nuk ia doli ta fitonte asnjë deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit pasues, ndonëse mori gati 20 mijë vota.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.