Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

Ndryshimi në lidershipin e BE-së duhet të trajtohet me rezerva nga Kosova në dialogun me Serbinë

Ilustrimi nga Big Eye.

Bashkimi Europian mbylli vitin 2024 me ndryshime në strukturën e saj udhëheqëse për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Kaja Kallas, ish-kryeministrja e Estonisë, u zgjodh përfaqësuese e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ndërsa Ursula von der Leyen u zgjodh presidente e Komisionit Europian

Entuziazmi në Kosovë u manifestua veçanërisht për emërimin e znj. Kallas në pozitën e përfaqësueses së lartë, mbi premisën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të pësojë ndryshime pozitive dhe në favor të Kosovës. Përfundimi i mandatit të Joseph Borrellit, që vinte nga një shtet mosnjohës (Spanja), dhe njëkohësisht përfundimi i mandatit të Miroslav Lajçakut si emisar për dialog, respektivisht nga Sllovakia, kanë rritur pritjet te klasa politike dhe qytetarët e vendit.

Në rritjen e pritshmërive kontribuoi edhe më shumë zgjedhja e Peter Sorensenit, diplomatit danez, si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Ky ndryshim në strukturën e BE-së mund ta ndryshojë qasjen në procesin e dialogut. 

Asimetria në procesin e dialogut ishte kritika më e madhe që Qeveria e Kosovës kishte ndaj BE-së dhe përfaqësuesve të saj. Mungesa e balancës, e treguar përgjatë trajektores së bisedimeve, e ka dëmtuar dialogun në tërësi. Barrikadimi në disa raste i dyshes Borrell dhe Lajçak kundrejt Kosovës pati krijuar hendek në mes të të gjitha palëve të përfshira.

Përtej drejtimit institucional që bart BE-ja, pikëpamjet, bindjet dhe idetë reflektojnë tek individët në pozita zyrtare. Në këtë rast specifik për Kosovën, karriera dhe çfarë përfaqësojnë Kallasi dhe Sorenseni janë pozitive. 

Së pari, pozicioni i fortë anti-Rusi nga Kallasi mund ta ndikojë në tërësi drejtimin e politikës së jashtme të BE-së, dhe në veçanti procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sentimenti dhe njohja më nga afër e politikës ruse nga Kallasi mund të çojnë në pozicione më pak toleruese ndaj Serbisë.

Megjithatë, temat kryesore ekzistuese të dialogut do të vazhdojnë ato të viteve të kaluara, e që janë implementimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Në këtë drejtim, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet një nga kërkesat kryesore të BE-së, e që janë konfirmuar edhe nga Kallasi. 

Tutje, Sorenseni ka një përvojë dhe njohje të mirë të Ballkanit Perëndimor nga pozitat si udhëheqës i delegacionit të BE-së në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Maqedoninë Veriore gjatë viteve 2011-2014, që i shërben funksionit tij të ri. Gjithashtu, Sorenseni do të merret ekskluzivisht vetëm me dialogun Kosovë-Serbi, e jo me çështjet e tjera rajonale, gjë që mund të sjellë dinamikë më të madhe në proces. 

Megjithatë, BE-ja ende i ka aktive masat sanksionuse ndaj Kosovës. Qëndrimet e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, por edhe vendeve të tjera të Unionit, nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim drastik ndaj Kosovës. Situata bëhet më e komplikuar edhe me një marrëdhënie transatlantike BE-SHBA, me shumë dilema e paqartësi nën drejtimin e presidentit Trump. Do të mbetet të shihet nëse do të kemi një proces të njëjtë dialogues, apo një proces binar, ku SHBA-ja do të ndërhyjë në mënyrë direkte dhe të zhvillojë një dialog paralel, siç kishte ndodhur në vitin 2019 me Richard Grenellin.

Të gjitha këto dilema duhet të jenë pjesë e një strategjie të operacionalizuar të qeverisë së ardhshme të vendit. Vendimtare do të jetë qasja ndaj marrëveshjeve të arritura dhe të dakorduara në Bruksel dhe asaj të Ohrit. Entuziazmi për lidershipin e ri të BE-së duhet të përkthehet në  pragmatizëm politik dhe përgjegjësi shtetërore.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.